“E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë. Nji jetë e re po lulëzon gërmadhash”
Nga Silvana BEGAJ
Se e vjetra shembet edhe pse tek ne rrënjët ka hedhur thellë dhe gurët e rrënimit në jetët tona me vete i marrim kudo ku shkojmë si shtegtar. .Këtë kuptova në takimet intensive me bashkëatdhetarët. Pash një mërgatë të ndarë në pjesë dhe zemra mërgimtarësh të ndarë akoma më në shumë copëza. Por ju nuk na ndalni dot që ato pjesëza ti bashkojmë në Një!
Unë e di! Unë jam Ju! Dhe, Ne , jemi ndarë nga familja, nga njerëzit më të afërt, nga e shkuara , nga nostalgjia e këto na kanë bërë të shkëputemi nga Atdheu.
Edhe pse na kanë lind nëna të ndryshme, ne jemi vëllezër. Ato nëna na kanë mësuar të njëjtën gjuhë, na kanë treguar histori me të njejtët heronj, na kanë treguar përralla me të njëjtët trima. Janë nënat shqiptare. E nënat shqiptare janë ndryshe…
Nënat shqiptare janë simboli i sakrificës dhe zemrës së dhembur nga fëmijët në mërgim.
E në emër të atyre nënave ju them: Ju nuk na heshtni dot! Edhe nga gurët dalin filiz jete sado që ta keni shkretuar ju.
Ne jemi vëllezër e motra të një Kombi dhe virtytet shqiptare nuk i harrojmë kurr. Na bashkon nëna Shqipëri. E ne kemi besë, ne kemi vllazëri, ne kemi burrëri…
Ne i bashkohemi familjes kur dikush ka hall dhe gëzim.Ne ulemi në sofër dhe bashkohemi si sot në të mirën e Kombit tonë.
Ëndrrat , dëshpërimet, mundimet, gëzimet dhe përcarjet ne do ti ipërkthejmë në forcë unfikuese në emër të nënës Shqipëri.
Se kur jemi bashkë Ne, Shqiptarët e Shqipërisë natyrale i shpojmë veshët e shurdhët kujtdo që ka urrejtje për ne. Se zëri jonë bashkë bëhet uragan. Uragani i ndryshimit të ri…
Sepse Uni tani nuk ka më rëndësi. Sepse tani Uni nuk duhet të marrë frymë. Tani ka vetëm Ne!
Ejani të shembim të vjetrën!
Koha për të marrë fatet tona në duar ka ardhur sepse një jetë e re po lulëzon gërmadhash.
Unë jam Silvana Begaj dhe ju ftoj të shembim të vjetrën sepse jeta e re që po lulëzon gërmadhash po vjen!