• Today is: Sunday, November 24, 2024

PËR ÇKA PISKET TASH ALSA-ti, KUR PARA 17 VITEVE KISHTE UZURPUAR BARBARISHT ZYRAT E REDAKSISË SË GAZETËS FAKTI?!

fakti
May15/ 2022

Nga Emin AZEMI

 

Menaxhmenti i Televizionit ALSAT paska rënë në një kurthë të cilën para 17 viteve e kishte ngritur për të tjerët. Që tani e paskan  marrë vesh se janë futur në pronë të huaj, ndonëse këtë kanë mundur ta dinë para se ta bëjnë krimin e paramenduar ndaj Gazetës FAKTI.
Me shkrimin e mëposhtëm, drejtuesit e ALSA-tit  dhe opinionin publik i pata njoftuar me detajet e një kronologjie manipulative ku luhej me vërtetësinë e pronës, në emër të përfitimit abuziv. Drejtuesit e ALSAT-it u treguan aq të pashpirt e lakmiqar saqë jo vetëm nuk i morën parasysh vërejtjet e mia, por ata vazhduan të krekosen se kishin arritur të më dëbojnë nga kati i nëntë i “Mavrovkës” dhe e kishin  vendosur zuzën e tyre të zhugaft por tepër të përdorshme për interesat antishqiptare. Po del se kur bëhesh aq shumë i përdorshëm, të khehehen boomerang të gjitha të ligat që i ke bërë ndaj të tjerëve.

Në shkrimin e mëposhtëm me titull “KUSH DESHI TA SHUAJË “FAKTIN”? , të botuar më 2 prill 2005, po risjell edhe njëherë në vëmendjen e lexuesve monstruozitetin e një krimi të orkestruar që kishin  ndërmarrë atëbotë drejtuesit e ALSA-it, në bashkëpunim të ngusht me disa penzionera të Gligorovit që kishin vegjetuar me vite nëpër sallonet e politikës maqedonase si eksponent të inferioitetit politik shqiptar të viteve 90-të dhe si hienat iu kishin vërsulur një gazete shqipe që po ua prishte terezinë e lojalitetit gligorovian.

Më vonë e kuptova se kishte qenë një skenar i orkestruar mire nga këta eskponent të fëlliqur që përfaëqsonin ALSAT-in dhe fatkeqësisht i toleruar nga partia e atëhershme në pushtet (BDI).
Një herë tjetër sigurisht do të merrem me dëmet që ka sjellë kjo medie, e cila gjatë gjithë kohës ka qenë e interesuar se si do të tingëllojnë në një gjuhë tjetër politikat e saj të çorodtura redaktuese (lexo:recetat e gatimit), sepse kjo ka qenë edhe fryma që kanë përfaqësuar kumbarët shqipfolës të Gligorovit.

Në vazhdim po risjell tekstin e plotë integral të botuar më 02 prill 2005.

“Cilat ishin arsyet e mungesës së “Faktit” për një javë në treg? Ishte kjo pyetja e dhjetëra mijëra lexuesve dhe shumë institucioneve e faktorëve vendorë e ndërkombëtarë, të cilët në mungesë të informimit burimor, nga vetë ne drejtuesit e kësaj gazete, ndoshta ishin të detyruar të absorbojnë edhe variante të ndryshme që fare nuk kishin të bënin me realitetin.

Realiteti është ky: Duke filluar nga 1 janari i vitit 2004, redaksia e gazetës “Fakti” ishte e vendosur në QT “Mavrovasja”, Lamella C, kati 9. Në bazë të kontratës së firmosur në mes të pronarit të “Faktit”, Emin Azemi, dhe pronarit të firmës “Trgometal” nga Shkupi, Llazo Kasapinov, afati i dhënies me qira të këtyre zyrave ishte 5 vjet ose prej vitit 2004 – 2009, me mundësi të vazhdimit të kontratës edhe për disa vite. Gjendja e këtyre zyrave, para se të vendosej aty “Fakti”, ishte jashtë përdorimit dhe në gjendje jofunksionale. Me një investim të përbashkët, të dy pronarëve të “Faktit” dhe “Trgometalit” këto zyra u riparuan dhe u përgatitën për punë normale të një medie ambicioze që do të prodhonte lajme për çdo ditë siç ishte “Fakti”. Ne si staf drejtues dhe si të punësuar ishim shumë të kënaqur me kushtet e krijuara dhe kjo u reflektua dukshëm në punën tonë të përditshme, gjegjësisht u reflektua në cilësinë e gazetës. Këtë kanë mundur të vërejnë edhe lexuesit.

