Shqiptarët ishin dhe duhet të ngelin konsekuent në mbështetjen e frymës euroatlantike në Maqedoninë e Veriut. Ata edhe tani duhet të tregojnë kosekuencë, duke kundërshtuar çfarëdo rezolute që e dëmton këtë frymë. Rezoluta e VMRO-DPMNE-së nuk mundet të riparojë keqmenaxhimin e procesit të deritanishëm të bisedeimeve me Bullgarinë, andaj duhet të gjendet një rrugë tjetër e cila më shpejt do të sillte në tryezë ndonjë marrëveshje mirkuptimi në mes të dy vendeve.
Nga Emin AZEMI
Bullgaria deri më tani ka miratuar dy rezoluta në Parlament për të bllokuar pranimin në BE të Maqedonisë së Veriut. Tani radhën e ka kjo e fundit – të bllokojë vetveten, me një rezolutë që do të përdorej më tepër për konsum të brendshëm politik, se sa që do të ketë ndonjë efekt të jashtëm, sidomos ndaj fqiut të saj lindor. Sepse, edhe në Bullgari u rrëzuan dy qeveri dhe lufta e brendshme politike u përdor për të atakuar kundërshtarët, duke luajtur në kartën e Maqedonisë.
Sofja zyrtare insiston në pesë kërkesat e saj drejtuar Shkupit që fillimisht emërtimi i gjatë dhe i shkurtër i vendit t’i atribuohet vetëm subjektit politik “Republika e Maqedonisë së Veriut”, e jo rajonit gjeografik “Maqedonia e Veriut”, pjesë të së cilës, sipas Sofjes zyrtare, ndodhen brenda kufinjve të Bullgarisë.
Pastaj kërkohet që “Republika e Maqedonisë së Veriut përfundimisht të heqë dorë nga kërkesat për pakicën maqedonase në Bullgari”.
Në kërkesën e tretë, Bullgaria fton Maqedoninë e Veriut të “fillojë procesin e rehabilitimit të viktimave të komunizmit jugosllav, të cilët kishin përjetuar represion në territorin e saj për shkak të vetëdijësimit bullgar”.
Sipas kërkesës së katërt, Maqedonia e Veriut duhet të adaptojë me Bullgarinë përmbajtjen e programeve arsimore, me qëllim të “reflektimit objektiv të historisë së përbashkët drejt eliminimit të përmbajtjeve që nxisin urrejtje ndaj Bullgarisë”.
“Në territorin e Maqedonisë së Veriut duhet të menjanohen të gjitha tabelat dhe mbishkrimet që përhapin urrejtje ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve”, thuhet në kërkesën e pestë të Sofjes zyrtare drejtuar institucioneve shtetërore në Shkup
BALLKANI PERENDIMOR, NJË KORSI E VEÇANT ME LËVIZJE TË NGADALSHME EUROPIANE!
Ka ende forca politike në rajon që koketojnë në mes veti (si në kohën e Aleancës Ballkanike) për të frenuar proceset euro-integruese. Kjo tendencë shpërfaqet edhe në rastin e Maqedonisë së Veriut, bllokimi i së cilës po ndodhë, jo për ndonjë betejë identitare, por për shkaqe të një gjeopolitike të re rajonale që po duan ta imponojnë qarqe të caktuara politike, duke frenuar dhe, mundësisht, ngadalësuar procesin eurointegrues të disa vendeve të Ballkanit Perendimor. Përfituese më e madhe e këtij aksioni eurospektik sigurisht që është Rusia, ndonëse ajo nuk po duket të veprojë në sipërfaqe, përderisa ka eksponentë që e bëjnë punën e saj në hapësirën politke të Ballkanit Perendimor, sidomos në Beograd, Sofje, e pse jo edhe në Shkup, ku ditë më pare dëgjuam këtë parullë: “Duam Evropën, por më shumë duam veten tonë”.
Kryeministri konservativ hungarez Viktor Urban, gjatë pritjes që i bëri në fundjavë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shpreh se Huangaria pa kurrfarë hezitimi e mbështet anëtarësimin e Serbisë në BE, për arsye se, siç tha ai, prapa saj qëndron gjithë Ballkani Perendimor. “Përderisa të mos integrohet Serbia, Ballkani Perendimor nuk do të jetë i integruar. Serbia është shtet i rëndësishëm, këtë edhe BE duhet ta kuptojë”, nëvizoi Urban.
