Listat nuk po hapen sepse listat e mbyllura po shërbejnë për kryetarët e partive, që deputët të shndërrohen në lisa që qëndrojnë në këmbë e kryetari i partisë me sharrë në dorë, që secilën dorë që ngrihet kur nuk duhet të ngrihet, dhe nuk ngrihet kur duhet të ngrihet ta sharrojë, dhe deputetin ta shartojë me një kokë tjetër për në zgjedhjet e ardhshme
Nga Abedin ISMAILI
“Zgjedhje të lira me kandidat të imponuar”, nuk po përshtatet teoritikisht mirëpo po funksionon praktikisht në vendin tonë. Sistemi i zgjedhjeve me lista të mbyllura, hap debat e diskutim mbi atë se kandidatët për deputët fshehen nën logon e partisë. Kandidatët për deputet të propozuar nga partita janë më të mirët e të duhurit për të përfaqësuar qytetarët e zonave nga vijnë, logjikisht njerëzit më të besueshëm të partisë. Mirëpo çuditërisht nuk u besojnë që emrat e tyre të jenë në listat e zgjedhjëve, sepse pastaj qytetari besimin e kryetarit tek kandidati mundet edhe ta ndëshkoj. Pra partitë po frikësohen e nuk po i besojnë njerëzve më të besueshëm për ta. Listat nuk po hapen sepse listat e mbyllura po shërbejnë për kryetarët e partive, që deputët të shndërrohen në lisa që qëndrojnë në këmbë e kryetari partisë me sharrë në dorë, që secilën dorë që ngritet kur nuk duhet të ngrihet, dhe nuk ngrihet kur duhet të ngrihet ta sharrojë, dhe deputetin ta shartojë me një kokë tjetër për në zgjedhjet e ardhshme. Listat e mbyllura, mbyllin shpresën për përfaqësim dinjitoz e serioz, ngjallin servilizëm e gjunjëzim para kryetarit të partisë, e kur janë servil janë edhe pasiv. Demokracia brendapartiake funksionon në këtë mënyrë ku kandidojnë shumë kandidatë për të qenë kandidat final, e mes këtyre zhvillohet një garë e madhe dhe paqësore duke numëruar pjestarët e mëhalles, dhe fiton ai i cili ka një mëhallë të mbipopulluar. Pjestarët e mëhallave të mbipopulluara janë edhe mëhallat me më pak të punësuar, prandaj edhe janë shtuar, e kandidati i kësaj mëhalle të madhe fshehet në listat e zgjedhjeve sepse frikësohet nga mëhalla e tij, mëhallë e cila e fut në listën e krytartit të partisë.