(Shkrimtari i famshëm kroat Mirosllav Kërlezha mbi librin e Dimitrije Tucoviçit për Shqipërinë)
Shtypi i Beogradit, si pandan i karabushëve vjenezë, opinioni publik radikal, kabinetet e Beogradit para luftës dhe zotërinj ministrat e punëve të jashtme i konsideronin (gjithashtu) shqiptarët rajë të paemër, që banon në vend të paemër, pa histori, pa letërsi dhe gjuhë letrare, pa tradita, pa poezi, pa të gjitha ato atributet, pra, që njeriun dhe fisin e bëjnë fis njerëzor.
Nga Mirosllav Kërlezha
Sot, njëmbëdhjetë vjet pasi është shkruar, libri i Dimitrie Tucoviçit për Shqipërinë nuk ka humbur asnjë germë nga aktualiteti i vet. Të njëjtin qëndrim negativ, të cilin Ballhausplatzi dhe zotërinjtë Aehrenthal dhe Berchtold kishin ndaj të tërë problemit jugosllav, të njëjtin qëndrim kishte Beogradi radikal, politik ndaj çështjes shqiptare, si para dhjetë e para dymbëdhjetë vjetëve, si edhe sot e kësaj dite. Ky është qëndrim mendjelehtë mesjetar i salloneve rrethuara me ar të Luigjit XV dhe cermonialit spanjoll, ky është qëndrimi Divide et impera, ther e skllavëro, ndaj e sundo, ky është parimi katastrofal i politikës së pakokë dhe të verbër që logjikisht gjithmonë përfundon me disfatën dhe shpartallimin e atyre që therin, ndajnë dhe sundojnë.
Njerëzit nga Ballhausplatz-i e cytën kundër çështjes jugosllave grumbullin e qenve të tërbuar dhe lehes dhe të gjithë ata Lepoldë Mandelët, Naumann-ët, Friedjung-ët dhe baronët Nopcsa, Prohaska dhe «Pester Lloyd»-ët, «Az Est»-i dhe «Neue Freie Presse» lehnin të tërbuar dhe gjakatarë, se si këto fise të egra sllave të Ballkanit ende po lëronin me parmenda të drunjta, se si ishin të helmuara nga sifilisi, se si të vetmet «makina» në këtë vend, sikurse është ky yni, ishin «shkrepësat», se si organizatat ekzistuese popullore shtetërore ishin gjithnjë të rrezikshme për paqen dhe qytetërimin evropian, se si kombet e atilla, që lindin si kombi ynë, pikërisht në interesin e këtij qytetërimi dhe të paqes evropiane, duhet të pushtohen dhe të pacifikohen.Kurse shtypi i Beogradit, si pandan i karabushëve vjenezë, opinioni publik radikal, kabinetet e Beogradit para luftës dhe zotërinj ministrat e punëve të jashtme i konsideronin (gjithashtu) shqiptarët rajë të paemër, që banon në vend të paemër, pa histori, pa letërsi dhe gjuhë letrare, pa tradita, pa poezi, pa të gjitha ato atributet, pra, që njeriun dhe fisin e bëjnë fis njerëzor.
