• Today is: Sunday, November 24, 2024

BLLACA – AKUMULUESI I MEMORIES HISTORIKE TË SHQIPTARËVE

fakti
April02/ 2022

Para 23 viteve, në Bllacë, “në token e askujt”, lotët e të ikurve po shkriheshin bashkë me borën e marsit dhe po krijonin një pellg të madh vuajtjesh. Gjatë ditëve të ftohta të mars/prillit 1999 po vihej në skenë një prej tragjedive më makabre të njerëzimit. Atyre ditëve, njeriu i shkulur kosovar ndodhej në paanësinë e një fushe të mbuluar me krrokama sorrash e vaje fëmijësh dhe brenda një teli me gjemba, të cilin po e ruanin me fanatizëm disa policë të Maqedonisë. Në Bllacë takohej fryma e njeriut me asgjënë prej nga formohej një lëmsh absurdi, që i ngjante një topi të ftohtë bore, teksa rrokullisej në shpinën e kërrusur të të dëbuarve dhunshëm.Për të përkujtuar këtë ngjarje, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore në Shkup kishte iniciuar dhe realizuar ngritjen e një Qendre memoriale të eksodit, e cila do të përmblidhte në mënyrë simbolike të gjitha kalvaret shqiptare ndër shekuj. Është koha që institucionet e Kosovës, parasegjithash, Parlamenti, Qeveria dhe Presidenca, të bëhen pjesë e kësaj fryme që reflekton kjo Qendër, duke e shndërruar atë në një akumulues institucional të memories historike të shqiptarëve. 

Nga Emin AZEMI

Pas bombardimeve të NATO-s, 24 mars 1999, mbi makinerinë vrastare të Millosheviqit, kolona të gjata të ikurish nga Kosova ia mësynë kufirit të Maqedonisë. Në ato ditë tepër dramatike, gazeta FAKTI, bashkë me reporterët e saj në terren, po ndiqte në çdo orë zhvillimet që lidheshin me eksodin, si dhe po transmetonte në botë jehonën e një drame sa heroike që po ndodhte në frontet e luftës guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po aq edhe tragjike, si pasojë e dhunës dhe metodave çnjerëzore të forcave (para)ushtarake e policore serbe, gjatë përzënies së  popullatës së pambrojtur civile.

Lajmet që na vinin nga përtej kufiri, për lexuesit tanë sillnin akte të tmerrshme vuajtjesh njerëzore, rrëfime nën dënesa, të atyre që kishin lënë vatrat ende me prush nëpër shtëpitë e tyre, të atyre që kishin lënë bagëtitë të përtypnin fijet e fundit të sanës dhe mbi të gjitha të atyre që po e braktisnin vendlindjen e tyre të dashur, me gjithë të vrarët e të masakruarit, shumë prej të cilëve mbetën të pavarrosur. Ata po e linin  pas shpine, por jo pas zemre Kosovën e dashur, për të cilën shumë bijë e bija sypatrembur kishin vendosur të luftonin dhe të dëbonin njëherë e përgjithmonë regjimin gjakatar të Beogradit.

Si drejtues i gazetës FAKTI, tani kur rekapituloj kronikën e gjatë të ngjarjeve që lidhen me eksodin e para 20 viteve, që filloi qysh nga marsi i 1999-tës,  në shiritin e kujtesës më kanë ngelur shumë detaje, rrëfime, imazhe e mbi të gjitha shumë fytyra pleqsh të shqetësuar, shumë tronditje grash e fëmijësh të trishtuar dhe shumë të humbur e të hutuar në labirintin e ferrit të Bllacës, aty ku gjatë ditëve të ftohta të mars/prillit 1999 po vihej në skenë një prej tragjedive më makabre të njerëzimit. Atyre ditëve, njeriu i shkulur kosovar ndodhej në paanësinë e një fushe të mbuluar me krrokama sorrash e vaje fëmijësh dhe brenda një teli me gjemba, të cilin po e ruanin me fanatizëm disa policë të Maqedonisë. Në Bllacë takohej fryma e njeriut me asgjënë prej nga formohej një lëmsh absurdi, që i ngjante një topi të ftohtë bore, teksa rrokullisej në shpinën e kërrusur të të dëbuarve dhunshëm.
Ishte fillimprilli i 1999-tës dhe bota si duket ende nuk dinte ç’po ndodhë me popullin shqiptar në fushëgropën e Bllacës, që tashmë ishte shndërruar në luginë të fantazmave. Për këtë ferr, ajo mësoi përmes raportimeve të FAKTI-it, por edhe të reporterëve të huaj,  kur aty u hapën varret e para të foshnjave e pleqve. Në redaksi reporterët e terrenit sillnin, përpos baltës së shtresuar, edhe fotografi të shumta dhe diçiturat ishin të tepërta, sepse aty në fushëgropën e Bllacës gjithçka ishte e qartë. Kjo u bë e qartë edhe për kolegët e CNN-it dhe BBC-së, të cilët të penguar që në Bllacë të hyjnë legalisht, aty depërtuan ilegalisht, nëpër male. Balta e Bllacës atëbotë ishte një material i gatshëm për të bërë konfigurimin e një atmosfere danteske, ku jeta e njeriut kushtonte më lirë se gjithçka.