Pas disa muajve të vendosjes sonë në këto zyra, në faksin e pronarit dhe botuesit të “Faktit” erdhi një letër nga ana e Bankës Private Internacionale. Në këtë letër paralajmërohej pronari i “Faktit” që të mos vazhdojë ta paguajë qiranë në llogari të firmës “Trgometal”, me pronar Llazo Kasapinov, por në llogari të Bankës Private Internacionale, sepse, siç shkruante në letër, këta qenkan pronarët legjitimë të këtyre zyrave. Në letër gjithashtu ishte dhënë edhe një kërcënim për dëbim nga zyrat nëse ne nuk u përmbahemi këtyre kushteve të reja.

Për ta sqaruar më mirë këtë situatë të re të krijuar, unë si pronar i FAKTI-t kërkova të takohem dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë të bisedoj me drejtuesit e Bankës Private Internacionale. Atyre ua sqarova se kam nënshkruar kontratë me TRGOMETAL-in dhe se unë nuk kam qenë i informuar se kush është pronar i vërtetë i këtyre zyrave. Në bisedë e sipër ata ma treguan edhe fletën poseduese në të cilën figuronte emri i Bankës Private Internacionale si pronare legjitime e katit 9 dhe katit 10 në Lamelën C, në QT “Mavrovasja”. Për të dalë nga ky qorrsokak që ishim futur pa dashje, drejtuesit e Bankës Private Internacionale më ofruan dy variante: ose t’ua paguaj qiranë atyre, ose t’i blej zyrat dhe pas disa viteve ato të bëhen pronë e “Faktit”.

Me këto dy propozime në kokë, unë u largova nga takimi dhe menjëherë iu lajmërova Llazo Kasapinovit, të ashtuquajturit pronar të këtyre zyrave dhe i tregova fill e për pe për propozimin e ofruar nga ana e pronarëve legjitimë të Bankës Private Internacionale. Ai e pranoi disi me nervozë këtë lajm dhe më tha që të mos e marr seriozisht këtë punë, sepse ai, sipas tij, është pronar i zyrave dhe askush tjetër. Unë i thashë pastaj se Banka Internacionale Private më ka vënë para aktit të kyeer nëse nuk i përmbush këto dy kushte mund të më dëbojë nga zyrat. Por ai i vetëkënaqur në fuqinë më sugjeroi që të mos lëvizë nga zyrat, sepse “askush nuk guxon të të përzë” dhe kërkoi nga unë që të vazhdoj t’ia paguaj atij qiranë.

Unë isha në pozitë tepër delikate. Ndodhesha ndërmjet dy zjarreve. Nuk e kisha të qartë se kujt duhet t’ia paguaj qiranë, të ashtuquajturit pronar, Llazo Kasapinovit, apo pronarëve legjitimë, Bankës Private Internacionale. Kjo dilemë më përcolli disa muaj dhe unë kisha vendosur që qiranë t’ia paguaja atij subjekti që do të fitonte në kontestin gjyqësor. Kështu më kishin këshilluar edhe disa avokatë. Me kalimin e kohës, i ashtuquajturi pronar, Llazo Kasapinov bënte presion që t’ia paguajmë disa fatura të mbetura të qirasë, sepse ne tanimë i kishim paguar disa prej tyre. Unë ndërkohë e përkujtoja se kjo që po kërkon ai nuk ishte fer, sepse nuk kishte dëshmi gjyqësore se ai është pronari i vërtetë.

Kështu kalonte edhe koha, deri në momentin kur i ashtuquajturi pronar, Llazo Kasapinov, më jep një propozim të ri, që unë të dal nga këto zyra, sepse ai paska gjetur një klient të ri. Ky klienti i ri, qenka Televizioni “Alsat” dhe qenka shumë i interesuar që t’i marrë edhe katin 9 edhe katin 10. Për mua ishte shok ky propozim, sepse as që e kisha pritur. Por, i ashtuquajturi pronar i zyrave në fillim kishte një qasje gjoja dashamirëse, që unë vullnetarisht të dal nga aty, dhe ai madje do të më ndihmonte në gjetjen e zyrave të reja.

