• Today is: Sunday, November 24, 2024

VITI 1981, FURTUNA QË SOLLI PRANVERËN

fakti
March11/ 2022

Furtuna e Kosovës, ndonëse u shfaq herët në qiellin e vrenjtur të Jugosllavisë së atëhershme, megjithatë lëkundi status-quon e krijuar në vitet shtatëdhjetë, sidomos pas kushtetutës së v. 1974. Për të mos rënë në kurthën e paqes së rreme, viti 1981 përgatiti një epokë të re jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin, duke i dhënë ritmit të kohës kërkesa të reja për ndryshim

Nga Emin AZEMI

Nëse i referohemi shtypit të kohës, demonstratat e vitit 1981 në Kosovë nuk erdhën vetvetiu, por ato paten një parahistori dhe një zhvillim pararendës të ngjarjeve dhe proceseve. Që nga lëvizja e Adem Demaçit për bashkim, si dhe platforma nacionale e Metush Krasniqit, e deri në ditët që inicuan rezestencën e armatosur, trajektorja e aksionit politik shqiptar kishte shënuar rritje dhe përmasa mobilizuese. Viti 1981 mund të thuhet se ishte hallka që lidhte këtë trajtektore.

Atmosfera shpirtërore, kulturore e politike e shqiptarëve në prag të vitit 1981 kishte disa shenja që paralajmëronin xixa në shpresat e atdhetarëve shqiptarë.

Në vitin 1978 gjithkund ku flitej shqip kremtohej 100 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ishte ky vit që të përkujtonte zgjimin kombëtar që kishte ndodhur një shekull më par, por shumë aktual për nga porosia dhe vizioni edhe pas një shekulli. Po në këtë viti, sipas të dhënave që arritëm t’i sigurojmë në vitet që pasuan, studentët shqiptarë si në Kosovë, ashtu edhe në Zagreb, Lubjanë, Sarajevë, Beograd, Shkup kishin pyetur vesh më vesh: Kur do t’ia fillojme kryengritjes kunder pushtuesit sllav si në kohen e Turqisë ?

«Josip Broz Tito ka vdekur më shumë se një vit, por “bashkim-vëllazërimi” jugosllav i ushqyer prej tij tani më ka zhvilluar çarje në një krah të ndieshëm të saj, krahinën serbe me shumicë shqiptare, Kosovën», shkruante, më 19 prill 1981, gazetari i famshëm amerikan Dejvid Bajnder, në gazetën “New York Times”. Teksti i tij titullohej : “Një furtunë kaloi, por tjerat janë duke u mbledhur në Jugosllavi”.

Furtuna e Kosovës, ndonëse u shfaq herët në qiellin e vrenjtur të Jugosllavisë së atëhershme, megjithatë lëkundi status-quon e krijuar në vitet shtatëdhjetë, sidomos pas kushtetutës së v. 1974. Për të mos rënë në kurthën e paqes së rreme, viti 1981 përgatiti një epokë të re jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin, duke i dhënë ritmit të kohës kërkesa të reja për ndryshim. Klima pak më e favorshme politike e krijuar pas kushtetutës së 1974-tës, megjithatë nuk garantonte ndonjë perspektivë afatgjate dhe të plotë për identitetin dhe sovranitetin e cunguar të Kosovës. Madje kjo Kushtetutë nuk ishte krejt në frymën e ndryshimeve demokratike që kishin ndodhur në Europë pas ngjarjeve të bujshme të vitit 1968.

Në fjalimin e prof. Ukshin Hotit mbajtur në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, më 19 nëntor 1981, do të vërejmë se Kushtetuta e v. 1974 ishte rezultat i demokratizimit të metejshëm te jetës politike dhe shoqërore, por , sipas prof. Hotit, gjithsesi nuk mund të thuhet se kjo ishte e lidhur me ndryshimet dhe aprovimet e kushtetutave demokratike të vendeve të tjera.

Me fjalë të tjera, ndryshimi i raporeve politike që ishin në favor të një demokratizimi më të avancuar në Jugosllavinë e atëhershme, gjetën terren të kufizuar në Kosovë, me liri të pamjaftueshme shprehjeje dhe me një hendek të pakalueshëm midis aspiratave shteformuese të kosovarëve dhe politikës rigjide të Beogradit, sidomos qarqeve nacional-shoveniste serbe.