 

Si shenjë mosharrimi për Holokaustin shqiptar

 

Në këtë 20 vjetor të eksodit kosovar, ky libër vjen edhe si shenjë mosharrimi për Holokaustin shqiptar, që kishte ndodhur para syve të botës së qytetëruar. I konceptuar si kronikë kujtimesh të mia personale, i kombinuar edhe me kontribute të autorëve të tjerë, ky libër paralajmëron edhe idenë që pikërisht në Bllacë të ngritët një Qendër memoriale kushtuar eksodit, i cili do të simbolizonte vuajtjet e dhjetëra mijëra shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, por edhe bujarinë dhe solidaritetin e familjeve shqiptare të Maqedonisë, të cilat përpos që kishin hapur dyert e mikpritjes së ngrohtë, kishin hapur edhe zemrat për të qenë sa më pranë vuajtjeve fizike e shpirtërore të vëllezërve e motrave nga Kosova.
Mikpritja e njerëzve tanë ishte treguesi më i mirë, se ky popull kishte ardhmëri dhe askush, madje as ata që po mbillnin vdekje anë e kënd Kosovës, nuk do të mund të shkulnin nga zemra atdhedashurinë për këtë atdhe të robëruar. Këto ditë do të kujtojmë edhe një ngjarje të hidhur, që nuk ka ndodhur moti, por që me dramaticitetin dhe tragjikën e vet, prekë ndjenjat e çdo njeriu. Tash e njëzet vite, në një pranverë të plagosur, makina vrastare serbe po merrte hov me dëbimin e shqiptarëve nga Kosova. Si hakmarrje ndaj aksioneve të NATO-s (24 mars 1999) që kishin filluar me bombardimin e caqeve luftënxitëse të Millosheviqit, ekspeditat ndëshkuese serbe po zbraznin fshatrat e qytetet kosovare. Alarmi për një llahtari ishte dhënë në gjithë botën. UÇK me forcat e saja të shpërndara anë e kënd Kosovës, nuk mundej t’i përgjigjej të gjitha kërkesave për ndihmë. Shumë fëmijë, pleq e gra, asnjëherë më parë nuk kishin menduar, se një ditë do të duhej të merrnin shpejtë e shpejtë pak gjëra, për të ikur kah sytë këmbët. Çdo vonesë mund t’iu kushtonte me jetë. Zaten, kjo ishte periudha, kur në Kosovë u kryen masakrat dhe shëmtitë më makabre të forcave paramilitare serbe. Vaji i atyre që shihnin nga afër këto tmerre, këputej nga breshëria e automatikëve. Ata që arrinin të shpëtonin, quheshin me fat.

Në Shkup themelohet Qendra Përkujtimore e Eksodit “Bllacë 1999”

Një udhëtim pa itinerar, mars 1999

Kumanova, Tetova, Shkupi, Kërçova, Dibra, Gostivari ishin mbushur e stërmbushur me të ardhur të shumtë nga Kosova. Vëllezërit e motrat nga Kosova, të ikur nga dhuna serbe, në viset shqiptare në Maqedoni kishin gjetur mikpritjen e veçantë. Atyre u janë lehtësuar dhembjet aq shumë, saqë këtë mikpritje dhe humanitet të rrallë nuk do ta harrojnë asnjëherë. Në Tetovë e Shkup patën ardhur qindra intelektualë, studentë, shkollarë, bujq, por edhe të tjerë, të cilët njoftuan për golgotën e tyre të stërmundimshme, gjatë udhëtimit nga Kosova për në Maqedoni. Në mesin e tyre ndodhej edhe shkrimtari i shquar, Ramiz Kelmendi, i cili pat botuar disa shkrime te gazeta FAKTI, në të cilat  përshkruante mallin për Prishtinën dhe fatin e atyre që kishin ngelur ende në Kosovë.

