Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për“Arab News”, me seli në Arabinë Saudite i është drejtuar me një mesazh vendeve myslimane që ta njohin Kosovën duke thënë se qëndrimi aktual i tyre është i gabueshëm dhe i shkon për shtati Serbisë me apo pa qëllim.
Kryeministri i Republikës së Kosovës thotë se një qëndrim i tillë i këtyre shteteve ndaj Kosovës vjen si rezultat i dezinformatave serbe dhe se disa shtete vazhdojnë të mbajnë ende lidhje të ngushta me Rusinë.
“Ne mendojmë që është një gabim i madh që disa vende me shumicë myslimane të popullatës nuk e njohin Kosovën. Unë mendoj që ato janë dezinformuar nga Serbia. Dhe disa nga to e bëjnë këtë sepse vazhdojnë të mbajnë lidhje të ngushta me Federatën Ruse”, ka thënë Kurti.
Ai tutje u ka bërë thirrje këtyre vendeve që ta njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës, për hir të vendosjes se paqes dhe një sigurie afatgjate.
“Megjithatë, unë do t’iu kërkoja të gjitha vendeve në botë, për hir të paqes afat-gjate, sigurisë së qëndrueshme dhe njohjes së të drejtave të popullit për liri dhe vetëvendosje, që ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar tutje kryeministri .
Ai tutje ka thënë se në një mënyrë, shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës “me apo pa qëllim, bien pre e mbështetjes për Serbinë që nga koha e milicisë që ka kryer gjenocid në Kosovë”
Në këtë intervistë Kurti ka folur edhe për vendimin e Kosovës për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit pas marrëveshjes së Washingtonit që i solli Kosovës një nga njohjet më të rëndësishme të pavarësisë.
Kurti ka thënë se një vendim i tillë s’ka të bëjë me asnjë lloj hakmarrje për qëndrimin e Palestinës për të mos e njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.
“Ajo s’ka të bëjë asgjë me qëndrimin tonë për popullin e Palestinës dhe kauzën e tyre”, ka thënë Kurti.
“Ne duam të kemi raporte të mira me Palestinën, me autoritetin e Palestinës dhe gjithashtu edhe me popullin e Palestinës”, ka shtuar tutje.
Kryeminstri për “Arab News” ka folur edhe për punët e Qeverisë së Kosovës, sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës e çështje të tjera.
Duke folur për dialogun me Serbinë, Kurti ka thënë se kjo çështje s’mund të jetë prioriteti kryesor i tij.
“Ne nuk duam që ta neglizhojmë dialogun me Serbinë, por unë s’mund ta kem atë si prioritet numër një “, ka thënë Kurti për mediumin arab.
“E kam thënë që nga fillimi i kësaj Qeverie, që vendet e punës, drejtësia dhe pandemia COVID-19 janë tri top prioritetet tona. Numër katër mund të jetë dialogu”, ka thënë tutje Kurti.
Kreu i Qeverisë kosovare tutje ka thënë se bisedimet aktuale janë për statusin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe se zgjidhja e këtij dialogu është njohja reciproke.
“Ky dialog me Serbinë, të cilit ne jemi duke iu qasur më mënyrë konstruktive dhe kreative me propozime të ndryshme, është një dialog rreth statusit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën, kështu që zgjidhja është njohja reciproke”, ka thënë Kurti.
Siç shkruan “Arab News”, Kurti ka folur edhe për mundësinë e ringjalljes së planeve për ta paditur Serbinë për gjenocid në një gjykatë ndërkombëtare, derisa kanë rikujtuar vendimin e Kosovës për të mos lejuar organizimin e referendumit të Serbisë edhe në Kosovë, edhe përkundër thirrjeve ndërkombëtare.
Kreu i Qeverisë së Kosovës në këtë intervistë ka folur edhe për ngjarjet në mes të Rusisë dhe Ukrainës. Kurti ka thënë se Kosova është duke vëzhguar me kujdes çfarë po ndodhë atje, dhe shton se në rast të një shpërthimi të një lufte Rusi-Ukrainë, Serbia mund të bëhet më agresive.
“Ne jemi duke e ndjekur situatën me shumë kujdes. Ne nuk jemi të frikësuar”, ka thënë Kurti tutje.
Teksa ka folur për çështjen e sigurisë, Kurti ka përmendur edhe forcat e NATO-së që janë në Kosovë. Ai ka thënë se beson që NATO dhe në veçanti trupat amerikane janë në Kosovë për të qëndruar, megjithatë siç shkruan “Arab News”, Kurti ka theksuar se nëse kosovarët mbështeten për muri, janë të gatshëm të mbrohen edhe vetë.
“Unë mendoj që Kosova ka njerëz të mrekullueshëm me dëshirë dhe kurajo të madhe, në njërën anë, dhe në tjetrën anë, mendoj se forcat tona të mbrojtjes dhe sigurisë dhe NATO, veçanërisht SHBA-ja, janë këtu për të qëndruar”, ka thënë Kurti.
“Dhe ne jemi të sigurt që do të jemi fitimtarë në çdo lloj krize të ardhshme që mund të ndodhë, por të cilën ne nuk duam ta kemi”, ka shtuar tutje kryeministri.
Kurti gjithashtu ka shprehur sigurinë e tij për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO. Kreu i Qeverisë kosovare ka thënë se ka të ngjarë që Kosova më shpejtë të anëtarësohet si anëtare e plotë e NATO-së sesa të futet në Bashkim Evropian.
“Unë besoj se ky është rasti për dy arsye. Së pari, në BE kemi pesë shtete jo-njohëse nga 27, derisa në NATO kemi katër shtete jo-njohëse nga 30. Pra, një jo-njohës më pak në NATO sesa në BE”, ka thënë Kurti.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje teksa ka shpjeguar këtë, ka thënë se edhe kushtet për anëtarsim në NATO janë paksa më të thjeshta se sa kushtet për anëtarsim në Bashkim Evropian.
“Por përveç kësaj, kriteret dhe standardet që duhet të përmbushni për t’u bashkuar me NATO-n nuk janë aq komplekse sa ç’janë për bashkimin me BE. Kështu që është realiste të pritet që së pari të bashkohemi me NATO dhe pastaj me BE.”, ka thënë Kurti.