Viti 1981 figurativisht është quajtur edhe “pranvera e Kosovës”. Studentët dhe rinia përparimtare e asaj kohe pakënaqësitë e veta sociale shumë shpejt i mbindërtoi në afinitete politike. Menza e studentëve ishte bërë epiqendra e kësaj drame të madhe, për t’u zgjeruar pastaj në një preokupim gjithëkombëtar. Në Universitetin e Kosovës, atë botë studionin të rinjë nga të gjitha viset shqipfolëse. Pati shumë të tillë edhe nga Maqedonia. Këta të fundit u bënë në një fare mënyre kasnecët e pare të kësaj pranvere edhe në vendlindjet e tyre. Organet e ndjekjes po survejonin me vëmendje këto lëvizje dhe po evidentonin efektet e ngjarjeve të Kosovës në hapësirën e Maqedonisë. Filloi mobilizimi politik. Goditjet e para i përjetoi arsimi shqip në Kumanovë, Kërçovë, Strugë, Gostivar e gjetiu. Inkriminimi policor e juridik i dhjetëra arsimtarëve, për pasojë pati burgosjet, largimin nga puna, por edhe arratisjen nga vendi. Në Kërçovë, Kumanovë, Tetovë filloi të gatuhej një bukë e re, që do të ushqente më vonë gjeneratat të tëra me ideale liridashëse, për të kurorëzuar një vepër kapitale për intersat e shqiptarëve dhe të demokratizimit të përgjithshëm të shoqërisë, siç ishte fillimisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës e më pas Ushtria Çlirimtare Kombëtare.

Ngjarjet e mëdha të një kombi bëhen të pavdekshme vetëm atëherë kur sendërtohen idetë dhe synimet e atyre që flijohen për ato ngjarje. Nëse 81-shi i para 35 vjetëve ishte pranvera e një epoke që do të sillte ndryshime, rezistenca politike-ushtarake e viteve që pasuan ishte fryti i pjekur i një stine të mbarsur me dijen dhe përvojën e gjeneratave parendëse të atdhetarëve dhe me guximin dhe vendosmërinë e gjeneratave të mëvonshme.

Në planin politik, viti 1981 do të ndikojë në kanalizimin e energjive krijuese të njerëzve, duke i dhënë emancipimit shoqëror një kualitet të ri mendimi, por edhe një barometër që do të maste kapacitetet vepruese në terren. Kalitja e një gjenerate të re veprimtarësh që u sprovua në ditët e vështira të ilegalietit, ishte e pamundur të vine sikur të mos ndodhte 81-shi. Ndonëse shumë veta këtë shkollë të jetës e pagoi edhe me dhjetëra vjetë burgim dhe izolim, megjithatë, logjika e kohës solli atë që në dialektikë quhet rrjedhoja e shkak pasojave.

Lindja e shtetit të pavarur të Kosovës është pasoja direkte e kësaj shkolle politike. Për një popull asnjëherë nuk mjaftojnë ditët për të përkujtuar historinë e lavdishme të shteformimit, por në historinë më të re të Kosovës do të mjaftonte të shumohen të gjitha ngjarjet e mëdha me vitin 1981, për të ardhur deri te ekuacioni brilant që nxjerr në pah bilancin e përpjekjeve titanike për të pasur lirinë e të jetuarit në shtet tëndin.

Për të përkujtuar denjësisht vitin 1981, nevojitet një përkushtim shumë i madh i gjithë neve në drejtim të rinjohjes me të kaluarën tonë të afërt, por edhe të përfshirjes së potencialeve krijuese e njerëzore edhe të viseve jashtë Kosovës në këtë jubile të rëndësishëm të historisë sonë më të re. Ashtu siç ndodhi në një të kaluar më të hershme kur atdhetarë e veprimtarë të shquar nga Tetova, Kumanova, Gostivari, Struga, Kërçova, Shkupi, Dibra etj. ndihmuan ngjarjet e bujshme të historisë, ngjashëm ndodhi edhe me vitin e lavdishëm 1981, në të cilin shumë djemë e vajza nga këto treva dhanë kontributin e tyre të pazëvendësueshëm. Para idealeve të këtyre njerëzve ne sot duhet të përkulemi, sepse sakrifica e tyre ishte më e forte se makineria mashtruese dhe vrastare e pushtetit të atëhershëm.