Shtypi raportonte për të ardhur të tjerë nga rajonet e Kaçanikut, ku ditëve të fundit ishin vrarë mbi 40 shqiptarë. Gjendje shumë e rëndë raportohej veçmas në fshatrat Ivajë, Kotlinë, Doganaj, Koxhaj, Duraj, Gabrricë, Stagovë, Gërlicë e Epërme, pastaj Rakaj i Ferizajt, Greme dhe Gaçkë. Nëpër këto vendbanime nuk kishte mbetur njeri. Dëshmitarët okular rrëfenin për shtëpitë e mbetura shkret, të plaçkitura dhe të djegura barbarisht nga terroristët serbë. Ata flitnin, gjithashtu edhe për masakra masive serbe mbi disa rajone të Kosovës. Në fshatin Kotlinë, barbaria serbe më 24 mars kishte masakruar njëzet e dy persona civil shqiptarë. Këta së pari i kishin rrahur me shufra hekuri dhe i kishin gozhduar në kokë, e pastaj të masakruar mizorisht i kishin futur në një bunar të fshatit Kotlinë. Ndërkohë, banorët e këtushëm prej para një muajsh që kishin braktisur vatrat e tyre dhe ishin vendosur përkohësisht në Shkup, Tetovë dhe në vendbanimet tjera të Pollogut e Karadakut, por me shpresë të vazhdueshme, se shumë shpejtë ata do të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Bashkë me të ikurit nga Kosova, ato ditë të vështira, në Maqedoni kishin ardhur edhe disa gazetarë të huaj, të cilët raportonin mbi atë që ndodhte. Disa prej tyre kishin zgjedhur redaksinë e gazetës FAKTI për të raportuar në Berlin, Londër, Paris, Uashington. Ndërsa Tetova, Kumanova e Shkupi ishin bërë epiqendra të këtyre kronikave gazetareske. Shumë prej tyre ishin të interesuar që të shkojnë në Kosovë dhe të raportojnë për aktualitetin tepër tragjik atje.
Si nëpër valët e detit, lumi i madh i njerëzve të ardhur në Tetovë nga Kosova, në Gostivar, Shkup e Kumanovë, Dibër, Strugë, Kërçovë, qarkullon edhe në sytë e tyre hetohej një dhembje shumë e madhe. Të gjithë kishin një dëshirë dhe një qëllim: të ktheheshin sa më parë në atdheun e tyre. Ata ishin përmalluar për gurin dhe drurin e vendlindjes…

