Procesi i dislokimit u bë proces bllokimi, ndonëse zhbllokimi i këtij bllokimi është në duart tona, vetëm nevojitet një mobilizim i duhur serioz që me dalë prej këtij rrethit vicioz. Këtë rreth vicioz e prish një trekëndësh serioz NXËNËSIT-PRINDËRIT-PROFESORËT
Nga Abedin ISMAILI
Gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë një objekt që subjektet politike e shndërruan në objekt për ta shfrytëzuar për premtime e mashtrime, dhe pasqyrim dështimesh për mos realizim premtimesh. Kumanova kishte një gjimnaz të vetëm atë të “Goce Delcevit”, shkollë e mesme në të cilën mësonin edhe shqiptarët edhe maqedonasit bashkërisht në të njëjtin objekt e oborr, por ja që trajtimi brenda nuk ishte i njejtë. Kjo shkollë e mesme i ndajti nxënësit në mes etnitetesh. Fundi i konfliktit të vitit 2001 ishte fillimi i sfidave për nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme në Kumanovë sepse ishin larguar nga gjimnazi “Goce Dellçev”.
Në vitin 2004 objekti i cili atëkohë ishte kombinat bujqësor u vlerësua të shërbej si objekt shkolle për shqiptarët për një periudhë të shkurtë kohore. Edhe pse kudo në botë marrëveshjet paqësore rezultat kanë bashkimin, në vendin tonë u bashkuan nënshkruesit e marrëveshjes ndërsa ndanë popullin. Ndarje e cila dëmtonte vetëm njërën palë atë shqiptare kudo, si në ekonomi, arsim e shëndetësi.
Sot 17 vite pas nxënësit shqiptarë në Kumanovë mësojnë në një kombinat bujqësor, pa oborr shkollor, sallë sporti në bodrum nga ku ka më shumë zhurmë se punë(si mungesë e kushtëve të nevojshme për zhvillim të aktivitetëve sportive), vend i pa përshtatshëm e i rrezikshëm për nxënësit, objekt i vjetruar aq shumë saqë po e vjetron edhe procesin e dislokimit bashkë me vjetrimin e murëve pa tulla. Procesi i dislokimit u bë proces bllokimi, ndonëse zhbllokimi i këtij bllokimi është në duart tona, vetëm nevojitet një mobilizim i duhur serioz që me dalë prej këtij rrethit vicioz. Me dekada arsyetimi i këtij diskriminimi bartet herë në Komunë e herë në Ministrinë e Arsimit. Këtë rreth vicioz e prish një trekëndësh serioz NXËNËSIT-PRINDËRIT-PROFESORËT dhe kur bashkohen këta tre kënde nxënësit fitojnë sepse e meritojnë të mësojnë në kushte normale e të trajtohen si të tillë.
Moszgjidhja e problemit të objektit të gjimnazit “Sami Frashëri” është testi më i mirë i fuqisë politike vendimarrëse të faktorëve institucional, komunal e shtetëror, përgjithsësisht, kurse i faktorit shqiptar, posaçërisht. Ky i fundit mund të ketë qindra justifikime për zvarritjen e këtij problemi, por nxënësit dhe pedagogët e këtij gjimnazi nuk kanë më kurrfarë mirëkuptimi ndaj të gjithë atyre që harxhuan mandate deputetësh, ministrash e këshilltarësh pa e zgjidhur këtë hall të arsimit shqip në Kumanovë.