Qysh para disa vitesh udhëtarët në Shqipëri paskan parë njerëz me bisht, «me bisht të kalit ose të dhisë», dhe këta bastardhë të Tribalëve dhe Skordiskëve antikë, këta Gegë dhe këta Toskë, këta melezë të tipave të ndryshëm antropologjikë, kjo bandë e përçarë në pesëdhjetë dialekte plotësisht të pakuptueshme, bërtet dhe theret ndër vete në anarki skëterrëse. Në këta shkrepa të egjër, të zez dhe të pashkelshëm, shtatëdhjetë për qind të burrave vdesin nga hakmarrja, kurse vdekja prej sëmundjes në shtrat është turp. Këta të egjër gjakpirës, këta lëkurëkuq evropianë, intolerantë fetarë deri në ekstrem, te të cilët fjala cub dhe bandit është sinonim për kalorës, këto bisha të egra me fytyrë njeriu, ditëve të festave gostiten me miell misri të zier, nuk dinë çka është kripa, kurse për sheqerin mendojnë se është borë. Banojnë nëpër shpella si njerëzit e Neandertalit, jetojnë nëpër kulla të gurit pa dyer, pa dritare dhe pa oxhakë; flenë në dritën e pishës, të veshur, me pushkë në dorë, kurse para kasolles kafka e kalit e ngulur në hu është trofe lufte.Për zotin besojnë se u ka dhënë pushkët që të vriten midis tyre, kurse ka vise në veri, në të cilat perëndive të vjetra ende u shugurohen njerëz të gjallë. Shqiptarët e pinë gjakun e nxehtë të viktimave të veta të therura, i presin hardhitë, i rrënojnë kullat, zhduken me pasion ndër vete, duke vrarë gratë nga lakmia, kurse kuptimi i dashurisë nuk ekziston tek ata dhe fjala dashuri nuk gjendet në gjuhën e tyre. Nuset blihen e shiten për pajë prej disa lugësh, nevojtore nuk ka në këtë vend, të gjithë janë të ndytë e me morra, dhe këta vjedhës të kuajve, tradhtarë, banditë, rrenacakë e tipa të poshtër, që i lëshojnë sytë për toke si qentë para njeriut, jetojnë në retë e tymit, tifos, malarjes, lisë, dizenterisë dhe sëmundjeve venerike, këta janë gjakatarët dhe vrasësit qindavjeçarë të elementit serb në viset jugore. Kjo masë e zjarrtë, e tërbuar, anarkike, e ngjashme me kafshët, dridhet si lava në luginat e buta të viseve jugore dhe atje vret e pret, djeg dhe shkatërron vendbanimet tona të qeta e të qytetëruara me qindra e qindra vjet. Kjo llavë e bastardhëve shqiptarë, që jeton në provincat që në Mesjetë i takonin perandorisë Serbe (e drejta historike, analoge me të drejtën historike hungareze për Dalmacinë, Bosnjën dhe Kroacinë), derdhet si lumë «vërshues» në viset e buta dhe të qytetëruara, dhe këtë lumë «vërshues» duhet kthyer në shtratin e tij të natyrshëm në malet e zeza dhe të pashkelshme.
Kështu shkruanin për shqiptarët akademikët e paraluftës me orientime liberalodinastike ose revolucionarorepublikane, ministrat e majtë e të djathtë reaksionarë ose nacionalë revolucionarë, politikanët dhe i tërë shtypi i kabineteve të shumëllojshme dhe të panumërta, dhe kështu zhvillohej me vetëdije propaganda mbi politikën kolonialiste, e kur ushtria ngadhënjimtare zbriti nëpër shkrepat shqiptare deri në Durrës, deri në Lezhë dhe deri në Shëngjin, opinioni publik prej graniti, i krijuar nga propaganda kolonialiste i përshëndeti sukseset ushtarake në disponim ngadhënjimtar. Çështja ishte shumë e thjeshtë.Dy vilajete turke, ai i Shkodrës dhe ai i Janinës, u pushtuan me fuqinë e armëve, kurse okupacioni i një regjioni, në të cilin nuk kishte asgjë pos katërqind fjalëve kelte, dukej logjik dhe i natyrshëm.
Në këtë kohë kaotike, kur gati i tërë opinioni i Beogradit kërkonte që të pushtohej Shqipëria, Dimitrie Tucoviçi parashtroi antitezat e veta të pathyeshme. Libri i tij, në atë kohë kur u shkrua, ishte një akt i guximshëm dhe i denjë për respekt. Ai, para së gjithash, tregoi me gisht faktin themelor të migrimeve në Gadishullin Ballkanik, duke theksuar se shkakun e këtyre dyndjeve shekullore duhet kërkuar, para së gjithash, në format themelore të sistemit çifligaro-feudal në të tërë territorin e perandorisë osmane. Sikurse kurdët myslimanë që i thernin armenët e krishterë në Azinë e Vogël, ashtu edhe myslimanët shqiptarë e thernin rajën e krishterë katolike e ortodokse në Ballkan. Fiset, racat, origjinat, besimet, gjuhët e dialektet aq shumë janë amalgamuar në këto lugina, saqë është e pamundur të tërhiqet kufiri i gjendjes së sotme etnografike, e po të rikonstruktohej me mitraloza e varje në bazë të dofarë gjendjesh fiktive të para shumë qindra vjetëve do të ishte krim ose marrëzi.