Një mobilizim i shtuar në atë prill të vitit1999 kishte trokitur edhe në ndërgjegjen e gazetarëve. Duke ushtruar këtë profesion, atëbotë neve na ra të kontaktojmë qindra njerëz, jo vetëm të ardhur, por edhe vendas. Qëllimi ynë ishte që t’ia tregojmë botës dy anët e realitetit shqiptar: njërën që përshkohej nga tmerri dhe eksodi, ndërsa tjetrën nga mikpritja dhe ngrohtësia vëllazërore. Mikpritja e njerëzve tanë ishte treguesi më i mirë, se ky popull kishte ardhmëri dhe askush, madje as ata që po mbillnin vdekje anë e kënd Kosovës, nuk do të mund të shkulnin nga zemra atdhedashurinë për këtë tokë të robëruar. Gazetaria e atyre ditëve dramatike ishte e mbarsur me barrën e rëndë të përgjegjësisë, sepse nga ne varej, se si dhe sa do të mund të alarmohej bota. Për fatin tonë të mirë, kjo gazetari, atëherë ishte shumë mobile dhe e liruar nga çfarëdo ndikimi politik. Raportimi dhe informimi i drejtë, i shpejtë dhe i paanshëm ishte bërë kodeksi ynë i vetëm i punës profesionale. Në përshkrimet e shumta,  që atëherë i bëhej situatës së të ikurve kosovarë, veçojmë edhe një ngjarje që lidhet me një grup kosovarësh, të cilët gjatë golgotës së ikjes drejtë Shkupit, vdiqën dhjetëra prej tyre, kryesisht fëmijë, gra dhe pleq. Por, ishte një rast emocional, kur njëri prej tyre që mezi shpëtoi nga plumbat vrastarë të serbëve në Kaçanik, në momentin kur del në Maqedoni, rrugës për në Tetovë humb jetën tragjikisht. Ishte ai, Sherif Sylejman Loku, 43-vjeçar, nga fshati Kotlinë, i cili siç e përshkruajnë bashkëudhëtarët e tij, kishte shumë dashuri për Sharrin, për Kotlinën, për Kosovën. Ai shumë e donte UÇK-në, Kosovën. Kishte ikur me shpejtësi nga Kotlina për t’i strehuar familjen dhe fëmijët në Tetovë. Por, fatkeqësisht humbi jetën tragjikisht në rrugë për në Tetovë, bashkë me Habil Xhaferin nga Reçica dhe Safet Lumën nga Glloboçica, me vendbanim në Tetovë. Mbeti e parealizuar dëshira e Sherifit për t’u kthyer dhe për t’iu bashkangjitur luftëtarëve të lirisë. Por, ëndrra e tij e madhe do të realizohej shpejtë. Fëmijët e Sherifit, Emirjeta, Sylejmani, Imriu dhe Sahadetja do ta gëzojnë lirinë e Kosovës. Tash, pas 20 viteve, kujtojmë ata që falën ngrohtësi në një stinë të akullt. Dielli i lirisë kishte shkrirë akujt e robërisë, kurse mikpritja e vëllezërve dhe motrave këtu, u bë ylber mbi qiellin e kthjellët të atdheut.

KUJTIME NGA LUFTA (2): Jeta në shtetrrethim-1999, Prishtina mbushet me refugjatë të luftës...Treni famëkeq, bashkë me tymin edhe vajin e të ikurve, zbrazte në Bllacë mllefin për atë që po iu ndodhte atyre

 

Institucionalizimi i memories

 

Para plot 23 viteve, në kufirin që ndante dy shtetet, aty diku në fushëgropën e Bllacës, treni i zi që nxirrte bashkë me tymin edhe vajin e të ikurve, zbrazte në Bllacë mllefin për atë që po iu ndodhte atyre. Një kalvar biblik po ngjizej në shiritin e ngjarjeve, për të shënuar një nga tragjeditë më makabre të zhvendosjes së popujve. Një zhvendosje e tillë kishte ndodhur vetëm me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe tani në fund të shekullit njëzetë – strategët e rinj millosheviqian të Holokaustit po e provonin mbi fatin e shqiptarëve saçin e nxehtë të trysnisë së ikjes dhe zhbërjes nga toka e të parëve.
Para 23 viteve, në Bllacë, “në token e askujt”, lotët e të ikurve po shkriheshin bashkë me borën e marsit dhe po krijonin një pellg të madh vuajtjesh. Për të përkujtuar këtë ngjarje, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore në Shkup kishte iniciuar dhe realizuar ngritjen e një Qendre memoriale të eksodit, e cila do të përmblidhte në mënyrë simbolike të gjitha kalvaret shqiptare ndër shekuj. Skender Asani, drejtor i këtij Instituti është i bindur se vetëm duke riformatuar kujtesën nga e kaluara, mund të projektohet e ardhmja dhe kjo bëhet më së miri kur memoria e njerëzve arkivohet dhe merr formë muzeale.