Prej momentit kur ai më tregoi për interesimin e “Alsatit”, unë fillova të kërkoj hapësirë të re për vendosjen e gazetarëve dhe pajisjeve teknike. Kjo nuk ishte aspak e lehtë, sepse koha ishte shumë e shkurtër, kurse njerëzit e “Alsatit” kërkonin që këto zyra ku ishte “Fakti” i vendosur të lirohen sa më shpejt. Ende deri më tani nuk kam arritur t’i kuptoj dy gjëra: si ndodhi që pikërisht zyrat e “Faktit” të jenë cak observimi dhe interesimi i drejtuesve të “Alsatit” dhe si nuk e gjetën të arsyeshme këta zotëri asnjëherë të bisedojnë me mua dhe të pyesin si është halli me këto zyra, a kam kontratë a nuk kam, kam apo nuk kam zgjidhje alternative etj. Edhe pse unë e mora shumë seriozisht paralajmërimin që t’i lëshoj zyrat tona, ku kishim kontratë edhe 4 vjet, i ashtuquajturi pronar, Llazo Kasapinov, në kokën e tij e kishte fiksuar një plan makabër: që të na dëbojë me dhunë, natën, dhe të na i mbyllë përgjithmonë zyrat ku “Fakti” kishte ushtruar veprimtarinë e vet profesionale.

Pasi isha në dijeni për këtë plan monstruoz dhe tepër kriminal, unë e pashë të arsyeshme që të bisedoj me ndonjërin nga drejtuesit e “Alsatit”. Nuk kisha njohuri se cili mund të ishte ai, por mora vesh se drejtor për Maqedoni qenka Milaim Fetahu, ish-drejtori i Këshillit të Radiodifuzionit të Maqedonisë. Me këtë zotëri u takova ditën e enjte, më 17 mars 2005, ora 13, në Bunjakovec. Milaimit i tregova të gjitha shqetësimet e mia dhe nga ai kërkova vetëm një shërbim të vogël që të bisedojë me pronarin e tyre Vebi Velia që të më japin një afat të shkurtër (maksimum një muaj), në mënyrë që unë brenda asaj kohe të transferohem diku tjetër. Në bisedë e sipër Milaimit i thashë se kontratën e kam për 5 vjet dhe në aspektin juridik unë mund të qëndroj edhe 4 vjet, mirëpo i ashtuquajturi Llazo Kasapinov i joshur nga oferta shumë atraktive e “Alsatit” ka vendosur që të na largojë ne dhe në zyrat e “Faktit” të vendosë “Alsatin”. Pra, ky farë Kasapinovi bënte pazar për zyra të huaja, pronar i të cilave ishte Banka Private Internacionale dhe pikërisht në ato zyra kishte shprehur dëshirë dhe vullnet të vendoset “Alsat”-i. E ndjeva për obligim moral e patriotik ta informoj Milaimin mbi të vërtetën e këtyre zyrave, duke e njoftuar atë me kontestin rreth pronësisë, kontest ky që kishte prodhuar dilemë edhe tek unë rreth pagesës. Pasi e informova detajisht Milaim Fetahun, nuk kërkova asgjë më tepër nga ai pos të bisedojë me Vebi Veliun dhe ta informojë atë për qëllimin tim të mirë për t’u larguar nga ato zyra brenda disa ditëve. Milaimi që në fillim më tha se nuk ka qenë i involvuar në bisedimet për këto zyra dhe nuk di asgjë për këtë punë. Sipas tij të gjitha bisedat i ka zhvilluar Vebi Velia me të ashtuquajturin Llazo Kasapinov. Por, më premtoi se do të bisedojë me telefon me Vebiun dhe do t’ia transmetojë shqetësimin tim, por edhe kërkesën time që të na presin disa ditë derisa të gjejmë zyra të reja ku do të transferoheshim. Mirëpo, çka ndodhi më vonë? Po atë ditë, në mbrëmje, aty nga ora 21.30 më paraqitet në telefon Milaim Fetahu dhe më njofton se nuk ka mundur ta thërrasë Vebi Veliun, sepse, siç më tha Milaimi, ky nuk qenka kompetent për këtë punë. Kjo paraqitje e Milaimit me këtë përmbajtje të lajmit më shkaktoi një shqetësim plotësues dhe nuk arrita edhe deri sot të kuptoj se pse ai nuk bisedoi me pronarin e tij. Vebi Veliu për një kërkesë timen shumë njerëzore.

Erdhi e premtja. Unë kisha lënë terminin për t’i parë disa zyra të reja. Nuk arritëm të shihemi me drejtorin e përgjithshëm, por vetëm me disa drejtorë të tjerë. Parimisht u morëm vesh që të hënën, më 21 mars, të takohemi edhe njëherë me drejtorin e përgjithshëm dhe të nënshkruajmë menjëherë kontratë, sepse zyrat ishin shumë të përshtatshme për veprimtarinë tonë të gazetarisë.