Si është e mundur të integrohen në BE para Serbisë, Shqipëria e Maqedonia?! Është kjo një pyetje thelbësore që përbën lajtmotivin e gjeopolitikës së re rajonale, e cila është e prirur ta shohë Ballkanin Perendimor si një zonë me korsi të veçantë ku janë të kufizuara shpejtësitë e lëvizjes europiane. Këtu, mbase, mund ta ketë burimin edhe ideja për Minishengenin që favorizohet kaq shumë nga Beogradi dhe qorrazi mbështetet nga Tirana dhe Shkupi.
Në një të ardhme të afërt, ndoshta puna më e mençur e Ali Ahmetit do të ishte ta bindë Zoran Zaevin që të heqë dorë nga idea e Minishengenit, sepse vetëm në këtë mënyrë Aleksandar Vuçiqi do të ngelë pa mbështetjen e Edi Ramës. Ky i fundit do ta braktisë këtë ide vetëm nëse Ali Ahmeti e bënë lëvizjen e duhur me partnerin qeverisës në Shkup.
Maqedonia e Veriut bashkë me Shqipërinë, Kosovën dhe me Malin e Zi, duhet të thellojnë bashkëpunimin reciprok në kuadër të Procesit të Berlinit. Jo ratsësisht vëzhgues të paanshëm me të drejtë kanë konstatuar se Minishengeni është dublim i procesit të Berlinit, dhe si i tillë ka zëvendësuar Gjermaninë me Serbinë.
Sipas Demush Shashës, fakti që në Minishengen, tre shtetet; Shqipëria, RMV dhe Serbia kanë përjashtuar vendet e BE, tregon se rolin udhëheqës, natyrshëm do e ketë Serbia, si shteti më i madh dhe më i fuqishëm.
“Me Minishengenin, Rama, Vuiçiç dhe Zaev kanë përjashtuar të gjithë miqtë e Kosovës, vendet e BE nga Procesi i Berlinit. Pra, rolin udhëheqës natyrshëm do e ketë Serbia, si shteti më i madh dhe më i fuqishëm. Kosova nuk ka pse zëvendëson Berlinin me një forum ku fjalën kryesore e ka Serbia. Nuk e kalon testin e nevojshëm politik që Kosova t’i bashkohet. Procesi i Berlinit ka siguruar mekanizma, çfarëdo mekanizmi tjetër është tentativë për ta penguar”, është shprehur analisti Shasha.
Maqedonia e Veriut nuk duhet të marrë pjesë në forumet e Minishengenit dhe gjithsesi ta kundërshtojë këtë iniciativë, sepse edhe vetë tre liderët që e nisën, nuk e besojnë më.
REZOLUTA MAQEDONE – KOMPENSIM I DINJITETIT TË HUMBUR!
Rezoluta e VMRO-DPMNE-së, e propozuar ditë më parë për bisedimet me Bullgarinë, kërkon konsensus të gjerë lidhur me negociatat për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë dhe zhbllokimin e procesit të integrimit evropian.VMRO-DPMNE u ka bërë ftesë të gjitha forcave politike që të miratohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut kjo rezolutë, përmes së cilës këmbëngul që “negociatat me Bullgarinë të zhvillohen në pozita të barabarta, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare,pa asnjë kusht nga njëra palë ose nga tjetra dhe me respektimin e dinjitetit të popullit maqedonas”.
Ftesës për të mbështetur këtë rezolutë, i është përgjigjur pozitivisht Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, por edhe Bashkimi Demokratik për Integrim.
“Absolutisht solidarizohemi me bashkëqytetarët tanë maqedonas sepse ne dimë më së miri se çfarë do të thotë të kontestohet gjuha, përdorimi i gjuhës, kulturën e historia etj. Vlerësojmë se me metoda të shekullit të 19 nuk mundet të zgjidhen problemet e shekullit 21. Presim që në zgjedhjet në Bullgari të fitojnë forcat progresive demokratike që do të mundësojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjes sonë me Sofjen dhe hapjen e negociatave në dhjetor”, është shprehur zv, kryeministri i parë Artan Grubi, duke prezantuar në këtë formë qëndrimin e partisë së tij.