Shqiptarët kanë shumë arsye të mos e harrojnë të kaluarën, por jo me kusht që ajo ta pengojë të ardhmen. Përkundrazi, edhe kjo Qendër memoriale do të jetë në funksion të rifreskimit të kujtesës për ato ngjarje që shënuan kthesë në historinë më të re. Sepse, çdo vuajtje ka çmim, dhe çmimi më i lartë për popullin e Kosovës është pavarësia e shtetit dhe liria e fituar.
Vuajtjet e të ikurve para 23 viteve, që si pikënisje patën fushëgropën e Bllacës, nuk do ta kishin edhe një dimensionin tjetër njerëzor, sikur të mos ishte edhe solidariteti i shqiptarëve këndej kufirit, duke filluar nga Shkupi e Kumanova e deri në Strugë. Vetëm atëherë kur tragjedia pjesëtohet në grimca të vogla, bëhet më e lehtë për t’u bartur. Shqiptarët edhe kësaj radhe u bënë bashkë që ta thërrmojnë këtë tragjedi dhe ia dolën të mahnitin madje edhe opinionin ndërkombëtar. Raportet e mediave të huaja nga Shkupi regjistronin një reagim gjithëpërfshirës popullor, kurse vuajtja dhe mikpritja u ulën këmbëkryq në odat e zemërgjerësisë shqiptare. Qendra memoriale e eksodit që do të ngrihet në Bllacë, tashmë është formalizuar si projekt-ide dhe ajo iu është dorëzuar qeverive në Shkup e Prishtinë. Është kjo faza përgatitore që do të finalizonte gjithçka që lidhet me këtë projekt, kurse vizitorët e shumtë do të kenë rastin që brenda një periudhe jo të gjatë, të shohin nga afër reliktet e një eksodi, duke filluar nga treni e deri te gjësendet e zakonshme, që ndodhi për të rikthyer edhe më furishëm procesin e shtetndërtimit të Kosovës.
Kjo Qendër, gjithsesi do të jetë sublimim i të gjithë kalvareve biblike që iu ndodhën shqiptarëve ndër shekuj, pa harruar dëbimet e dimrit që ndodhën në fshatrat shqiptare të Prokuplës, Nishit, Kurshumlisë, pastaj shkuljen barbare të çamëve, si dhe shpërnguljet sistematike të shqiptarëve të këtyre trevave në shkretëtirat e Anadollit, për të mbërri te migrimi aktual që po merr përmasat e një përbindëshi social.
Por, nëse në të kaluarën shqiptarët kishin një të metë kolosale që nuk arritën të arkivojnë kujtesën e tyre, tash kjo është tejkaluar me idenë që tashmë është bërë projekt i iniciuar nga Instituti Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, në krye me dr. Skender Asanin dhe mbështetur nga të dy qeveritë – në Shkup dhe Prishtinë.

Rëndësia e Qendrës përkujtimore “Bllaca ‘99”

Më 10 prill 2021 (e shtunë) në Qendrën përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit u inaugurua “Muri i Kujtesës” dhe parku “Hasan Prishtina”.
Kjo ngjarje përkonte me 22 vjetorin e dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave pushtuese serbe në muajt mars, prill të vitit 1999 si dhe me 100 vjetorin e Hasan Prishtinës-kryeministër i Shqipërisë.

Muri i Kujtesës, nga vet emri na tregon se  është ngritur për të shënuar në shiritin e kujtesës  ngjarjet dramatike që kishin ndodhur në mars të 1999-tës, menjëherë pas bombardimit të forcave serbe nga ana e NATO-s. me ç’rast makineria pushtuese serbe kishte dëbuar mbi 400 mijë shqiptarë të Kosovës në drejtim të Maqedonisë, në shenjë të hakmarrjes ndaj bombardimeve.

Lajtmotiv i Murit të Kujtesës është një mural në formë mozaiku, ku në fokus ndodhet një grua, që ndodhej në krye të një kolone të dëbuarish, e cila mori vëemndjen e mediave botërore sepse ajo po simbolizonte aktin e sakrificës dhe të flijimit teksa po ecte e rraskapitur dhe po i jepte gji foshnjës së saj disamuajshme.

Gruaja në mural quhet Sherife Luta, kurse foshja e cila tani është një vajzë 22 vjeçare quhet Besianë.
Në golgotën e Bllacës ato ditë të ftohta dimri ka pasur shumë fotoreporterë dhe kameramanë nga e gjithë bota, por ata gjurmonin rastet më të specifike. Aty ishin edhe gazetarët e FAKTI-t. Një prej atyre rasteve, që u bë edhe foto-lajm botëror ishte kjo grua me foshnjen në gji.
Sherife Luta, gruaja simbol e eksodit të Kosovës

Në rrëfimet e mëpastajme për mediat Sherifja ka treguar se në momentin kur është fotografuar, i kishte 20 vjet.

Ditën e 8 marsit 1999, ajo u detyrua të largohet nga shtëpia me foshnjën dhe babanë e saj për t’i shpëtuar granatimeve të serbëve në fshatin Ivajë në Kaçanik. Bashkëshorti Mirvat Luta iu kishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare Kosovës. Ai familjen e tij e kishte takuar pas gjashtë muajsh në Tetovë.

