Në Gjermani dhe në vendet tjera të Europës ka plot shtëpi të bukura të stilit gotik të cilat dikur ishin përdorur nga nazistët, qoftë si zyra apo si institucione të ndryshme publike, përfshi edhe Reichstag-un, ndërtesën e Parlamentit aktual të Gjermanisë në Berlin
Shkruan EMIN AZEMI
Debati që po merr vëmendjen e publikut mbi figurën e Xhafer Devës, ka polarizuar një pjesë të shoqërisë, ku mediat vazhdojnë të ftojnë protagonist të ndryshëm për të debatuar pro dhe kundër kësaj figure historike me dritëhijet e veta. Shkas u bë restaurimi i një shtëpie aristokrate në Mitrovicë, e cila një kohë kishte qenë e banuar nga Xhafer Deva dhe familja e tij. Me të gjitha të metat e veta, ky debat megjithatë zbuloi defektet e shumta të (keq)formimit shkencor e intelektual të institucioneve tona, të cilat ende nuk kanë dhënë përgjigje ndaj dilemave kryesore nëpër të cilat kaloi e kaluara e shqiptarëve. Për pasojë, në vend të mendimit kompetent e profesional, kemi plot interpretime të ngjyrosura me pasionin e tifozllëkut pro et contra, ku e vërteta del të jetë më e atakuara.
Në Gjermani dhe në vendet tjera të Europës ka plot shtëpi të bukura të stilit gotik të cilat dikur ishin përdorur nga nazistët, qoftë si zyra apo si institucione të ndyrshme publike, përfshi edhe Reichstag-un, ndërtesën e Parlamentit aktual të Gjermanisë në Berlin.
Në Mynhen Akademia e muzikës aktualisht ndodhet në godinën ku Hitleri në vitet tridhjeta i kishte zyrat kryesore të tij. Për të qenë ironia më e madhe në këtë akademi studiojnë mijëra student nga Gjermania dhe bota. Në mesin e tyre ka edhe jo pak hebrenj.
Këtë fakt e ka dëshmuar ditë më pare një zonjë hebreje e punësuar në ITSHKSH, bija e së cilës studion në Akademinë e muzikës në Mynheh dhe në bisedat e shumta me mamanë e saj në Shkup ajo i rrëfen edhe për ndjesinë e të kënduarit në të njejtat ambiente ku dikur i kishte zyrat armiku numër një hebrenjve – Adolf Hitleri.
Restaurimi i shtëpisë aristokrate në Mitrovicë mund të ndjek modelin e restaurimeve të objekteve të ndyrshme që janë bërë në disa vende ku e kaluara naziste e individëve shikohet e ndarë nga pasuria arkitektonike e objektit përkatës. Në rastin konkret, kjo shtëpi mund të shndërrohet në një qendër kulturore, e pse jo edhe në një muze ku do të konzervohej kujtesa mbi gjenocidet e ushtruara ndaj shqiptarëve.
Myftiu i Jerusalemit, Amin al-Huseini, gjatë Luftës së Dytë Botërore u përpoq t’i shërbente Adolf Hitlerit si urë lidhëse me botën myslimane. Ndonëse Amin al-Huseini vdiq në vitin 1974 në Liban, Izraeli megjithatë nuk e lejoi varrimin e tij në Jerusalem, por shtëpia e tij në Jersualem u restarua.
“Lufta me dokumentin”, është ajo që sipas, March Bloch, e dallon historianin profesional nga diletanti.
Dy dokumente të siguruara nga Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë hedhin dritë mbi qëndrimin dashamirës të Qeverisë shqiptare të Rexhep Mitrovicës (1943-44) ndaj hebrenjëve, ku ministër i Brendshëm ishte Xhafer Deva. Në këto dokumente del në pah një fakt, që është përfolur, por nuk ka qenë i dokumentuar, mbi kujdesin e Qeverisë së Rexhep Mitrovicës ndaj hebrenjëve, që këta të fundit mos të pësojnë nga persekutimet e Gestapos gjermane.
