“Gratë në kulturë” u vlerësua si evenimenti më origjinal dhe më i bukur derimë tani që ka ndodhur për 8 mars dhe kjo më bën padyshim të ndjehem e lumtur duke falemnderuar nga zemra secilën nga gratë e suksesshme që i janë bashkangjitur kësaj ideje dhe projekti!
Rrugëtimi vazhdon…. “Gratë në kulturë”, që do të mbahet në Kërçovën tone, e premte, 11. 03.2022, ora 19:00, në Pallatin e Kulturës.
Nga Besiana MEHMETI
Kishte vite që më sillej në kokë ideja e realizimit të një aktiviteti me zonjat e skenës për një arsye: gratë mbështeten shumë pak brenda llojit në rrugën evështirë të sukseseve dhe arritjeve të tyre dhe për të shërbyer si “model” për të rejat tjera! Rëndom ndodhë që të bashkohen për protestë ku viktimizohen si të pabarabarta, të përjashtuara nga çdo proces i jetës shoqërore e publike! Lincolni thoshte “tek gratë gjithçka është ndjenjë, madje dhe koka” ose në shtëpi kemi dëgjuar të flasim “liria nis nga babai, për ta kërkuar në shoqëri, punë, tek bashkëshorti”.
Në fakt a duhet gratë artiste të prirura të punojnë me kokë dhe ato që kanë liri të pakufishme nga babai, bashkëshorti por të menaxhuar në mënyrë perfekte nga vetja të bëhen bashkë?
Paragjykimet për gratë artiste kanë ekzistuar në Evropë dhe si pasojë u paraqitën këngëtarët kastrat të cilët deri në shek. XVII zëvendësuan femrën ( soprano e alt) në jetën publike! Nëse kjo ka ndodhur në Evropë në Ballkan vazhdon edhe sot plot katër shekuj pas paragjykimi! Megjithatë gratë kanë qenë pjesë e çdo procesi! Parashqevi Qiriazi- ndër themelueset e shkollës së parë në Korcë më 1887, në Shkup Nënë Tereza e cila këndoi këngën e parë të Lorenc Antonit “Në breg të liqenit” më 1918 dhe pjesë e shoqërisë së parë kulturore “Zani i maleve”, në Shqipëri Marije Kraja e cila më 1934 diplomoi në Grac të Austrisë për të kontribuar si primadona opere, pedagoge, Tefta Tashko Koço e diplomuar në Paris më 1930 e cila kultivoi këngën popullore profesionale dhe shumë kryerole në opera, Jorgjia Truja e diplomuar më 1932 në Romë, pastaj kompozitorja e parë Dhora Leka e pianistja e parë Lola Gjoka të diplomuara në Moskë që në vitet 30- ta dhanë kontribut të jashtēzakonshëm! Në Kosovë paraqitet Nexhmije Pagarusha e cila edhe sot mbetet fenomen i rrallë në muzikën shqipe!
Në Maqedoni në kohën kur gruaja ishte e mbyllur me ferexhe, guxojnë Hanife Sejfulla Reçani nga Gostivari e Violeta Turkeshi nga Dibra që të dalin në skenën muzikore gjatë viteve 70- të duke thyer shumë tabu e paragjykime!
Realizimi i manifestimit “Gratë në kulturë” në Universitetin e Tetovës dhe mbështetja nga prorektori z.Vullnet Ameti i dha nivel institucional e akademik evenimentit duke çmuar lartë rolin e gruas në art. Si vajzë nga Kërçova e shkolluar në Tiranë e Prishtinë që kam përjetuar okupimin dhe përndjekjen e prindit, trazirat e 97- tës në Tiranë, luftën e vitit 1999, bombardimet e NATOs, pasluftën në Kosovë, tranzicionin e demokracisë në Tiranë, nga viti 2006 me iniciativë nga prorektori z.Ismail Ahmeti fillova rrugëtimin pedagogjik në Tetovë dhe tash 17 vite jam e lumtur që i takoj tempullit tonë të shenjtë, pavarësisht që lash Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë ku më ishin hapur dyert dhe pritej një soliste në shkëlqim e sipër- si mexosoprano që rrallë ka në meset ballkanike e evropiane.
Fjala ime hyrëse i parapriu dje fjalëve të përzgjedhura nga rektori z.Reshat Qaili i cili me konsiderata të veçanta kujtoi babanë tim Qaniun si simbol i një babai që ka investuar në ngritjen jo të lehtë të një artisteje, pastaj sekretari shtetëror Valmir Aziri në cilēsinë e përfaqësuesit të institucionit që ka mbështetur projektin mbajti një fjalim brilant duke vlerësuar panelistet, rolin e Shqipërisë dhe Kosovës në ngritjen e femrës në Maqedoninē e Veriut dhe rëndësinë e orientimit të gjeneratave të reja. Në emër të Fakultetit të Arteve, prodekanja për arsim dhe shkencë Dr. Jelldës Asani foli për rolin dhe sfidat e gruas në kulturë duke përmendur emra të përveçëm në artin figurative.
