• Today is: Sunday, November 24, 2024

SHQIPTARI I KORRIDOREVE BOTËRORE, LAZIM DESTANI, ZBRET NË SHKODËR

fakti
October24/ 2021
“Në kohët e sotme, korridoret, rrugët, investimet dhe fuqizimi i ekonomisë dhe bizneseve shqiptare anëmbanë vendeve tona e përtej tyre, janë ato që do ta bëjnë më të fortë kombin shqiptar, do t’i lidhin e mbajnë afër shqiptarët, pavarësisht se në cilin shtet jetojnë”, tha Lazim Destani
Faruk TASHOLLI
Shqiptari i sukseseve ne fushën e bizneseve, Lazim Destani, paralelisht me veprimtarine e tij biznesore nëpër botë, në jetën shqiptare është prezent me humanizmin e tij, qoftë në fushën humanitare, kulturore e sociale. Ai këto ditë zbriti në Shkodër në „Takimin e Shkodrës“ manifestim që bashkoi shqiptarët nga visedet e Ballkanit ku u fol për bashkëpunim social, kulturor dhe ekonomik. Në një mes me atmosferë vëllazërore, si din ta bëjë Shkodra, Lazim Destani u paraqit me një fjaë rasti, të cilën po e sjellim të plotë me këtë rast.
I nderuar zoti Lushaj,
E nderuar Kryetare e Bashkisë Shkodër, zonja Voltana Ademi,
Të nderuar pjesëmarrës, nga të gjitha trojet tona,
Ndihem i nderuar dhe kam kënaqësinë e veçantë që ndodhem sot në këtë takim këtu në Shkodër, në këtë qytet të lashtë të kulturës, dijes e të patriotizmit!
Më lejoni që t’ju përgëzoj për “Takimin e Shkodrës”, për këtë aktivitet mbarëkombëtar që tashmë po kthehet në traditë dhe që na bashkon të gjithëve me gjak shqiptari, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe pa harruar për asnjë moment Luginën e Preshevës.
Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe njerëz në këmbë
Takimi i sotëm në Shkodër, ashtu si takimet që keni realizuar vitet e kaluara por edhe ato që do t’i zhvilloni vitet e dekadat e ardhshme, i kanë shërbyer e do t’i shërbejnë çështjeve mbarëkombëtare, të cilat kemi nevojë t’i mbajmë si vatra zjarri të ndezura.
Trojet tona kanë një histori shumëshekullore me luftëra e përpjekje të pareshtura për liri e pavarësi. Gjithmonë të ndara mes vete nën sundime të ndryshme, por përveç kufijve administrativë, asgjë nuk ka mundur të na ndajë e të na mbajë larg njëri-tjetrit.
Me këtë rast po e përmend shprehjen popullore “Shkup e Shkodër” që flet shumë për lidhjet dhe marrëdhëniet vëllazërore që e përshkojnë këtë brez gjeografik. Sa për ilustrim, në historinë tonë jo të largët, ishte shkodrani Lazër Mjeda, vëllai i rilindasit tonë të madh Ndre Mjeda, i cili nga viti 1909 deri në 1921 shërbeu si kryeipeshkëv i dioqezës së Shkupit. Gjatë periudhës 13 vjeçare të shërbimit të tij si klerik në Shkup, Lazër Mjeda në qendër të aktiviteteve të tij e kishte çështjen kombëtare. Këtë e dëshmojnë vet fjalët e tij kur thotë, “Unë nuk di politikë tjetër, por me ba detyrën teme, si shqiptar e si ipeshkëv”.
Ndërsa në kohët e sotme, korridoret, rrugët, investimet dhe fuqizimi i ekonomisë dhe bizneseve shqiptare anëmbanë vendeve tona e përtej tyre, janë ato që do ta bëjnë më të fortë kombin shqiptar, do t’i lidhin e mbajnë afër shqiptarët, pavarësisht se në cilin shtet jetojnë.
Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona dhe njerëz në këmbë
Sot, ne të gjithë së bashku, përmes aktiviteteve të ndyshme, me nisma individuale apo grupore, me lobime, me ekonomi e biznese të forta, me shpirt e zemër të bashkuar, mund dhe duhet ta japim kontributin tonë që trojet tona të ndihen një, të jenë kurdoherë bashkë dhe të gjithë ta lartësojmë flamurin tonë kombëtar.
Kjo arrihet me veprat e çdonjërit prej nesh, me përpjekjet tona, duke i shërbyer kombit gjithsecili në mënyrën e tij, pavarësisht se ku ndodhemi fizikish. Shpirti e zemra jonë duhet kurdoherë të jenë tek trojet tona.
Edhe një herë, ju përgëzoj për këtë aktivitet kaq të bukur e me shumë vlera për trojet shqiptare!