• Today is: Monday, November 25, 2024

ITSHKSH INICON SHPALLJEN E NËNËS TEREZE “PASURI KOMBËTARE E RMV”

fakti
June01/ 2021

Duke e shpallur “pasuri kombëtare”, RMV-ja krijon mundësi që emri, trashëgimia dhe gjithçka që lidhet me Nënën Tereze, të vihet nën mbrojtje ligjore, siç ndodhë me secilën pasuri tjetër kombëtare të vendit tonë

 

Shkup, 1 qershor – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, përkatësisht Departamentit për Trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, ka inicuar edhe zyrtarisht që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes një letre  nënshkruar nga drejtori, prof.dr. Skender Asani, drejtuar kryetarit, Talat Xhaferi, ta shpallë: “Pasuri kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, tashmë e shpallur e shenjtë nga Vatikani.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm
Bashkëngjitur kërkesës, ITSHKSH dorëzon dhe elaboratin me të cilin jep një arsyetim të thuktë e shkencor mbi domosdoshmërinë e shpalljes së Nënës Tereze, “Pasuri kombëtare e RMV”

 

Në arsyetimin e ITSHKSH për këtë nismë, ndër të tjera, thuhet se Departamentit për Trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), që është i vetmi institucion shkencor në botë që ka departament të këtillë shkencor, është krijuar një pikë referuese që merret me trashëgiminë e kësaj figure markante të flijimit, të bamirësisë dhe të humanizmit. Për rrjedhojë ITSHKSH është bartësi institucional shkencor i studimit, i njohjes dhe i promovimit të personalitetit dhe të veprës së Nënës Tereze, prandaj e ndjen detyrën,përgjegjësinë dhe kompetencën që ta bëjë edhe këtë propozim.

Nëna Tereze është identiteti më besnik i përfaqësimit të Maqedonisë së Veriut: ajo është edhe shkupjane, edhe e krishterë, edhe shqiptare, një identitet autentik i Maqedonisë shumetnike dhe shumëreligjioze, thuhet në letrën  e Dr. Asanit, duke shtuar se  shkupjania Agneze Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze është arketip i Maqedonisë së Veriut, në kuptimin shoqëror, ndërsa është sinonim edhe i frymës së dashurisë, paqes, bamirësisë dhe humanizmit që buron nga gjeografia jonë. Misioni i saj është promovimi më i mirë i vendit tonë në botë. Ajo është edhe figurë që na afron e nuk na përplas me askënd, me asnjë fqinj, me asnjë shtet, por edhe me asnjë grup shoqëror, kulturor e religjioz brenda dhe jashtë vendit.

Pas shpalljes për “Pasuri kombëtare”, gjë që nuk e ka bërë askush tjetër deri më tani, Republika e Maqedonisë së Veriut bëhet pronare legale dhe legjitime e trashëgimisë së Nënës Tereze. Në këtë mënyrë RMV-ja bëhet atdheu legal dhe legjitim i trashëgimisë së Nënës Tereze, ndërkohë që, siç propozon ITSHKSH, gjëja e parë që do ta bëjë RMV-ja është brendimi i emrit të saj: shqip “AGNEZE GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZE”; maqedonisht: АГНЕЗЕ ГОНЏЕ БОЈАЏИУ – МАЈКА ТЕРЕЗА“ dhe anglisht: “AGNEZE GONXHE BOJAXHIU – MOTHER TERESA”. Brendimi ligjor dhe patentimi si “Pasuri kombëtare e RMV-së”është mënyra e vetme që emri i saj të ruhet nga shtrembërimet e mundshme, qofshin ato të rastësishme ose të qëllimshme.

Duke e shpallur “pasuri kombëtare”, RMV-ja krijon mundësi që emri, trashëgimia dhe gjithçka që lidhet me të, të vihet nën mbrojtje ligjore, siç ndodhë me secilën pasuri tjetër kombëtare të vendit tonë. Kjo nënkupton që shtëpia e saj, kisha e pagëzimit të saj (Shtëpia Përkujtimore), dokumentet që kanë të bëjnë me të, me familjen e saj, si dhe gjësendet e jetës materiale, madje edhe bredhi i mbjellë prej saj më 1980 në sheshin e Shkupit, të gjitha të jenë nën mbrojtje ligjore si “pasuri kombëtare” e Maqedonisë së Veriut.

 

ITSHKSH vlerëson se pasi të shpallet “Pasuri kombëtare”, Maqedonia e Veriut do të duhet të ofrojë mundësi që, përmes Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, ta avancojë studimin e personalitetit dhe të veprës së saj, duke mbështetur projekte hulumtuese dhe aktivitetet shkencore e promovuese, ndërsa një detyrë tjetër është edhe fuqizimi i Shtëpisë Përkujtimore të Nënës Tereze me artefakte të reja, dokumente dhe gjithçka që lidhet me emrin e saj.

Kur ta ketë të drejtën e “pronësisë mbi trashëgiminë e Nënës Tereze”, RMV-ja, në mënyrë institucionale, mund të kërkojë që secili shtet i botës të jetë i obliguar që gjithçka që ka për Nënën Tereze ta deponojë në Shkup.

Si “Pasuri kombëtare”, emri i Nënës Tereze do të duhej të jetë i shpërndarë nëpër shkolla, spitale, ente shëndetësore, aeroporte, sheshe, autostrada e institucione të tjera publike, nëpër gjithë vendin, në mënyrë që kudo që të kalojë një vizitor i huaj ose një qytetar i vendit, të mund ta ndeshë emrin e saj. Në të vërtetë, sot në shumë vende të botës, përfshirë edhe SHBA-të e Kanadanë, e kanë emrin e saj në pikat më frekuentuese publike, thuhet në elaboratin e ITSHKSH, drejtuar Talat Xhaferit, kryetar i  Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.