Mos u kput prej shpirtit, burimit tand të thellë, i vetmi qi qet ujin e paster e prej të cilit mundesh me jetue prej s’vërteti. Mos u shkput prej andrrave qi mos të fiket drita e syve e të bahet bota terr i zi. Mos u shkput prej ndjeshmënisë që mos t’ja kesh lakmi dhe gurit malit. Mik, mos u shkput prej tan asaj që ke mbjell në aren e zemnës tande qysh fmijë
Shkruan Gabriela MUJAJ
Mik, a i ke pa gjethet e verdha si kputen krejt lehtsisht prej deg’ve vjeshtake? Njashtu, krejt pa zhurmë, siç del shpirti prej trupit. E kur njajo gjethe bjen n’tokë, kalbet shpejt, copë e grimë bahet nan hapat e shumkujt qi shkel përmbi to. Kalbet dhe nuk e ka kurrë ma mundësinë me u rigjenerue se e la burimin amë. Gjethja e shkëputun prej deg’s asht e mbarueme. Njashtu edhe ti i dashtun. Të porosis mos me u shkput kurrë prej rrajve tua. Amanet!
Mos u shkput prej rrajve të gjuhës tande se të parat fjalë i ke thanë prej saj dhe mbaje mend që edhe të fundit ke me i thanë po prej saj. Mos u kput prej mbiëmnit tand se ka kenë strajca qi tan jetën ke mbajt në shpinë, mos u kput prej atmës tande me shpirt se atdheun e familjen nuk i zgiedhim na. Mos u kput prej shpirtit, burimit tand të thellë, i vetmi qi qet ujin e paster e prej të cilit mundesh me jetue prej s’vërteti. Mos u shkput prej andrrave qi mos të fiket drita e syve e të bahet bota terr i zi. Mos u shkput prej ndjeshmënisë që mos t’ja kesh lakmi dhe gurit malit. Mik, mos u shkput prej tan asaj që ke mbjell në aren e zemnës tande qysh fmijë se më beso, aj fmija mrënda teje nuk t’lën rahat tue brit nëse e mbyll n’arkë. Njaj fmijë ta merr shpirtin tue t’kcye n’shpinë derisa ta qafosh e ta kesh fal. E së fundmi miku ëm, mos tento me ndryshue, me harrue gjithshka seçse në këtë jetë nieri msoka se kurrgja nuk muj me u harrue, muj veç me u pranue, me ba pagjë me të. Mos u shkput prej Zotit mik që mos të bahesh kumonë e vetmueme qi nuk mbledh besimtar. E kshtu, tash po e mbylli tue të thanë të kapesh fort mas trungut e deg’ve tua qi të dish me e gzue prandveren. Mos u ban gjeth i kalbun fundvjeshte qi tjert me të shkel me kambë mik ani pse muj me tu duk se ke marr ngjyrë florinit. Unë ta due aq fort shpirtin.