• Today is: Monday, November 25, 2024

NJË KËSHILLË SHUMË DASHAMIRËSE E MIQËSORE PËR MEDIAT E KOSOVËS

fakti
June04/ 2021

Nëse dikush në Prishtinë gëzohet që qëndrimet e Kurtit nuk pranohen nga Beogradi, është një problem i madh, që kërkon kurim të thellë moral, njerëzor e profesional

Nga Emin AZEMI

Njoh shumë miq e kolegë vullnetmirë në Kosovë e në Diasporë, të cilët e njohin në asht Serbinë – si në aspektin historik, ashtu edhe aktual, si në aspektin gjeopolitik e ushtarak, ashtu edhe etnokulturor e kleronacional, si në aspektin psikologjik ashtu edhe filozofik e antropologjik.

Mirëpo, çuditërisht, këta, fjala e të cilëve tash ka peshë në prag të bisedimeve me Serbinë, nuk i shoh të ftuar nëpër studiot televizive.

Çuditërisht mungojnë ata për të cilët kemi nevojë si për ajër e bukë, por nuk mungojnë disa të tjerë që i kanë dhënë detyrë vetes të analizojnë çdo deklaratë e çdo presje të anëtarëve të kabinetit qeveritar të zotit Kurti.

Sikur mediat të kishin këtë qëndrim kritik, me analistë të mobilizuar (si në kohë lufte) nëpër studio televizive, ndaj qeverive të kaluara, Kosova tash do të lulëzonte dhe ndoshta nuk do të kishim nevojë për “majtistin ekstrem”-  Albin Kurtin.

Por, Kosova jo vetëm që nuk po lulëzon, por asaj po i mungon debati për përvetësimin e më shumë se 1.200 objekteve nga koleksioni arkeologjik dhe etnografik i Kosovës, të cilët u morën në fund të viteve ’90-të “për një ekspozitë të përkohshme në Serbi”, me obligimin për t’u kthyer, por kjo nuk ndodhi kurrë, ndërkohë që Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, ka njoftuar  se nuk e njeh kategorinë e “trashëgimisë kulturore të Kosovës”, ashtu siç nuk e njeh “shtetësinë e Kosovës”.

Në studio televizive të Kosovës nuk analizohet ky qëndrim armiqësor i Serbisë kundrejt Kosovës, por analizohen fjalitë e nxjerra me ‘pincetë’nga konteksti i ministres Donika Gërvalla.

Në studiot televizive të Kosovës nuk ftohen ekspert juridik që të flasin për uzurpimin arbitrar të pronave përreth Manastirit të Deçanit nga ana e regjimit të Millosheviqit në vitin 1997, por ftohet çdo mbrëmje eksperti i urrejtjes – D. Molliqaj, dhe ndonjë i ngjashëm si ai, të cilin duhet me e dëgju se sa i “poshtër”  është Albini.

Në studiot televizive të Kosovës nuk  i bëhet një skenim profesional e njerëzor formatit të delegacionit serb që udhëhoqi bisedimet  në Bruksel prej vitit 2011 e këndej, ku dominonin eksponentët e nomenklaturës së Millosheviqit, të cilët në rrethana të ngjashme, në një kohë tjetër, nuk do të guxonin të merrnin pjesë në ato bisedime, ashtu siç ndodhi me penalizimin e të gjithë oficerëve të Hitlerit, të cilët nuk u lejuan të marrin pjesë në bisedimet paqësore Gjermani-Francë në fund të viteve 40-të të shekullit të kaluar.

Në Bruksel tani përballë kryeministrit Kurti sërish do të ulen eksponent të Beogradit, të cilët jo vetëm që kurrë s’u distancuan nga politika e Millosheviqit ndaj Kosovës, por ata nuk e shprehën një zero fajësi dhe kërkim falje për krimet makabre të kryera mbi fëmijët, grat, pleqtë dhe mbarë popullata civile e Kosovës nga ana e soldateskës serbe në vitet 1998-99.

Në vend të këtij elaborimi profesional, në studiot televizive të Kosovës ftohet turli frymori i frustruar dhe i jepet hapësirë publlike të flet për sjelljet opozitare të Albin Kurtit në të kaluarën dhe si ka qenë  ‘fëmijë zavrak’.