Drama e kësaj gruaje kishte pasur një shtrirje kohore afro një muaj, për aq sa kanë zgjatur edhe vuajtjet e udhëtimit në këmbë bashkë me qindra të dëbuar të tjerë, të cilët ishin të detyruar të bënin udhë të vështirë nëpër male e kodra, për t’iu ikur pritave të serbëve, të cilët e kontrollin sidomos zonën kufitare me Maqedoninë. Ky udhëtim biblik kishte qenë i pakrahasueshëm me vuajtjet e mëhershme, për arsye se popullata civile po ballafaqohej me një gjendje krejt të re dhe me plot rreziqe, deri në datën 3/4 prill, kur u shkrep dhe fotografia nga fotoreporteri boshnjak Damir Sagolj, që hyri në histori dhe bëri xhiron e botës.
Simboli i eksodit, zonja Sherife Luta dhe vajza e saj Besa, 1999-2019 (Video) – Epoka e Re
Sherife Luta ishte bërë personazh medatik global dhe ajo nuk e dinte se fotografia e saj kishte sensibilizuar botën me solidarizimin që u tregua ndaj të dëbuarve, të cilët u pritën dhe u sistemuan në disa shtete dhe në disa kontinente.

Muri i Kujtesës që inaugurohet të shtunën (10 prill) shpreh në mënyrën më besnike përkushtimin ndaj vuajtjeve të njerëzve tanë që padrejtësisht u zhvendosen nga vatrat e tyre. Kjo është dokumentuar edhe me dhjetra deklarata të burrshetasve të kohës, fjalët e të cilëve janë të gdhendura në këtë mur dhe ato manifestojnë jo vetëm kujdesin njerëzor e human, por edhe qëndrimin e botës së civilizuar kundrejt barbarisë serbe.

Ky monument kujtese po ngrihet mu në vendin ku para 22 viteve njeriu i shkulur kosovar ndodhej në paanësinë e një fushe të mbuluar me krrokama sorrash e vaje fëmijësh që u mungonte qumshti dhe ngrohtësia e një rrobe të terur. Në Bllacë ato ditë të ftohta marsi, 1999, takohej fryma e njeriut me asgjënë prej nga formohej një lëmsh absurdi, që i ngjasonte një topthi të akullt bore, teksa rrokullisej në shpinën e e kërrusur të të dëbuarve dhunshëm. Në shpinën e atyre që kishin mbartur pasojat e dhunës barbare serbe dhe tani në Bllacë po i drejtoheshin stacionit të radhës për t’u degdisur në drejtime të ndryshme, ku kujdesi vëllazërot e njerëzor po i pritte krahë hapur.
Ishte fillimprilli i 1999-tës dhe bota ende nuk po e kuptonte arsyen pse mu në në zemër të Evropës po ndodhte një gjenocid i paparë kundër një populli të pafajshëm. Por nuk vonoi dhe kjo u mor vesh, në saje edhe të fotografisë së Sherife Lutës, e cila atëherë ishte lajm, kurse sot është bërë histori vuajtjesh e gdhendur në mur.

Murali i Bllacës është modeli më i duhur institucional prej ku duhet të fillojë qasja e drejtë ndaj vuajtjeve kolektive të shqiptarëve, duke e zëvendësuar tabllon e triumfalizmit të luftëtarëve që pas luftës u bënë komandantë zhvatës, me tabllon e shqiptarëve si viktimë kolektive për çka edhe intervenoi bashkësia ndërkombëtare. Po ta dinte NATO se pas luftës në Kosovë shumë politikanë do të vishen  deri në ekstrem me atributet abuzive të luftës heroike për të zhvatur të mirat që t’i jep pushteti i stërgjatur, sigurisht që do të mendonte dhe do të hezitonte para se të vendoste për të bombarduar Serbinë.
Por, ndodhi ajo që ndodhi dhe në Bllacë tash e tutje historia shkruhet ndryshe, jo me fjalamaninë boshe të rrahagjoksëve, por me mençurinë largapamëse për një rreshtim civilizues të shqiptarëve.
Tash është koha që institucionet e Kosovës, parasegjithash, Qeveria dhe Presidenca, të bëhen pjesë e kësaj fryme që reflekton kjo Qendër, duke e shndërruar atë në një akumulues institucional të memories historike të shqiptarëve.

 

ITSHKSH fton shqiptarët e Maqedonisë në përurimin e Muzeut të Gjenocidit Serb në Bllacë - Telegrafi