E para paneliste Dr. Zana Shuteriqi Prela, si mbesë e Simon Shuteriqit një nga themeluesit e normales së Elbasanit dhe nënshkrues i Kongresit të Manastirit, vajzë e letrarit të madh Dhimitër Shuteriqi, bashkëshorte e ish diplomatit Vladimir Prela, profesoreshë tash e 40 vite, 15 vite kontribuese në katedrën e muzikës në Tetovë, evokoi rrugëtimin e saj para, gjatë komunizimit dhe pas asaj periudhe Primadona e operës mjeshtra e madhe dhe artistja e merituar Edit Mihali që e kujtojmë si Mrikën e Jakovës, Violetën e Trovatores së Verdit, Rosinën e Rosinit, Miminē e Bohemëve të Puçinit evokoi kujtime interesante nga jeta dhe karriera skenike Aktorja Ilire Vinca e nominuar nga rrjeti i grave në botë si një nga 20 gratë më të suksesshme, anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit, strugane me origjinë e ngritur në Kosovë në shenjë respekti emocionoi me vargjet e recituara enkas për aktivitetin.
Rudina Ciko- profesoresha dhe pianistja e njohur që është sinonim i fjalës feminizëm që disa studiues e konsiderojnë si “respekt reciprok të vlerave në mes gjinive” duke qenë bashkëshorte e maestros Zhani Ciko kjo nuk a ka penguar të ndjekë ëndërrat e saj! Profesoresha Ciko solli në piano “Tokatën “ nga i madhi Feim Ibrahimi. Profesoresha e Universitetit të Tetovës, pianistja e prarë e diplomuar shqiptare në Maqedoni- Arjana Kuriu Grubi solli emocione të jashtëzakonshme duke kujtuar nënën e saj Advije Nici Kuriu, krijuesen e parë të korit dhe mësuesen e parë të muzikës në Tetovë! Në këtë rrugëtim të ngritjes së femrës sonë vazhdoi rrëfimi i të resë të suksesshme Agona Çupi e cila përveç se është dirigjentja e parë shqiptare në Maqedoni ajo tashmë është në prag të disertacionit dhe mbrojtjes së doktoratës në atë drejtim!
Pas fjalimeve aq të vlefshme që u shpalosën para një publiku që kishte mbushur sallën e amfiteatrit ku kishte shumë studentë dhe nga arti muzikor, artiste ikona si Sihana Badivuku e Shpresa Gashi, një nga themelueset e Universitetit të Tetovës e nderuara Myqereme Rusi, profesoresha të nderuara të Fakultetit Pedagogjik,mësuese veterane si Shpresa Sinani me kolege, deputete si Arta Bilalli-Zendeli dhe Vjollca Ademi, kryetarja e Parlamentit studentor Eliesa Zhaku, dekani i fakultetit të Arteve Nafi Jashari, profesorët e nderuar Reshat Ameti, Bajram Cupi, Arifikmet Xhemaili, Zulqifli Ziba që shfrytëzoj rastin ti falemnderoj u shfaq program artistik nga kolege profesoresha të universiteteve dhe ish studente tona. Pranvera Hoxha dhe Alba Muçolli Dehiri nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti “Haxhi Zeka” ekzekutuan në piano veprën e kompozitores së shquar amerikane Amy Beach “Summer dream”.
Të bashkëpunosh me to është kënaqësi duke kujtuar se dolëm nga e njejta shkollë dhe nga periudha të trazuara të Kosovës së para dhe pas luftës për tu ritakuar në skenë dhe për të përfaqësuar sot 3 universitete të ndryshme. Ish studentet tona Flamure Abdullai e Zana Zumeri sot mësimdhënëse të vyeshme ekzekutuan në duo flautë- violinë, të shoqëruara nga profesoresha e pianos në shkollën e mesme të muzikēs në Shkup Nita Grubi sollën emocione tjera me një vepër nga nga klasiku Mozart i cili në historinë e muzikës njihet si gjykuesi më i madh i vetvetes në raport jokorrekt me gratë.
Bashkë me to pata kënaqësi të interpretoj këngën e njohur “O vendi im” një kompozicion ky aq emocional i Muharrem Qenës duke simbolizuar lidhjen e jashtëzakonshme të gruas me vendlindjen pavarësisht migrimit të bashkëshortëve! Duke kujtuar se krejt çfarë jemi dhe veprojmë i falemi nënave tona, si nënë e një vajze një vjeçare Uskanës për të cilën vazhdimisht përkujdeset nëna ime, me dëshirën që vlerat e grave në kulturë dhe nënave tona të jenë çdoherë në piedestalet e merituar bashkërisht mbyllëm manifestimin me refrenin e kēngës “Mëmë”! Rektori Reshat Qaili më nderoi me mirënjohje si ideatore dhe bartëse projekti si dhe ndau mirënjohje për të gjitha pjesëmarrëset në shenjë falemnderimi!
“Gratë në kulturë” u vlerësua si evenimenti më origjinal dhe më i bukur derimë tani që ka ndodhur për 8 mars dhe kjo më bën padyshim të ndjehem e lumtur duke falemnderuar nga zemra secilën nga gratë e suksesshme që i janë bashkangjitur kësaj ideje dhe projekti!
Rrugëtimi vazhdon…. “Gratë në kulturë”, që do të mbahet në Kërçovën tone, e premte, 11. 03.2022, ora 19:00, në Pallatin e Kulturës.
(Fjala e mbajtur në Tryezë muzikologjike “Gratë në kulturë” në UT, më 8 mars 2022)