Ende ka një konflikt në mes të gjeografisë dhe historisë, ku viktimë është e ardhmja dhe kjo po ndodhë për shkak të pafuqisë së Evropës për të tejkaluar krizat e veta identitare
Nga Skender ASANI
Boshti tematik i konferencës së sotme, implikon shumë ide e mendime të cilat kanë një emërues të përbashkët: Ballkani dhe sfidat integruese të tij, në kushtet kur rajoni ynë ende nuk është liruar pltësisht nga hijet e së kaluarës. Ende ka një konflikt në mes të gjeografisë dhe historisë, ku viktimë është e ardhmja dhe kjo po ndodhë për shkak të pafuqisë së Evropës për të tejkaluar krizat e veta identitare. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe sidomos pas përfundimit të Luftës së ftohtë, u krijuan disa parakushte që edhe popujt e vegjël t’i kenë shtetet e tyre të pavarura, por kjo tendencë nuk i mirëprit nga forcat hegjemoniste të Ballkanit, prandaj sot ende vazhdon të konsiderohet si projekt i papërfunduar BeH, si pasojë e efekteve negative që prodhoi Marrëveshja e Dejtonit, për të vazhduar me Kosovën dhe Malin e Zi, ku në fuqi janë dy rryma të kundërta: njëra që paraplqen sovranitetin e shtetëror në frymën evropiane dhe rryma tjetër retrograde, e cila e përdor Kishën dhe komunitetin serb si instrumente për të destabilizuar këto dy shtet të rajonit.
Në Ballkan ekzistojnë disa modele të tejkalimit të kontesteve dhe mosmarrëveshjeve. Maqedonia disa vite pati probleme me Greqinë sa i përket kontestit të emrit, por ky problem u tejkalua në saje të kompromosit dhe mekanizmave të frymës evropiane që aplikuan në Marëveshjen e Prespës, lidershipet e të dyja vendeve.
Me Bullgarinë ende ka probleme të hapura, për shkak të pretendimeve historike e kulturore të Sofjes zyrtare ndaj identitetit maqedonas. Këto probleme ende nuk e kanë gjetur modalitetin e përshtatshëm të tejkalimit të mospajtimeve, ndonëse që në start është zgjedhur metodologjia e gabuar. Në vend që të krijohet një komision i përhershëm politik qeveritar, Shkupi dhe Sofja zgjodhën si aleat historinë për t’ua zgjidhur kontestet, dhe rezultoi se komisioni i përbashkët i historianëve jo vetëm që nuk solli kurrfarë kompromisi, por ai krijoi edhe më shumë animozitet dhe ftohje në mes të dy shteteve. Maqedonia dhe Bullgaria duhet të gjejnë rrugën e përbashkët evropiane të tejkalimit të mosmarrëveshjeve, duke krijuar parakushte që problemet e pazgjidhura t’i tejkalojnë në kuadër të një procesi afatgjatë, e jo me receta historike të shekullit 19.
Një problem që vazhdon të prodhojë krizë rajonale është edhe çështja e problemeve të hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në Beograd ende mbisundon fryma e ideve hegjemoniste dhe për rrrjedhojë rajoni vuan pasojat e një politike që të ardhmen ende e sheh me syzet e së kaluarës. Ky pozicion i Beogradit kundrejt Kosovës, duke ia mohuar kësaj të fundit shtetësinë dhe sovranitetin territorial, paraqet tani për tani kërcënimin më serioz të stabilitetit rajonal dhe kjo mund të tejkalohet vetëm nëse diplomacia amerikane imponon një trysni më të madhe ndaj zgjiedhjeve politike që po negocohen në Beograd.
Ballkani ka nevojë për paqe, sepse është stërngopur me trazira dhe konflikte. Paqa iu konvenon të gjithë popujve që duan prosperitet ekonomik dhe bashkëpunim kulturor, përpos oligarkive politike të cilat nën petkun e krimit fshihen pas parullave populiste dhe në këtë mënyrë duan të ushtrojnë njëfarë trysnie mbi proceset demokratike.
Ballkani ka nevojë për tregje të hapura dhe jo për getoizim, dhe kjo mund të vie në shprehje sidomos tani kur po ballfaqohemi me një proces shqetësues migrimi të të rinjëve. Ky proces mund të parandalohet vetëm nëse elitat politike punojnë në projekte zhvillimore, ku popujt do të gëzonin mundësitë për të shfyrtëzuar resurset vendore të zhvillimit ekonomik e social.
Duke qenë gjithmonë në hap me tendencat evropiane të zhvillimit të mendimit dhe projektimit të ideve konkrete, edhe ITSHKSH përmes kësaj konferеnce shkencore synon të nxjerr në pah aspektet humane të përafrimit në mes të popujve, duke nxjerrë në treg konkurrencën e dijes dhe hulumtimit shkencor. Deri më tani, përmes departamenteve tona si dhe përmes botimeve e aktiviteteve të ndryshme, ne si Institut jemi munduar të sjellim një qasje të re dhe krejt origjinale në tejkalimin e kontradiktave në mes të shoqërive, popujve dhe shteteve.
Uroj që edhe Konferenca e sotme të sjell frymën e kësaj qasjeje kurse pjesëmarrësve u dëshiroj sukses në elabоromin e tezave e ideve të tyre.
(Fjalë rasti në hapjen Konferencë shkencore ndërkombëtare: “Ballkani midis integrimit evropoian dhe bashkëpunimit rajonal”, mbajtur në ITSHKSH, Shkup, më 28 tetor 2021)