• Today is: Sunday, November 24, 2024

ÇKA NUK ËSHTË E PËRBASHKËT NË MES TË SHQIPTARËVE DHE PALESTINEZËVE?

fakti
May15/ 2021

Ajo çka nuk është e përbashkët në mes të shqiptarëve dhe palestinezëve është pikërisht kufiri që ndan moralin e të bërit rezistencë

Nga Emin AZEMI

Në çfarëdo tryeze bisedemesh që do ta organizohet nesër për zgjidhjen e kontestit në mes të Izraelit dhe Palestinës, do të jetë i përjashtuar Hamasi, një organizatë e shpallur terroriste nga Bashkimi Evropian, SHBA-të dhe një mori shtetesh të botës.
Palestinezët për të qenë në paqe me moralin e tyre, duhet të mësojnë pak më tepër mbi origjinën e raketave që aktualisht po shkrepen mbi vendabimet hebreje. Kundëreagimi pastaj mund të jetë edhe joproporcional, por ata që e bëjnë matematikën e balistikës, duhet ta kenë të qartë edhe efektin që prodhon ky “festival raketash”.

A janë palestinezët të denjë të dinë se  në emër të tyre dikush po i sponsoron këto raketa dhe pse pikërisht tani ato u aktivizuan dhe a janë mbrojtësit e vërtetë të çështjes palestineze pikërisht këta që nesër nuk do të mund ta përfaqësojnë popullin palestinez në procesin e bidsedimeve?

Atëherë pse po ndodhë kjo dhe deri kur në emër të palestinezëve bëhen pazare pa i pyetur ata?

Ajo çka nuk është e përbashkët në mes të shqiptarëve dhe palestinezëve është pikërisht kufiri që ndan moralin e të bërit rezistencë. Shqiptarët asnjëherë nuk pranuan që të kontraktojnë ndonjë organizatë luftarake që do të ishte e kundërshtuar nga bota e qytetëruar, ndërkohë që palestinezët kauzën e tyre për liri e vetëvendosje po e fusin në qorrsokak duke lejuar që në istikamet e luftës anti-izraelite të futen kamikaz që minojnë jo vetëm procesin e paqes në Lindjen e Mesme, por edhe perspektivën liridashëse të vet popullit palestinez.

Palestinezëve po iu mungon një tru politik i cili do të komandonte procesin e formimit të shtetit palestinez. Bota arabe, e përçarë dhe e atrofuar institucionalisht në përballje me sfidat gjeopolitike, aktualisht është aleati më i keq i palestinezëve, ndërkohë që Izraeli në pritje të rikonfigurimeve të brendshme politike, do të vazhdoj të mbrojë sovranitetin dhe jetën e njerëzve, duke e bërë këtë herë-herë edhe në dëm të imazhit të vet, por me një objektiv të qartë se Tel Avivi aktualisht përballë ka një forcë që kontrollohet nga jashtë Palestina. Kjo forcë po punon që konfliktin ta zgjerojë në gjithë Lindjen e Mesme, duke katapultuar një kauzë krejt tjetër nga ajo që në dukje të parë po shihet në Gaza.

Tensionimi më i ri në Gaza vjen në periudhën post-trampiste, ndërkohë që presidentit aktual amerikan Joe Biden i nevojitet kohë të gjejë një palë të denjë negocuese tek palestinezët në mënyrë që ky konflikt disavjeçar të merr një epilog të pranueshëm për të dyja palët.

Nëse Jerusalemi është burimi i konflikteve dhe mosmarrëveshjeve izraelito-palestineze, atëherë duhet të gjendet formula që do të fashiste këto mosmarrëveshje, por me kusht që kauza palestineze për liri dhe vetëvendosje të përjashtojë nga gjiri i vet të gjitha ato forca që si pikësynim final kanë ngulfatjen e çështjes palestineze dhe futjen e saj në tunele pa shtegdalje.

Definitivisht, Hamasi nuk është Palestina!