Përpos Beogradit zyrtar, në pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Medvegjë, kanë ndikuar edhe qasjet e gabuara dhe tepër inerte të vet subjekteve politike shqiptare të kësaj ane dhe të intelektualëve shqiptarë, të cilët fatkeqësisht, në vend se t’iu prijnë proceseve, ata kanë ngelur në fund të tyre. Mjafton të hulumtohet pak aktiviteti diplomatik i këtyre subjekteve dhe do të shohim se ato as që kanë paraparë ndonjëherë në axhendën e tyre ndonjë vizitë në Washington apo në Bruksel për të problematizuar çështjen e spastrimit etnik në Serbinë e Jugut, specifikisht në Medvegjë
Shkruan Muharrem SALIHU
“Gjeneroziteti” i Serbise per t’i “dhuruar” Kosovës nje barrë sociale ( grumbull me shumë shtepi për rreth një Xhamie), Preshevën dhe asgjë me tepër, me sa duket po pranohet në heshtje edhe nga faktori shqiptar. Ndërsa përmes investimeve marramendese ne veriun e Kosovës ne fushën e arsimit, infrastrukturës dhe ndërtimeve me karakter rezidencial po vazhdon te rris ndikimin demografik ashtu siç kanë bërë edhe historikisht, jo vetëm në veriun e Kosovës por edhe në Bujanoc, ndërkohë që në Malësinë e Bujanocit janë pasivizuar vendbanimet e shqiptareve ashtu sikur dhe në Medvegjë ku propaganda mediatike ka bërë aq shumë sa shumë zyrtarë te lartë në Kosovë e sidomos në Shqipëri ende nuk dinë ku ndodhet Medvegja.
Ështe fakt se vizitat e zyrtarëve nga Kosova në Preshevë, lehtësisht po lejohen nga ana e Beogradit ndërkohe që kerkesat për te vizituar Medvegjen ato vazhdimisht refuzohen;
është fakt se pushteti qendror nuk lejoi asnjeherë krijimin e nje subjekti politik ne Medvegjë, edhe me ndihmën e përfaqesueseve politik shqiptarë nga PB , ndërkohë që në PB nxiti krijimin e dhjetëra sosh per t’i perdorur ato më lehtësisht dhe në anën tjetër Tirana dhe Prishtina kanë qëndruar indiferente; është fakt se në Medvegjë ka ndodhë një spastrim etnik me mjete administrative dhe perfaqesuesit politik në Preshevë e Bujanoc kan vazhduar bashkepunimin institucional deri ne nivel qendror pa u lodhur fare për keto krime; është fakt që edhe sot “lideret e Luginës” hallin kryesore e kan se kush do te garoi per deputet në Parlamentin e Serbisë e jo për çfarë te garojë; ështe fakt gjithashtu se ne mandatin e fundit deputetët tanë,me shumë kan shërbyer si dekor i Parlamentit Serb në sytë e ndërkombëtarëve se sa në funksion të problemit të “vetëm” që kanë shqiptarët në Serbi, atë te pasivizimit të adresave.
Edhe pse de facto shqiptarë e gjallë, ata juridikisht, përmes pasivizimit kanë vdekur, prandaj deri sa nuk zgjidhet ky problem asgje tjetër nuk ka kuptim. Në të kundërtën është vetëm tallje dhe fyese!
Pranimi nga ana subjekteve politike shqiptare që me kaq lehtësi të defaktorizohet elementi shqiptar në Serbinë e Jugut flet për një grackë, në të cilën ato me apo pa vetëdije kanë rënë. Serbia gjithmonë ka synuar që shqiptarët të mos kenë një zë artikulues unik, sepse më lehtë e ka pasur të bashkëpunojë me individë, të cilët me pafuqinë e tyre për të imponuar zgjidhje të problemeve, në instancë të fundit mund të jenë edhe gjenerues të problemeve.
Jemi të dëshmitarë të diskordancave me rastin e zgjedhgjeve të kaluara kur subjektet politike në Preshevë dhe në Bujanoc nuk kanë pasur qëndrime unike sa i përket (mos)daljes në zgjedhje. Për pasojë, jo pak raste ka pasur kur ndonjë subjekt politik në minutën e fundit ka pranuar të merr pjesë në zgjedhje, duke u bërë dekor i demokracisë së shpifur të Serbisë, ndërkohë që subjekti tjetër ka ngelë jashtë procesit vendimarrës.