Në një dokument të Ministrisë së Brendshme, nënshkruar nga ministri- Xhafer Deva, drejtuar Ministrisë së Jashtme në Tiranë, që mban datën 6 maj 1944, konfirmohet një njoftim nga Prefektura e Shkodrës mbi arrestimin e katër (4) hebrenjve nga Komanda Gjermane e këtij qyteti, të cilët pas ndërhyrjes së autoriteteve shqiptare janë lënë të lirë.
“…lutemi të keni mirësinë me ndërmjetësue ku duhet qi Autoritetet ushtarake Gjermane të mos ndërhyejnë nder punët e mbrendëshme t’ona, vetëm nder raste që kanë të bajnë drejtë për së drejti me ushtrinë gjermane”, thuhet ndër të tjera në dokumentin e 6 majit 1944, nënshkruar nga ministri i Brendshëm, Xhafer Deva.
Ndërkaq në dokumentin tjetër, që mban datën 24 maj 1944, me të cilin Ministria e Brendshme e njoftonte Ministrinë e Jashtme Shqiptare mbi një telegram të Prefekturës së Prishtinës ( e datës 17 maj 1944), ku jepeshin detajet për një ngjarje të dates 14 të njejtit muaj ku “familjet izraelite t’atij qyteti janë rreshtue prej ushtarakëvet SS Gjerman dhe me këtë rast u janë plaçkit teshat shtëpijake. Gjithashtu është konstatue se dy izraelitë janë pushkatuese bri qytetit”.
Në vazhdim të këtij dokumenti jepen disa sqarime dhe rekomandime plotësuese nga ministri Xhafer Deva, i cili, duke u ndërlidhur me ngjarjen e mësipërme shkruante:”Tue Ju sjellë në dijeni sa më sipër, shenojmë se këtu është çështja për Izraelitët me shtetësi shqiptare, ose t’atillë që Shteti Shqiptar qysh në kohë u ka akordue të drejtën e azilit. Pra si për njenen ashtu edhe për tjetrën kategori do t’ishte gjithmonë kompetencë vetëm e autoriteteve shqiptare për marrjen e ndonjë mase kundra tyne… Lutemi prandej me ndërmjetsue ku duhet qi veprimet e tilla të mos përsëriten në t’ardhmen dhe, ndër rasa të ngutshme e të domosdoshme, këto t’i referohen autoriteteve administrative t’ona, të cilat qysh me kohë kanë marrë instrukcjonet per një bashkëpunim të shpejt e të sinqertë me autoritetet ushtarake gjermane”.
Dokumentet e mësipërme nxjerrin në pah dy aspekte të panjohura të qeverisjes së një administrate shqiptare në kohën e nazizmit gjerman. Aspekti i parë ka të bëjë me qeverisjen autonome të Kabinetit të Rexhep Mitrovicës dhe aspekti i dytë argumenton qëndrimin korrekt e dashamirës të kësaj qeverie dhe të minstrtit të Brendshëm, Xhafer Deva, ndaj komunitetit hebre i ndodhur nën juridiksionin e kësaj adminsitrate shtetërore. Mospajtimet e Devës me aktet barbare të Komandës gjermane shpërfaqen publikisht përmes këtyre dokumenteve, kurse mënyra se si ai i kishte trajtuar hebrenjt flet sqarimi që ai jep mbi statusin e tyre, të cilët, sipas Devës ishin shtetas shqiptar ose kategori e njerëzve me azil të pranuar.
Dhjetra familje hebreje, që kanë kaluar (të ndihmuar nga shqiptarët) nga Shkupi në Kosovë dhe në Shqipëri, kanë dëshmuar se autoritet shqiptare (1943-44) i kishin paisur ata me dokumente, me të cilat atyre iu sigurohej statusi i qytetarëve të mbrojtur nga shtetit shqiptar. Por edhe nëse ndodhte ndonjë keqtrajtim ndaj tyre nga ana e gjermanëve, autoritetet e larta shtetërore shqiptare, përfshi edhe ministrin e Brendshëm Xhafer Deva, e shprehnin hapur mospajtimin e tyre duke instistuar se gjithçka që ka të bëjë me këta qytetarë (hebrenjt), kompetent janë organet e adminstratës shqiptare. Dokumentet e mësipërme konfirmojnë një gjë të tillë.
Shkup, 15 shkurt 2022