• Today is: Sunday, November 24, 2024

Një ballafaqim ndryshe me veprën e Shaip Beqirit

fakti
October28/ 2021

Në 50 vjetorin e krijimtarisë së Shaip Beqirit, Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër organizoi të shtunën në Bernë, një “Takim me veprën e Shaip Beqirit”

Poeti Shaip Beqiri, në diasporën shqiptare po edhe përtej saj, me të drejtë gëzon një status të pashpallur të një patriarku të letrave shqipe. Kjo jo aq për moshën sa për profilin e tij prej krijuesi që lidh brezat e letërsisë së krijuar në Kosovë, Shqipëri, në trojet tjera shqiptare dhe në mërgatë. Por, në të njëjtën kohë një cilësim i tillë lidhet edhe me rolin e tij prej publicisti të shquar, i cili, me kompetencë lidh e përafron dy degët e letrave shqipe, në Kosovë dhe në Shqipëri.

Brenda këtyre kornizave dhe në 50 vjetorin e pranisë së Shaip Beqirit në letërsi, Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër organizoi të shtunën që shkoi në Bernë, një “Takim me veprën e Shaip Beqirit”.

Në këtë takim, me vështrimet e tyre për veprën e Beqirit janë paraqitur Valdet Berisha dhe Xhafer Shatri.

Berisha ka marrë në shqyrtim veprën letrare, poetike të Shaip Beqirit ndërsa Shatri, në vështrimin e tij është marrë me veprën publicistike të po këtij autori.

Në fakt, vështrimi i Xhafer Shatrit i dedikohej librit me publicistikë, të botuar së fundi, të Shaip Beqirit, me titullin “Gëzhoja e Perlës“, ndërsa ky takim ishte në një mënyrë edhe promovim i këtij libri.

Pas prezantimit të shkurtë të profilit letrar dhe publicistik të Beqirit, nga kryetari i SHKSHZ-së, Bujar Salihu, radhën e kishte leximi i vështrimit mbi krijimtarinë poetike të Beqirit nga Valdet Berisha, të titulluar “Truku hermetik dhe tensioni i mospajtimit – Një tentim decentralizimi tematik”.

Një vështrim shterues mbi veprën poetike të Beqirit

Berisha, me një qasje analitike shteruese i ka bërë një “radiografi” të mirëfilltë poezisë, ndryshe, mjaft komplekse të Shaip Beqirit. Ai është përpjekur të “dekodojë” dhe në një mënyrë të “profanizojë” atë që e quan hermetizëm, në poezinë e autorit për të cilin bëhet fjalë.

“Kjo qasje imja nuk pretendon as përafërsisht matje të sakta të gjeografisë poetike të Shaip Beqirit, sepse ajo është e përthyeshme, sa fluide aq kryeneçe. Kjo është më tepër sintezë parciale e mostrave të presuara tematike dhe një ekskursion i shkurtër”, bën të njohur Berisha synimin e tij, që në krye të vështrimit.

Ndërsa më tutje autori bën një konstatim interesant mbi një “thyerje” që ai e gjen në poezinë e vonshme të Beqirit, në krahasim me fillet e tij, përgjithësisht hermetike. “Sa më të vonshme poezitë në krijimtarinë e Beqirit, aq më vetëtradhëtues manifestohet hermetizmi i fillimeve të tij krijuese, ku hetohej një ngjeshje kaosi…”

“Pasioni i qasjes poetike, në botën e formulave të veta të pangatërrueshme lirike, kontinuiteti logjik i zhvillimit motivor, prirja tragjike shumësegmentore dhe truku hermetik, janë përmbylltazi tabelat treguese të konglomeratit lirik të Shaip Beqirit”, ka qenë përfundimi i vështrimit ë Valdet Berishës mbi krijimtarinë poetike të Shaip Beqirit.

Publicistika e Beqirit, “një arkiv mobil”

Ndërsa, veprimtari politik dhe publicisti i njohur, Xhafer Shatri ka marrë të vlerësojë librin publicistik të Shaip Beqirit, “Gëzhoja e Perlës“.

Siç e thekson Shatri, “libri është një përmbledhje shkrimesh që përfshijnë një hark kohe gati gjysmë shekulli: 1972-2018. Libri përbëhet prej 7 pjesësh që përfshijnë brenda 475 shkrime të ndryshme: Vështrime, trajtesa, parathënie e pasthënie librash, rezymime tryezash për tema të ndryshme, kritika letrare për vepra të botuara, hulumtime, shënime bibliografike, reportazhe e polemika… të gjitha për çështje të ndryshme që lidhen kryesisht me kulturën…”.

Libri që po promovojmë sot “është një arkiv mobil, pa të cilin, as sot e as nesër, askush nuk do të mund të shkruajë me kompetencë nëse ka vendosur t’i hyjë seriozisht shkrimit të historisë së kulturës në Kosovë, qoftë për letërsinë, qoftë për teatrin, ose filmin, muzikën apo artin figurativ”, ka nënvizuar Xhafer Shatri në vështrimin e tij.

Duke u inkuadruar në debatin që pasoi, Shaip Beqiri është marrë më shumë me kredon e tij letrare artistike, e cila këtu iu nënshtrua thjerrëzës analitike të Valdet Berishës. Ai është ndalur në konceptin “hermetizëm”, me të cilin është lidhur shumë një pjesë e madhe e krijimtarisë së tij por edhe e brezit krijues para dhe (më pak) pas tij.

Hermetizmi: çfarë është ky?

Beqiri ka ngulmuar të theksojë se ky hermetizëm nuk ka ardhur kot si një trill larpurlartist apo si përcaktim i autorëve për shprehje të lirë  poetike siç ka ndodhur kudo tjetër, në botën e lirë. Te rasti i hermetizmit në letërsinë shqiptare të Kosovës kemi të bëjmë me synimin për të shprehur të vërteta dhe gjakime kombëtare, politike, që nuk guxonin të shpreheshin me gjuhë “realiste” poetike, ka thënë ai. Si shembuj më të lartë të kësaj letërsie ai ka përmendur prozatorin e shquar Anton Pashkun por edhe poetët dhe prozatorët si Beqir Musliu, Teki Dërvishi, Ymer Shkreli, studiuesin dhe kritikun letrar Ibrahim Rugova etj. Është tjetër gjë fakti se pastaj një numër krijuesish të patalentuar u lidhën me këtë rrymë pa pasur asnjë lidhje me konceptin e saj parësor dhe duke mos ditur as vetë se çfarë duan të thonë me vargjet ose tekstet e tyre.

Në këtë takim kushtuar veprës së Beqirit janë inkuadruar edhe të pranishmit, me pyetjet e tyre drejtuar autorit, duke nxitur debat të gjallë lidhur me krijimtarinë e tij. Po ashtu, nga autori por edhe nga drejtuesi i debatit, Bujar Salihu si dhe nga Valdet Berisha, janë lexuar disa poezi të Shaip Beqirit.