Por, para se të nënshkruaj kontratë të re, për zyra të reja, ndodhi krimi i paramenduar. Pronari i ashtuquajtur, Llazo Kasapinov, me metoda që i shkojnë vetëm mbiemrit të tij, kishte organizuar 50 reketarë, dhe ditën kur ne nuk dalim në punë, pra të shtunën (më 19 mars 2005) në orët e mbrëmjes, i kishte thyer me dhunë dyert e redaksisë së “Faktit”, i kishte nxjerrë të gjithë kompjuterët, pajisjet tjera teknike, tavolinat, të gjitha gjërat personale të gazetarëve, të gjitha dokumentacionet dhe gjërat e vlefshme nga zyra ime dhe pa kurrfarë kujdesi, i kishte tërhequr zvarrë dhe i kishte vendosur në bodrumin e garazhit të QT “Mavrovasja”. Të nesërmen, ditën e diel, kur ne e përgatitim gazetën e së hënës, gazetarët kishin hasur në dyer të mbyllura, me brava dhe dryrë të ndërruar. Ata nuk e dinin se çka ka ndodhur. Ata edhe sot nuk e kanë të qartë se si ka mundur të ndodhë ky dhunim kaq flagrant i vendeve të tyre të punës.

Rastin e paraqitëm në policinë e Bit Pazarit. Erdhën dy policë, e “skenuan” gjendjen, morën shënime dhe na sugjeruan që të hënën rastin ta paraqesim në policinë kriminale. Ashtu edhe vepruam e bashkë me këtë i bëmë edhe një fletëparaqitje penale pronarit të ashtuquajtur, Llazo Kasapinov për disa vepra të kryera penale. Lidhur me këtë akt të rëndë vandal që na kishte ndodhur i njoftuam kryeministrin, kryetarin e shtetit, kryetarin e BDI, Ali Ahmetin, kryetarin e PDSH, Arbën Xhaferin, ambasadorët e BE-së, SHBA-ve, Britanisë së Madhe, NATO-s, Gjermanisë, OSBE-në, Francës, Shqipërisë, etj. Shqetësimi i diplomatëve u shpreh menjëherë përmes ambasadorit të BE-së, Majkël Salin, me të cilin zhvilluam një takim të shkurtër dhe ai më njoftoi se lidhur me këtë incident të rëndë që i ka ndodhur “Faktit” i ka njoftuar të gjithë diplomatët në Shkup. Takime të tilla kam pasur edhe me diplomatë të tjerë, përfshirë edhe përfaqësuesit e PROXIMA-s dhe OSBE-së në Maqedoni.

Prej momentit kur ka ndodhur ky krim i shëmtuar ndaj “Faktit”, më 19 mars 2005, e deri në momentin kur po e shkruaj këtë tekst, 28 mars 2005, askush nga institucionet shtetërore dhe faktorët politikë, shqiptarë e maqedonas, nuk janë marrë me zgjidhjen e këtij problemi. Askush nuk e ka ndërmarrë as edhe hapin më të vogël që ta mbrojë një gazetë të përditshme në gjuhën shqipe nga një psikopat që drejtësinë dhe pushtetin i merr në duart e veta. Është për keqardhje edhe sjellja e shoqërisë shqiptare në përgjithësi, e sidomos kolegëve gazetarë në veçanti, të cilët nuk e panë të udhës ta bëjnë, së paku një telefon, dhe të pyesin se çka po ndodh me “Faktin”. Ra ky mort e u pamë.

Por, “Fakti” prej sot do të jetë sërish në duart e lexuesve. Me një entuziazëm edhe më të shtuar dhe me një motiv më tepër, stafi drejtues dhe gazetarët e “Faktit” kanë vendosur që lexuesve t’ua ofrojnë gazetën e tyre, sepse lexuesit më së paku e meritojnë të jenë pa gazetë. Ne jemi të vetëdijshëm se në çfarë shoqërie po jetojmë, dhe këtë nuk mund ta ndryshojmë brenda natës, por jemi thellë të bindur se kjo gazetë bashkë me një gjeneratë të re shqiptarësh që po vjen do ta kthejë këtë letargji morale në triumf vlerash dhe konkurrencash të shëndosha.

Nuk e dimë si të do të ndihen tash e tutje drejtuesit dhe punëtorët e “Alsatit” në zyrat e konfiskuara të “Faktit”, atje në “Mavrovasja”, në katin 9. Ata do të duhej të dinin se kanë hyrë jo vetëm në zyra të konfiskuara, por edhe në një kontekst shumë të dyshimtë të zënies së frymës së një medie për t’i liruar hapësirë një medie tjetër (Alsat-tit). Sa mjerim, sa tmerr, sa gjynah”. (Botuar më 2 prill 2005)