Shkup, 17 maj – Në prag të hapjes së bibliotekës “Ernest Koliqi”, e cila do të funksionojë në kuadër të Ipeshkvisë së Kosovës, drejtori i ITSHKSH Prof.dr. Skender Asani me bashkëpunëtorët dhuroi disa tituj librash. Me këtë rast Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergj, shprehu mirënjohje dhe faleminderoi ITSHKSH për kujdesin e treguar ndaj thellimit të bashkëpunimit kulturor ndërinstitucional në mes të Shkupit dhe Prishtinës. Ky bashkëpunim, sipas tij, po ndodhë në momentin e duhur kur po hapet një bibliotekë e cila do të ketë vepra të rëndësishme edhe nga ITSHKSH.
Drejtori i ITSHKSH, Prof.Skender Asani, dhuratën simbolike të librave e shoqëroi me konstatimin se Ipeshkvia e Kosovës ka bërë veprimin e duhur me hapjen e një biblioteke që do të mbaj emrin e një prej kolosëve më të mëdhenjë të kulturës shqiptare, siç është Ernest Koliqi. Sipas Asanit, Koliqi, mbolli farën e iluminzmit në trevat lindore shqiptare, duke dërguar mësues e libra që ishin “infuzion” shpirtëror i kësaj hapësire etnike shqiptare.
Pasi foli për disa aktivitete që ishin bërë në bashkëpunim me institucionet përcjellëse të Ipeshkvisë së Kosovës, siç është redaksia e revistës “Drita”, Dr. Asani e informoi Imzot Dodën për planet dhe strategjinë e ITSHKSH në të ardhmen, ku theks të posaçëm i kushtoi shënimit të 25 vjetorit të vdekjes së shenjtores Nëna Tereze. Me këtë rast, tha ai, do të organizohet manifestimi tradicional “Drita e Gonxhes” (26 gusht – 5 shtator), ku janë paraparë disa aktivitete të përbashkëta kulturore-letrare që do të mbahen në Shkup e në Prshtinë në mes të ITSHKSH, gjegjësisht Departamentit i trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Tereze dhe revistës “Drita”. Një rekapitulim i aktiviteteve të vitit të kaluar, në formë shkrimesh e studimesh do të vjen në numrin e parë të revistës “Drita e Gonxhes”, e cila është pjesë integrale e manifestimit me të njejtin emër, ndërkohë që në numrin pasues do të vijnë aktivitetet e këtij viti, tha Dr. Asani.
ITSHKSH dhe Ipeshkvia e Kosovës do të vazhdojnë të këmbejnë dije e përvoja në të ardhmen me qëllim të avancimit të bashkëpunimit e mirëkuptimit ndërinstitucional, ku theks i posaçëm do t’i vëhet emancipimit të mëtejm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare dhe komunikimit të saj me shoqëritë e tjera.