• Today is: Sunday, November 24, 2024

Ja pse shqiptarët duhet të mbështetin rrjetin Panshqiptar të Diasporës

fakti
October07/ 2021
Nga Silvana BEGAJ
Pse Rrjeti Panshqiptar i Diasporës?
Rrjeti është një organizatë gjithpërfshirëse pa dallime bindjesh, gjinie,statusi socialo ekonomik i cili do të përfshi grupe, shoqata apo individë të diasporës shqiptare në botë, që ashtu si unë, ashtu si ne, nuk janë dorëzuar për të drejtat e diasporës kudo ku ndodhen.
Objektivat kryesore janë:
1- Mbrojta e të drejtave të cdo individi që është jashtë territorit të Atdheut të tij që flet shqip apo ka origjinë shqiptare, që është nënshtetas në shtete si Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali I Zi dhe gjithë shtetet kudo ku ka emigrantë të këtyre shteteve, por dhe të Camërisë dhe Luginës së Preshevës.
2- Ka pikësynim ngritjen e cështjeve me interes kombëtar, në shtete si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali I Zi, por dhe kudo ku ka shqiptarë, të përfaqësojë zërin e tyre tek institucionet ligjore përkatëse, duke u angazhuar me seriozitet, me plan dhe platforma konkrete, duke mbrojtur liritë, të drejtat dhe interesat e diasporës shqiptare kudo ku ndodhen ndaj pushteteve të institucioneve në vendet ku ndodhen
3- Krijimi i një legjislacioni të ri apo të përmirësimit të atij ekzistues, duke përdorur mjete të ligjshme, nga referendumi e deri tek lobimi pranë parlamenteve të vendeve si, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Malit te Zi me qëllim garantimin e të drejtave dhe përmisimit të cdo individi që jeton e punon jashtë territorit ku ka lindur.
4- Rrjeti do të synojë të lidhë e ndërlidhë shqiptarinë nëpër botë në një platformë idesh dhe unifikime cështjesh.
5- Do synojmë të organizojmë energjitë tona, kapacitetet e intelektit, angazhimit dhe aktivizimit. Rrjeti do të synojë të mbështesë përmes zgjidhjeve konkrete jetën, përditshmërinë e shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve shtetërore.
6- Rrjeti do te jete nje urë e këtyre nevojave e interesave me vendet tona, institucionet vendimmarrëse e ligjvënëse. Rrjeti do të jetë një mundësi për të kërkuar e sugjeruar politika dhe ligje që të mbështesin dhe të orientojnë kapitalet e siguruara me mund e djersë nga emigrantët shqiptare në botë, një kapital i cili nëse mbështetet mund të kthehet në investime strategjike për zhvillimin e vendeve tona.
7- Rrjeti do të ketë prioritet ruajtjen e identitetit kombëtar dhe mbështetjen e nismave që mbrojnë dhe mbështesin atë. Mbështetja për gjuhën shqipe dhe mësimin e saj nëpër botë në konceptet më bashkëkohore, mbështetja e traditave shqiptare dhe promovimin e tyre
8- Ne do të përpiqemi të përmbledhim njerëzit e artit, krijimtarisë së cdo fushe të Shqiptarisë kudo në botë jo vetëm për të dhënë kontributin e tyre në këte fushë, por dhe të mbledhim në sofra të mëdha njerëzit që jetojnë jashtë kufijve.
9- Rrjeti do angazhohet që në të gjitha nëndegët e tij kudo në botë të japi konsulencë ligjore për emigrantët për cështje ekonomike, emigracionit, lehtësira të procedurave të ndryshme ligjore ku emigrantët sot kanë nevoja të mëdha e të pazgjidhura.
10- Ne do të synojmë mbajtjen e simpoziumeve shkencore për cështjet kombëtare nga njerëzit më të njohur të fushave për të forcuar njohuritë, risitë dhe hulumtimet e fundit.
11- Rrjeti do të synojë që shumë cështje të emigrantëve si e drejta e votës në vendet e origjinës, njohja e patentave, bashkëpunimet ekonomike midis dhomave të tregtisë, por dhe të shoqatave të bisnesit për tju lehtësuar procedurat dhe duke lobuar deri tek politikbërja .
E di që nuk është një rrugë e lehtë. E di që do të përballemi me shumë vështirësi. E di që do të luftojmë me paragjykimet, do luftojmë me segmente të kalbura e diskriminuese të politikave të shteteve tona.
E di që do të më thoni cfarë ka ndryshe Rrjeti juaj nga dhjetëra në mos qindra grupe e shoqata të tjera. E di që do të më thoni pse ti, pse ju, cfarë ju bënë ndryshe? I di të gjitha këto.
Ne nuk jemi të vecantë, por koha është e tillë. Nevoja ulëritese për ndryshim të kësaj statusquoje është më urgjente se kurrë. E nëse nuk lëvizim, nëse nuk përpiqemi e guxojmë atëherë do jemi të përcarë me plot ide, me shumë ëndrra, por të mbyllura brenda vetes e ndërgjegjes sonë,të parealizuara duke u përpëlitur e duke u ankuar.
Ndaj Ne sot vendosëm të lëvizim drejt një qasje të re duke ju ftuar që të gjithë së bashku si vëllezër e motra për cështjet që na shqetësojnë e mundojnë, të japim vlerat, mundin, energjitë dhe kapacitetet për tu kthyer në faktorë real brenda politikave të shteteve tona.
Duke qenë bashkë në luftojmë indiferentizmin, arrogancën, nëpërkëmbjen e pushteteve dhe formojmë një shprese të re duke e kthyer në vlerë dhe forcë.
Kjo jemi Ne, këtë duam ta arrijmë bashkë me ju, me cdo shqiptarë kudo ku ndodhet jashtë territorit të tyre.
Ne nuk do dorëzohemi!
Ju ftoj të bashkoheni me ne e së bashku të bëhemi pjesë e një historie të re suksesi, e një Atdheu tjetër, më të mirë e më të drejtë.