Opozita shqiptare, e përfaqësuar nga Aleanca për Shqiptarët është deklaruar për Rezolutën duke vlerësuar se temat e këtilla dhe procesi integrues në të njëjtën kohë, janë shumë serioze, meritojnë një trajtim më serioz e institucional dhe nuk mund të merren vendime vetëm në bazë të deklaratave politike dhe partiake.
“Ne jemi në konsultim profesional edhe me faktorë të brendshëm, por edhe me faktorin ndërkombëtarë, me qëllim që të mos lejohet as edhe ndonjë pasojë aksidentale. Debati rreth temave të këtilla nuk mund të zhvillohet përmes konferencave për shtyp nga selitë partiake, por nevojitet një debat i mirëfilltë në institucionin më të lartë ligjvënës në vend. Të dëgjojmë të gjitha detajet, argumentet e palëve në Kuvend dhe aty do shpalosim edhe argumentet dhe qëndrimet tona”, thotë ASH-ja opozitare.
Vijat e kuqe të Rezolutës maqedonase mund të kuptohen edhe si korniza të një procesi anti integrues brenda të cilit synohet të futet Maqedonia, pa fajin e qytetarëve të saj, përgjithësisht, dhe të shqiptarëve, posaçërisht.
Përgjigja e Maqedonisë me Rezolutë ndaj qëndrimeve negatore bullgare, është një hap i gabuar dhe i hedhur mprapsht, për arsye se punën e parë që ka qenë dashur ta bëjë Shkupi zyrtar do të duhej të ishte propozimi i një marrëveshjeje mirëkuptimi me Bullgarinë, e cila do të ishte pjesë e një procesi afatgjatë të qëndrimeve në mes të dy vendeve. Ky proces ka qenë dashur të ketë mediator një emisar të BE-së dhe të udhëhiqet nga politikanët e të dyja vendeve, e jo nga historianët, sepse këta të fundit u dëshmua se në vend se të hapin udhë, i mbyllën ato. Kur historianët përdoren si mashë nga politikanët, në fund rezulton që edhe masha është djegur, edhe mishi ka mbetur i pangrënë.
Ashtu siç kanë ecur deri më tani bisedimet maqedono-bullgare, u dëshmua se ka shkuar krejt mprapsht. Ka shkuar ashtu siç nuk do të duhej të shkonte, sepse gjithkund në mes shteteve serioze fillimisht arrihet marrëveshja, e pastaj formohen komisionet. Në rastin e Maqedonisë dhe Bullgarisë ndodhi e kundërta. Fillimisht u krijua Komisioni i historianëve, pastaj u lançuan rezolutat bllokuese, ndërkohë që marrëveshja finale nuk duket asgjkundi në horiziont.
MARRËDHËNIET MAQEDONO-BULLGARE DHE SHQIPTARËT
As bullgarët, as maqedonasit nuk janë korrekt me shqiptarët. Përderisa përfaqësues të ndryshëm publik e institucional bullgarë japin deklarata “xigluese” për veshin e shqiptarëve, duke i përdorur ata si pykë në “pyllin e dendur” të mosmarrëveshjeve identitare me maqedonasit, këta të fundit tani janë kujtuar të kërkojnë solidarizimin e shqiptarëve lidhur me rezolutën që do t’ua tregonte vijat e kuqe bullgarëve.
Nëse i referohemi historisë, Bullgaria ishte pjesë e Aleancës Ballkanike që synonte të jetësonte në praktikë vendimet e Shën Stefanit për gllabërimin e trojeve shqiptare. Por, në anën tjetër, Bullgaria luante në dy karta ndaj faktorit shqiptar, duke toleruar veprimtarinë antiosmane të shoqatave shqiptare në Sofje. Bullagarisë i konvenonin shqiptarët si “element destabilizues” në Perandorinë Osmane, sepse vetëm në këtë mënyrë ajo i realizonte qëllimet e saj kundër Portës së Lartë.
