• Today is: Friday, April 19, 2024

DR. ASANI MIRËPRITI AMBASADOREN E IZRAELIT, ITSHKSH MBETET LIDER RAJONAL NË HULUMTIMIN E HOLOKAUSTIT

fakti
March10/ 2022

Ambasadorja e Izraelit shprehu kënaqësi dhe urime të përzemërta për punën, për arsye se ITSHKSH-ja tashmë ka identitetin dhe profilin e tij, duke përfshirë edhe punën e Departamentit për edukimin dhe hululmtimin e Holokaustit, në kuadër të të cilit tashmë është formuar një strategji e përpunuar mbi  Holokaustin

 

Shkup, 10 mars – Në kuadër të takimeve me diplomatët e huaj,  dje  në ITSHKSH, drejtori, Prof. dr. Skender Asani, e ka mirëpritur ambasadoren e Izraelit, shkëlqesinë e  saj Simone Frankel. Në takim u prezantuan disa nga të arriturat që ky institucion shkencor i ka shënuar përgjatë periudhës së kaluar. Në kuadër të vizitës, dr. Asani e njoftoi ambasadoren Frankel me aktivitetet e deritanishme dhe me ato që do të pasojnë, duke veçuar disa prej tyre.

Ambasadorja e Izraelit shprehu kënaqësi dhe urime të përzemërta për punën, për arsye se ITSHKSH-ja tashmë ka identitetin dhe profilin e tij, duke përfshirë edhe punën e Departamentit për edukimin dhe hululmtimin e Holokaustit, në kuadër të të cilit tashmë është formuar një strategji e përpunuar mbi  Holokaustin. Si pjesë e kësaj strategjie, sipas dr. Asanit, janë botimet, konferencat shkencore, dokumentarët dhe vizitat studimore në Izrael, ku së fundmi janë fituar përvoja të rëndësishme se si t’i qasemi kësaj teme, gjegjësisht mbi gjenocidin ndaj popullit hebre, i cili mund të shërbejë si shembull për të gjithë ata që kanë përjetuar gjenocid në lëkurën e tyre. Si rezultat, tha drejtori Asani,  ITSHKSH-ja është dëshmuar si lider në rajon me nxjerrjen në dritë të disa botimeve, duke filluar nga Doracaku katër gjuhësh mbi edukimin dhe hulumtimin e Holokaustit që i është dedikuar mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme, pastaj librin “Legjislacioni bazik i Mbretërisë bullgare mbi çështjen hebreje” dhe disa publikime me kujtime dhe kronika të gjalla që si protagonistët kanë qenë të mbijetuarit e  golgotës fashiste, dhe mënyrën sesi arritën të largohen nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.

Sa i përket planeve në të ardhmen, Dr. Asani e informoi ambasadoren izraelite me disa projekte dhe ngjarje që do të jenë vazhdimësi e rrugës që ITSHKSH-ja ka ndjekur deri më tani. Ndër të tjera, ai përmendi edhe monografinë “Të drejtët nga Maqedonia e Veriut”, të cilën, me rastin e 79 vjetorit  nga deportimi i hebrenjve të Maqedonisë së Veriut, do ta botojë Departamenti për edukimin dhe hululmtimin e Holokasutit, me autore Maja Susha, njëkohësisht edhe përgjegjëse e këtij Departamenti. Me këtë rast drejtori Asani e ftoi ambasadoren e Izraelit që të marrë pjesë në promovimin e këtij libri që do të mbahet më datë 14 mars.