“Ndjehem i nderuar dhe i respektuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për vlerësimin inkurajues që ka dhënë sa i përket kontributit të ITSHKSH në forcimin e lirisë së besimit në Maqedoninë e Veriut, me theks të posaçëm në kontributin për ta bërë pjesë të strategjisë përfshirjen e mësimit dhe edukimit e Holokaustit brenda sistemit arsimor në vend”, nënvizoi Asani.
Shkup, 14 maj – Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë, që përfshinë të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.
Aty analizohet në kapituj të veçantë edhe gjendje e lirisë së besimit edhe në Maqedoninë e Veriut.
Duke iu referuar Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, Raporti vë në dukje se ajo ndalon diskriminimin fetar dhe parashikon lirinë e fesë dhe shprehjen fetare. Kushtetuta iu jep barazi para ligjit të gjithë individëve, pavarësisht nga besimi fetar dhe përmend pesë komunitete fetare : Kisha Ortodokse Maqedonase, Komuniteti Fetar Islam në Maqedoninë e Veriut (IRC), Kisha Katolike, Kisha Metodiste Ungjillore dhe Komuniteti Hebre, të cilat janë të liruar nga taksat, ndërkohë që grupet e tjera fetare duhet të regjistrohen për të marrë të njëjtat përfitime.
Në Raport nënvizohet edhe fryma e bashkëpunimit në mes të Ambasadës amerikane dhe institucioneve të shtetit.
“Ambasadori dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës amerikane u takuan me përfaqësues të qeverisë për të diskutuar çështje të lirisë fetare, duke përfshirë bashkëpunimin e përmirësuar ndërfetar dhe respektin qeveritar për trajtimin e barabartë të grupeve të besimit”, thuhet ndër të tjera në Raport.
Ligji, sipas Raportit, nuk i lejon organizatat fetare të operojnë nëpër shkollat fillore por i lejon në shkolla të mesme dhe të larta. Shkollat e mesme fetare përdorin kurikulën e tyre dhe nuk i nënshtrohen certifikimit të Ministrisë së Arsimit.
Raporti i Departamentit te Shtetit mbi Lirinë Fetare ne Bote për vitin 2020 në fokus të interesimit ka edhe problematikat që lidhen mbi mësimin dhe edukimin e Holokaustit, duke theksuar me këtë rast se më 10 mars, qeveria miratoi përkufizimin e punës së IHRA 2013 mbi mohimin dhe shtrembërimin e Holokaustit dhe ngarkoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Byronë për Zhvillimin e Arsimit dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSH) të përkthejnë, brenda tre muajsh, Rekomandimet e IHRA të Dhjetorit 2019 për Mësimdhënien dhe Mësimin e Holokaustit në gjuhët maqedonase, shqipe, turke dhe serbe për t’u shpërndarë në shkollat në të gjithë vendin.
Ky rekomandim i Qeverisë u përfshi edhe në strategjinë e punës së Departamentit pët mësimin dhe edukimin e Holokaustit pranë ITSHKSH, me ç’rast në një afat rekord u përgatitën Rekomandimet e IHRA të Dhjetorit 2019 për Mësimdhënien dhe Mësimin e Holokaustit në gjuhët maqedonase, shqipe, turke dhe serbe.
Krahas trajnimeve për arsimtarë dhe edukatorë në bashkëpunim me Jad Vashem nga Izraeli, Departamenti e përpilon e dhe Strategjinë për edukimin mbi holokaustin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me kontributin e ekspertëve, edukatorëve dhe institucione botërore me renome të cilat e trajtojnë këtë tematikë
Raporti gjithashtu potencon se në muajin qershor, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve filloi një kurs trajnimi katër-ditor në internet mbi edukimin dhe mësimin e Holokaustit për 45 mësues të shkollës fillore dhe të mesme nga i gjithë vendi, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit dhe Yad Vashem – Qendra Botërore e Përkujtimit të Holokaustit në Jerusalem. Raporti përmend edhe ish ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, i cili ka folur për rëndësinë e partneritetit mbi mësimin dhe edukimin e Holokaustit në Ballkan, sipas të cili kjo ngjarje ishte pjesë e strategjisë për të përfshirë edukimin e Holokaustit brenda sistemit zyrtar arsimor shtetëror dhe sigurimin e mjeteve për ta zbatuar atë.
Drejtori i ITSHKSH, Prof.dr. Skender Asani, shprehet i kënaqur me vlerësimin që jepet në Raportin e Departamentit Amerikan te Shtetit mbi Lirinë Fetare në Botë për vitin 2020, duke shtuar se ITSHKSH tash më po afishohet edhe ndërkombëtarisht si një pikë referimi dhe orientimi për mënyrën e menaxhimit të resurseve humane e shkencore në projektet konkrete që mundësojnë një bashkëjetesë komode të përkatësive e afiniteteve fetare, kulturore e etno-psikologjike në Maqedoninë e Veriut.
“Ndjehem i nderuar dhe i respektuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për vlerësimin inkurajues që ka dhënë sa i përket kontributit të ITSHKSH në forcimin e lirisë së besimit në Maqedoninë e Veriut, me theks të posaçëm në kontributin për ta bërë pjesë të strategjisë përfshirjen e mësimit dhe edukimit e Holokaustit brenda sistemit arsimor në vend”, nënvizoi Asani.