• Today is: Sunday, November 24, 2024

A do të duhej Kosova ta kishte një vëzhgues të vetin në Ohër?

fakti
June10/ 2022

Kosova ka të drejtë  të hezitojë rreth pjesëmarrjes në këtë iniciativë rajonale me drojën se Serbia Ballkanin e Hapur e shfrytëzon si instrument për të anashkaluar Brukselin dhe Washingtonin nga monitorimi i proceseve demokratike në Ballkanin Perendimor dhe për rrjedhojë anëtarësimi në BE të shtyhet për një afat të pacaktuar, një synim ky për të cilin angazhohet Rusia ditë e natë

Nga Emin AZEMI

Në takimin e radhës (nëse do të mbahej), Kosova do të duhej të merr pjesë, të paktën, si vëzhguese e Ballkanit të Hapur. Pse?

Arsyet e mospjesëmarrjes së saj në samitet e deritanishme, që nga Novi Sadi deri në Ohër, të gjithë tash më i dijmë. Por atë që nuk e dijmë, e do të duhej ta dijmë, është qëndrimi që do të mbante kreu i shtetit serb, Vuçiq, pas një veprimi të tillë të Kosovës. Sidomos jemi shumë kurreshtarë të dijmë se me çfarë retorike do të përgjigjej ai pasi të ketë folur vëzhguesi nga Kosova, i cili, në mes të tjerash, do të fliste si përfaqësues i shtetit të pavarur të Kosovës dhe si i tillë do të kërkonte të trajtohej nga të gjithë, ku Kosova nuk do të shfrytëzohej vetëm si tranzit për qarkullim, por mbi të gjitha si entitet i mëvetësishëm shtetëror. Sepse, siç po thonë edhe autoritetet e larta amerikane, Ballkani i Hapur është i plotë dhe ka kuptim vetëm nëse ka një gjithpërfshirje dhe nëse pjesëmarrësit janë të barbartë.

Kosova tani në Ohër e lëshoi shansin të dërgojë një vëzhgues të vetin, i cili do t’i shpërfaqte të gjitha ato qëndrime që nuk do të donte t’i dëgjonte veshi i Vuçiqit dhe të cilat bien ndesh me politikën aktuale të Serbisë kundrejt Kosovës.

Parasegjithash përfaqësuesi i Kosovës e kishte rastin të kërkonte llogari nga Vuçiqi se pse nuk po miratohen marrëveshjet e negocuara dhe të nënshkruara në Bruksel. Gjithashtu do të kërkonte llogari se pse Kosova ende është pjesë integrale e Kushtetutës së Serbisë, si paradhomë e destabilizimit permanenet të kësaj pjese të rajonit.

Kosova ka të drejtë të pyes se cili është ai shteti që krijon më së shumti probleme në marrjen vendimeve rajonale në kuadër të iniciativave të cilat finansohen nga Komisioni Europian, siç janë CEFTA dhe RCC, të perfshira në Procesin e Berlinit? Dhe si është e mundur që pikërisht ky shtet – Serbia që bllokon iniciativat Evropiane, tash na del një pioniere e integrimeve rajonale. Në fakt, sipas Ramës, Ballkanit të Hapur i janë shtuar shumë pionierë, vetëm se nuk po dihet se cili na qenka kryepionieri i kësaj cirkusiade ballkanike.

Kosova ka të drejtë të pyes dhe të hezitojë rreth pjesëmarrjes në këtë iniciativë rajonale me drojen se Serbia Ballkanin e Hapur e shfrytëzon si instrument për të anashkaluar Brukselin dhe Washingtonin nga monitorimi i proceseve demokratike në Ballkanin Perendimor dhe për rrjedhojë anëtarësimi në BE të shtyhet për një afat të pacaktuar, një synim ky për të cilin angazhohet Rusia ditë e natë. Sepse duke e shfrytëzuar Ballkanin e Hapur si tamponë zonë, Rusia dëshiron të mbaj sa më larg ndikimin Perendimor në rajon, duke i krijuar hapësirë ndikimit të vet përmes satelitëve të saj në Ballkan.

Kosova ka të drejtë ta pyes edhe Edi Ramën dhe Ali Ahmetin se kur Tirana e Shkupi kanë kërkuar nga Prishtina që të mbahet një konsultim paraprak mbi qëndrimet që do të duhej të mbajnë liderët shqiptarë në Ballkanin  e Hapur.

Kosova ka të drejtë të kërkojë sqarim nga Edi Rama se ku buron krekosja e tij para gazetarëve teksa bënte krahasime të pakrahueshme në mes të SHBAve dhe Japonisë, në mes të Gjermanisë dhe Francës.

A nuk e di Rama se si erdhi deri te procesi i normalizimit të marrëdhënieve midis këtyre vendeve të acaruara dhe pse ai vendos simetri fajësie kur është në pyetje Kosova e Serbia, ndonëse në rastin e SHBAve dhe Gjermanisë dihej fare mirë se cili ishte fajtori dhe kush kërkoi falje si kusht për normalizimin e marrëdhënieve të acaruara.

Edi Rama – një orator brilant, por nji mendmtar tepër i dobët, kur bën krahasime, jo vetëm që çalon në gjetjen e analogjive, por ai me shkurtpamësinë e tij e amniston totalisht Serbinë nga historitë e këqia të saj, sepse me të njëjtin kantar fajësie e mat edhe përgjegjësinë e Kosovës për mosnormalizimin e raporteve me Serbinë.

Si qenka Kosova përgjegjëse për këto raporte të prishura, kur Serbia ende nuk ka kërkuar falje për dhunimet dhe krimet e kryera mbi popullatën civile, kur ende i mohon masakrat në Reçak, Mejë, Izbicë e gjetiu dhe kur ende Beogradi nuk i ka identifikuar dhe dorëzuar trupat e pagjetur të mijëra kosovarëve të vrarë e maskruar nga bandat serbe.

Të gjitha këto, pra, do të mund të paraqiteshin si dëshmi në Ballkanin e Hapur, me çka vëzhguesi nga Kosova do ta sprovonte dhe sfidonte udhëheqjen serbe, duke e demitizuar edhe patetikën e Ramës mbi miqësinë e trendafiltë me serbët.