Divergjencat bullgaro-maqedonase kanë qenë të shumta, por jo rrallë është dëshmuar se këto dievergjenca janë shndërruar në një gjuhë të përbashkët sa i përket elementit shqiptar ortodoks. Në lëvizjen revolucionare maqedonase, të përkrahur nga bullgarët, pati mjaft eksponent të shqiptarëve ortodoks, në mesin e të cilëve edhe Petar Çaulevi (në vitin 1913 vihet në shërbim të Qeverisë së Ismail Qemalit në Vlorë), Kristo Bageri (i biri i Josif Bagerit) etj. dhe kjo ishte arsyeja se pse Bullgaria ishte kundër autonomisë maqedonase, sepse në themel të saj qëndronin shqiptarët ortodoksë. Ky ishte edhe shkaku pse elementi shqiptar ortodoks u ndoq me të madhe nga autoritet bullgare dhe për pasojë Petar Çaulevi gjeti strehim në Shqipëri, kurse Kristo Bagerin e helmuan. Babait të këtij të fundit, Josif Bagerit, madje, në dokementa ia falsifikuan edhe përkatësinë fetare, duke e ‘kryqëzuar’ në protestant. Si duket shqiptarët ortodoks paraqitnin pengesën kryesore për Bullgarinë që t’i shtrijë pretendimet historike ndaj Maqedonisë.
Por, hiq më korrekt ndaj shqiptarëve nuk u sollën as maqedonasit. Përveç faktit që ata vazhdojnë të shprehin animozitet të pafshehur kundër gjuhës shqipe dhe karakterit autokon të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke refuzuar kategorikisht që ata t’i përfshijnë si element shteformues në Kushtetutë, maqedonasit po mundohen që edhe në raporet me Bullgarinë t’i përdorin shqiptarët si një gomë rezervë që do t’i shpëtonin në ujërat e trazuar të gjeopolitikës rajonale.
Shqiptarët, nga ana e tyre, gjithmonë patën ndjeshmëri civilizuese ndaj problemeve identitare të maqedonasve, duke mos u solidarizuar me fqinjët në mohimin e gjuhës, emrit, kishës, historisë maqedonase. Por, kjo nuk ka mjaftuar që lojaliteti dhe mirëkuptimi i shqiptarëve të mos ketë kurrfarë vlere në kandarin e prishur të matjeve ala maqedonqe. Kjo u pa edhe me rastin e përfshirjes së një shqiptari në Komsionin e historisë, atëherë kur procesi veç kishte përfunduar dhe me këtë synohej të legjitimohej ky proces i dështuar përmes një shqiptari. Çudirisht faktori politik shqiptar nuk e pati të zhvilluar sensin e reagimit ndaj kësaj çoroditjeje, sepse ashiqare shihej se roli i një histroiani shqiptar në atë Komision ishte vetëm sa për kozmetikë dhe për të pjestuar artifiacilaisht përgjegjësinë për dështimet eventiuale në bisedimet me Bullgarinë.
Shqiptarët ishin dhe duhet të ngelin konsekuent në mbështetjen e frymës euroatlantike në Maqedoninë e Veriut. Ata edhe tani duhet të tregojnë kosekuencë, duke kundërshtuar çfarëdo rezolute që e dëmton këtë frymë. Fundja, kontesti maqedono-bullgar, nuk është në mes të dy kombeve por në mes të dy shteteve dhe për rrjedhojë shqiptarët si pjesëtarë të barabartë të shtetit të Maqedonis së Veriut duhet të distancohen nga formulat etnike të shekullit 19, atëherë kur bashkë me formimin e kombeve, formohej edhe ndërgjegja historike për avancimin e tyre. Tani jetojmë në shek. 21 dhe tingëllon anakronike që të ndërtohen shtete moderne me koncepte të shek. 19. Shqiptarët duhet të jenë ata që sensin shtetndërtues ta demonstrojnë në praktikë duke flakur nga përdorimi metodat bllokuese në procesin e rëndësishëm eurintegrues.
Shqiptarët edhe në kontestin me Greqinë, ashtu edhe në mosmarrëveshjet me Bullgarinë kanë dëshmuar përkushtimin e duhur fqinjësor ndaj bashkëqytetarëve maqedonas, por ky mirëkuptim nuk duhet të vlejë tani kur qarqe të caktuara politike në Maqedoni, me apo pa vetëdije, bëhen palë me tendencat eurospektike.
Rezoluta e VMRO-DPMNE-së nuk mundet të riparojë keqmenaxhimin e procesit të deritanishëm të bisedeimeve me Bullgarinë, andaj duhet të gjendet një rrugë tjetër e cila më shpejt do të sillte në tryezë ndonjë marrëveshje mirkuptimi në mes të dy vendeve.
Shkup, 12 korrik, 2021