Dimitrie Tucoviçi sqaroi se gjendja anarkike, në të cilën jetojnë fiset shqiptare të veriut, rrjedh, para së gjithash, nga fakti se këto vise të izoluara në malet e larta kanë ngelur disa shekuj prapa shekujve, jo nga e ashtuquajtura paaftësi raciale, por shkurt për shkak të rrethanave në të cilat jetojnë. Duke jetuar në një krahinë të papjellshme malore sipas parimit të fiseve, shqiptarët asgjësohen për arsyen e thjeshtë, sepse fiset shthen brez pas brezi, kurse prona e tokës mbetet gjithnjë e njëjtë dhe e pandryshuar. Kjo therje pra edhe tek ata është i vetmi rregullativ: meqenëse nga jugu në i pjellshëm dhe bregdeti janë dëbuar nga sistemi feudal çifligar turk dhe brezi i fortë, i pashpërthyeshëm i garnizoneve osmane.Dhitarët dhe Bujqit më primitivë nuk mund të depërtojnë deri në bregdetin e dobishëm dhe kështu, plaçkitja, rrëmbimi i bagtisë, zënia e udhëtarëve, është pasojë e qartë e jetës së vështirë. Të rrjepur nga fajdexhinjtë e viseve më të pasura detaro-feudale duke u asgjësuar nga hakmarrja, këta të mjerë vuajnë përherë dhe pa ndërprerje nga uria, dimrit ushqehen me tallat e misrit ose lëvoret e ahut, e kur të vijë pranvera me lulebore e bar. Kurrfarë inferioriteti racial nuk është shkaktar i kësaj gjendjeje të trishtueshme, sepse shqiptarët, kur në brezin e parë janë larguar nga baza e tyre fisnore, si të shpërngulur në rrethina më të qytetëruara, po i përshtaten shkallës më të lartë të jetës mekanikisht dhe pa ndryshim nga popujt fqinjë. Por, megjithatë, veriu i egër shqiptar nuk lejoi të pushtohet kurrë dhe gjithnjë ruante njëfarë pavarësie nga rendi ushtarak dhe administrativ turk, kështu që edhe kërkesat e Lidhjes së Pavarur (mendohet oër Lidhjen Shqiptare të Prizrenit — shënim i përkth.), në vitin njëmijë e tetëqind e shtatëdhjetë e tetë dhe tetëdhjetë e një, janë dokumente të bukura te vetëdijes dhe të krenarisë liridashëse shqiptare.
Përpos kësaj, në bazë të analizave të dokumentuara, Tucoviçi theksoi se Veriu dhe Jugu ndryshojnë ekonomikisht, se jugu çifligar dhe bregdeti janë shumë më të zhvilluar dhe më të qytetëruar, se shtresat e nëpunësve shqiptarë, pastaj pasuria shqiptare, shtypi shqiptar, publicistika, fillet e partive politike po fillojnë t’i tregojnë të gjitha konturat e lëvizjes kombëtare moderne.Përkundër tezave të Tucoviçit, të harruara nëpër vitrinat e pluhuruara të librarive të Beogradit, çarshia e Beogradit ishte e bindur se me këtë sulm të papritur shqiptar e ka shkaktuar fait accoplinë napoleoniste, kurse zotërinj kontët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Vjenës në Ballhausplatz, kundër kësaj lëvizje napoleoniste të shahut tërhoqën kundërlëvizjen e tyre francjozefiste, dhe Lartmadhëria e Tij Princ Wilhelm von Wied und Neuwied me samur-kallpakun e mbretit shqiptar hipi në anije në Trieshtë dhe kështu Madhëria e Tij Wilhelmi i Parë, si Mbreti i Parë i Shqipërisë, u nis prej Trieshtës në një operetë ballkanike, jo tepër spirituoze, sikurse, zaten, janë të gjitha këto opereta ballkanike të Vjenës.