• Today is: Monday, April 29, 2024

ESENCA E NONSENSIT PËR SENSIN

EA
April11/ 2020

Noel Malcolm në librin e tij “The Origins of English Nonsence” (Origjina e pakuptimësisë angleze vërteton se poezia e pakuptimësisë, e cila më herët nuk është lavruar mirë, duhet më shumë të konsiderohet si nëngrup i parodisë dhe burleskës se sa e zhanrit të saj të traditës së pavarur

Dr. Daut DAUTI/ Londër

Piktori i njohur anglez, Edward Lear (1812 – 1888) e ka vizituar Shqipërinë në vitin 1848. Ai u mahnit nga shqiptarët dhe vendi i tyre dhe kjo gjë sot dëshmohet edhe në pikturat e tija monumentale. Lear, sa ishte në Shqipëri, e angazhoi suliotin Gjorgj Kokali, si truproje e që më vonë u bë miku i tij i ngushtë. Që të dy u varrosen në San Remo të Italisë, pranë njëri tjetrit. Në gurin e varrit të piktorit qëndrojnë vargjet poetike që përshkruajnë malin e Tomorrit.

Edward Lear është i njohur edhe si poet i famshëm. Madje, së bashku me Lewis Carroll, është i njohur si themelues i poezisë së pakuptimësisë angleze (English nonsense poetry). Së paku kështu është konsideruar deri në vitin 1997 kur Noel Malcolm shkroi librin ‘The origins of the English nonsense’ (Origjina e pakuptimësisë angleze). Poezia e pakuptimësisë apo nonsensit është formë e vargjeve të pakuptimta që përmbanë elemente të fuqishme të prosodisë siç është ritmi dhe rima. Është poezi e çuditshme dhe humoristike me elemente që nuk formojnë kuptim gjithmonë.

Në librin e tij, Malcolm sjell fakte të reja të cilat vërtetojnë se ky lloj poezie është së paku 250 vite më i vjetër se që është menduar. Natyrisht, Noel Malcolm bënë me dije se kjo poezi fillon me poetët John Hoskyns dhe John Tayler që nga mesi i shek. XVI. Për ta forcuar argumentin e tij, Malcolm prezenton një antologji ku shtrohet për diskutim origjina dhe zhvillimi i këtij zhanri duke e kombinuar me historinë mesjetare dhe renesansës kur fillon kjo poezi. Pra, në mënurë erudite, Malcolm argumenton zbulimin e tij të rëndësishëm për historinë e letërsisë angleze.

Me këtë vepër, Malcolm vërteton se poezia e pakuptimësisë, e cila më herët nuk është lavruar mirë, duhet më shumë të konsiderohet si nëngrup i parodisë dhe burleskës se sa e zhanrit të saj të traditës së pavarur. Për këtë qëllim ai ofron aspekte mbresëlënëse të përmbledhjeve të kësaj poezie që ka patur rëndësi në epokën poezisë dramaturgjike elizabetiane. Si shtesë, Malcolm bënë me dije për sensin komik të këtyre poetëve, që nga koha e Shakespeareit e deri te ajo e Thomas Nasheit, dhe ku vërehet edhe një elekuencë e shkrimt që haset më vonë edhe te Joyce.

Një pyetje të cilën e parashtron edhe vet autori në parathënie është pse duhet të merakosemi për një lloj poezie qesharake? Përgjigjen qe e jep vet autori është se një arsye thot se kjo poezi e nonsensit, si zhanër komik, është pjesë përbërëse e kulturës, e cila në shumë mënyra është e lidhur me tërë letërsinë. Natyrisht, rëndësia e kësaj poezie është më e gjërë dhe më domethënëse, e cila shtrihet për diskutim në katër kapituj të këtij libri, i cili përmbanë edhe 40 poezi të kësaj natyre, e që janë të autorëve dhe kohëve të ndryshme.