Përpos që po humbet një kohë e vlefshme, po bëhet edhe një imponim i dhunshëm i një diskursi publik që lidhje s’ka me hallet e problemet aktuale të Kosovës.

Është jo etike e jo njerëzore t’ia imponosh këtë dikurs një opinioni dhe një popullate e cila, megjithatë, e ka dhënë mendimin e vet politik më 14 shkurt. Mediat do të duhej disi, përmes linjave editoriale balancuese, ta përfillin këtë mendim dominues publik e jo ta deformojnë atë, duke imponuar tema e teza që nuk korrespondojnë me realitetin ekzistues dhe më së paku me të ardhmen Kosovës, e cila është ngushtë e lidhur edhe me epilogun e bisedimeve me Serbinë.

Kur jemi te bisedimet, të përkujtojmë se megjithatë nuk mungojnë folës nëpër studio televizive që thonë se Kurti ( edhe pse është shprehur kundër formimit të asociacionit një etnik në Kosovë, dhe ka thënë që fillimisht do të bisedohet rreth dialogut dhe pozitës së Kosovës në tryezën e dialogut),  do të dështojë në këto bisedime dhe paturpësisht sërish funksionimin e qeverive të Kosovës e lidhin me qëndrimin që mbajnë ato ndaj Beogradit.

Pra, nëse dikush në Prishtinë gëzohet që qëndrimet e Kurtit nuk pranohen nga Beogradi, është një problem i madh, që kërkon kurim të thellë moral, njerëzor e profesional.

Ky është një sadomazohizëm që prodhon kënaqësi duke u vetëposhtruar, paçka se Kosova ka shumë nevojë për një ekuilibër shpirtëror, etik, moral, njerëzor e politik që do të ndante njëherë e mirë shapin nga sheqeri. Do të ndante njëherë e mirë oponentin politik nga bashkëpunuesi në proceset e rëndësishme politike; do të ndante njëherë e mirë  veprimet opozitare të një politikani nga planet dhe idetë e tij për të ardhmen e vendit; do të ndante njëherë e mirë inatet politike nga nevoja për të qenë unik kundrejt rrezikut që vjen nga sjellja destruktive e arrogante e Serbisë, e cila për çdo ditë dërgon sinjale se synon të bëhet hisedare  pjesëve të caktuara të territorit të Kosovës.

Një medie që i neglizhon këto kanosje të Serbisë dhe humb kohë pa nevojë duke u marrë, vend e pa vend, me Albin Kurtin dhe ekipin e tij, flet për dy gjëra: ose këto media nuk e kanë përmbyllur ciklin e formimit të tyre profesional, ose nga padija i bëjnë një shërbim lapidar Serbisë, duke ia hapur asaj terrenin të tregohet superiore me kërkesa idioteske ndaj Qeverisë së Kurtit.

Miqtë e kolegët e mi vullnetmirë në Kosovë e në Diasporë, ekspertë të fushave të ndryshme, ende janë në pritje që ti bashkëngjiten karvanit të opinionbërjes së vërtetë, duke ngjizur idealin me profesionalizmin, përkushtimin me punën ekipore, paanshmërinë me patriotizmin e kulluar.

Askush nuk po kërkon të amnistohet kryeministri Kurti nga gabimet eventuale që mund t’i bëjë gjatë qeverisjes së tij, por ta zhvendosësh debatin nga temat jetike në ato periferike,  flet më paku për  amatorizmin në media,  që edhe kur gabon mendon se është duke i shërbyer kauzave të dështuara.

Kosova ende po vuan nga agresioni i jashtëm kushtetues, diplomatik, propagandistik i Serbisë dhe nuk ka kurrfarë sensi që këtij agresioni t’i bashkëngjiten mediat e Prishtinës, me qëndrimet e tyre defokusuese, hutese dhe tepër të njëanshme në qasje dhe në selektimin negativ të temave e problemeve.

Këtë avari mediatike mund ta nxjerrin nga balta vetëm miqtë e mi të shumtë në Kosovë e Diasporë, të cilët disponojnë me të gjitha resurset profesionale, humane, patriotike për të dhënë kontributin tyre në favor të një diskursi të shënosh publik në Kosovës dhe në favor të dizajnimit të linjave të balancuara editoriale, aq shumë të munguara nëpër studiot televizive të Prishtinës.

Por, ata dikush duhet t’i ftojë…..