Ky mosharmozim politik i shqiptarëve, përfshi edhe heshtjen e intelektualëve nga kjo anë që aktualusht jetojnë në Kosovë, është reflektuar në variantin më të keq pikërisht në Medvegjë, aty ku testohet gatishmëria për të kundërshtuar politikat diskriminuese sllave kundrejt shqiptarëve. Prandaj, përpos Beogradit zyrtar, në pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Medvegjë kanë ndikuar edhe qasjet e gabuara dhe tepër inerte të vet subjekteve politike shqiptare dhe të intelektualëve shqiptarë, të cilët fatkeqësisht, në vend se t’iu prijnë proceseve, ato kanë ngelur në fund të tyre. Mjafton të hulumtohet pak aktiviteti diplomatik i këtyre subjekteve dhe do të shohim se ato as që kanë paraparë ndonjëherë në axhendën e tyre ndonjë vizitë në Washington apo në Bruksel për të problematizuar çështjen e spastrimit etnik në Serbinë e Jugut, specifikisht në Medvegjë.
Nëse në Kosovë, në vitet nëntëdhjeta funksiononin fuqishëm organizata dhe individë që merreshin me shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, kjo as që mund të paramendohet në Serbinë e Jugut. Aktualisht nuk e kemi asnjë organizatë joqeverotare që merret seriozisht me evidentimin dhe procesimin e rasteve të shkeljeve flagrante të të drejtave të shqiptarëve, duke filluar nga cënimi i pronave të tyre, e deri te mohimi për t’u punësuar me preteksin e mosnjohjues së “diplomave të huaja” si dhe me një mori problemesh që ndërlidhen me suprimimin e organeve të gjyqësisë, të shërbimit kadastal e tatimor e deri te mosfunksionimi i spitaleve e poliklinikave në vendbanimet shqiptare.
Serbia me shekuj ka zhvilluar projekte të cilat i ka realizuar në kurriz të hapësirave etnike shqiptare, duke filluar nga Sanxhaku i Nishit në fund të 1877-tës, për të vazhduar deri në ditët e sotme. Shqiptarët asnjëhrë nuk kanë mundur vetëm t’iu kundërvihen këtyre projekteve, prandaj në vitin 1999 ndodhi kthesa e madhe dhe Kosova me ndihmën e aleatëve euro-atlantik arriti të zbraps turrin e Serbisë për të zaptuar toka të huaja. Tani ndodhemi në një realitet të ri gjeopolitik dhe shqiptarët, përfshi edhe ata në Serbinë e Jugut, janë koshient për këtë realitet, mirëpo është e papranueshme që të pranohet narrativi serb për këtë pjesë të banuar me shqiptarë. Beogradi po punon me të madhe që ta paraqesë Serbinë e Jugut pa shqiptarë në mënyrë që t’ia konsumoj adutet Kosovës që të mos mund të kërkojë reciprocitet në trajtimin e pakicave kombëtare. Sepse, nëse një ditë Serbia e Jugut zbrazet nga shqiptarët atëherë Prishtina zyrtare do të ndodhet para aktit të kryer dhe nuk do të ketë çka të kërkojë në këtë pjesë, si kompenzim të statusit minoritar të serbëve në Kosovë.
Kjo staregji serbe për të eliminuar adutet e reciprocitetit do të shpërfaqet edhe në tryezën e bisedimeve në Bruksel, por kjo nuk do të duhej të pranohej nga Kosova. Sidomos duhet fuqizuar kërkesën për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë shqiptare, si model analog që po e kërkojnë serbët e Kosovës, të instrumentalizuar nga Beogradi.
Ditë më pare kemi ofruar edhe disa modele të organizimit dhe bashkërendimit të kësaj pjese të banuar me shqiptarë, që do të përshpejtonte procesin e evropianizimit të këtij rajoni. Sigurisht që pala kosovare në dialogun me Serbinë do të duhej t’i ketë në tryezë edhe këto modele, në mënyrë që ndërmjetësuesit në Bruksel të kenë mundësi të zgjerojnë fokusin e ngusht të vështrimit të gjërave, që do të kalonte nga normalizimi i marrëdhënieve Kosovë- Serbi, në normalizimin e marrëdhënieve shqiptarë-Serbi. Çfarëdo zgjidhje që do të merrte mbyllja e problemeve Kosovë-Serbi, do të dilte e mangët nëse në paket nuk futen edhe problemet e shqiptarëve në jug të Serbisë, sepse vetëm përmes tyre do të mund të garantohet kualiteti i marrëdhënieve shqiptaro-serbe në Ballkan. Në të kundërtën, këto marrëdhënie do të kalojnë nga kriza në krizë.
Që të mos vihet deri te krizat, megjithatë ka rrugëzgjidhje.
Medvegjë, 22 shkurt 2022