• Today is: Sunday, November 24, 2024

PROFESIONET MË TË RREZIKUAR NGA COVID-19 – MJEKËT, POLICËT DHE GAZETARËT

EA
April11/ 2020

Të jesh polic, mjek e gazetar sot nuk është aspak lehtë, sepse këto profesione janë më të rrezikuar në kushtet e përhapjes së pandemisë globale edhe në Maqedoni. Njoftimet nga terreni bëjnë të ditur se këto kategroi profesionesh po përballen në vijën e pare të frontit me Covid-19, andaj edhe kujdesi për mbrojtje duhet të jetë maksimal

 Shkup, 11 prill/Gazeta FAKTI – Në betejën me virusin korona, profesionet më të rrezikuar janë  personeli mjekësor dhe forcat policore dhe  tëmbrojtjes, si dhe  punonjësit mediatik.Për shkak të punës në terren dhe kontaktit me njerëz, ata janë të parët që i ekspozohen infektimit.

Deri më tani 42 policë janë vetizoluar me vendim shtetërorë, kurse me deklaratë janë izoluar 11 policë. Tre policë janë futur në karantinë shtetërore. Kurse deri më tani gjithsej 10 policë  janë infektuar me virusin korona.
Kryeredaktori i televizionit Kanal 5, Goce Mihajllovski, është sëmurë nga virusi korona. Edhe katër kolegë të tij, për shkak të kontaktit, janë vendosur në vetizolim. Televizioni, edhe krahas sfidës me të cilën po përballet, vazhdon të informojë.

Lajmi për gazetarin e infektuar i shqetësoi të gjithë punonjësit mediatik për shkak të kontakteve të tyre të ndërsjella. Një pjesë e tyre në rrjetet sociale i dëshiruan shërim të shpejtë Mihajllovskit dhe e theksuan rrezikun e profesionit të gazetarisë, si në këtë situatë, ashtu edhe në situatat e përditshme.

Shoqata e gazetarëve, gjithashtu i dëshiroi shërim të shpejtë gazetarit, duke bërë thirrje që të mos stigmatizohen gazetarët dhe punonjësit mediatik të cilët janë infektuar ose për të cilët ekzistojnë dyshime se janë bartës të virusit korona.
Në Maqedoninë e Veriut 10 për qind e të infektuarve me koronavirus nga numri i përgjithshëm janë pjesë e stafit mjekësor.

“Kam përdorur maskë, dorëza dhe mjete dezinfektuese në çdo kohë, por megjithatë nuk iu shmanga infektimit nga virusi COVID-19” rrëfen për Radion Evropa e Lirë, mjeku nga Dibra, Arben Agolli, i cili ishte ndër të parët që u infektua nga koronavirusi, bashkë me tri motra medicinale dhe një mjek që ishin pjesë e stafit të ambulancës në këtë qytet.

Nga 700 të punësuar në Spitalin e përgjitshëm të Kumanovës, 80 prej tyre janë në vetëizolim. Në këtë spital kanë rezultuar 18 punonjës me virus korona pozitiv.Sipas të dhënave të Institutit të shëndetit publik, deri më 7 prill janë regjistruar 72 punonjës shëndetësor të sëmurë nga virusi korona në mbarë vendin.

Ekspertët e shëndetësisë thonë se numri i madh i të infektuarve të punonjësve të shëndetësisë është si rrjedhojë e mosndërmarrjes menjëhershme të masave mbrojtëse në të gjitha klinikat e vendit, ndërkohë që gjithçka u koncentrua në Klinikën e Infektologjisë në Shkup.