Vite më parë (23 tetor 2008), në Galerinë e OMC-së (OBK-Organizata Botërore e Tregtisë) në Gjenevë, qe hapur ekspozitë personale e piktores Miradije Ramiqi. Në vazhdim po jap fjalën e hapjes së ekspozitës.
Nga Gani BYTYÇI/ Cyrih
Shumkujt mund t`i ketë ndodhur ndonjëherë, që një natë të bukur vere (duke u mahnitur me magjinë dhe paanësisë e qiellit blu), befas të shohë rrëshqitjen apo rënien e zjarrtë e plot shkëlqim ari të ndonjë meteori, pa kuptuar se ç’po ndodhte më tej në thellësinë magjike të qiellit të pafund. Kjo mua më ndodhi, sapo u gjenda në këtë hapësirë artistike, përballë këtyre pamjeve (postimpresioniste) të Miradije Ramiqit, (cikli “Peisazhe imagjinative”).
Jo rrallë, kur gjendemi në hapësira të tilla artistike, pashmangshëm na imponohet pyetja e përbotshme: ç’është arti dhe pse e krijojmë dhe e konsumojmë atë?
Kësaj pyetjeje janë përpjekur t `i përgjigjen shumë kritikë arti dhe artistë të mëdhenj. Leonardo da Vinçi (Léonard da Vinci), në traktatin e tij mbi artin, duke folur për pikturën, ndër të tjera thotë: “Shkenca e pikturës është aq e shenjtë sa që shpirtin e piktorit e transformon në një shpirt të zotit”.
Ndërkaq, lidhur me raportin art-artist, Pol Kle (Paul Klee) veç tjerash shprehet:
– Ngjyra më posedon,
Nuk kam nevojë që ta kërkoj atë,
Ajo më posedon përgjithmonë,
Unë dhe ngjyra jemi një,
Pra jam piktor.
Lidhur me rolin e artit në jetën shoqërore poashtu janë dhënë mendime të pafundme. Kështu, Oskar Uaidi (Oscar Waild), duke folur për rolin e artit në emancipimin e shoqërisë, ndër të tjera thotë:
– Vetëm për artin dhe me artin ne mund të realizojmë përsosmërinë tonë dhe mund të mbrohemi nga rreziqet e ndotura të jetës reale. Ndërkaq Pablo Pikaso (Pablo Picasso), artin e sheh si mjet të domosdoshëm lufte, kur thotë:
-Jo, piktura nuk është bërë për të dekoruar apartmentet. Ajo është një mjet lufte ofensive dhe defansive kundër armikut.
Kodi për të hyrë në urniversin artistik
Këto mendime, i sollëm që në fillim të këtij shënimi, ngase ato janë kodi nëpërmjet të të cilit, ne mund të hapim portën për të hyrë në universin artistik të artistes Miradije Ramiqi dhe në këtë mënyrë të mund të kapim e zbërthejmë sado pak kuptimin dhe mesazhin e veprës artistike të saj.. Kështu do të mund të mund të krijojmë një raport komunikimi me vlerat estetike të veprës së saj.
Nëse i kemi parasysh mendimet që i sollën këtu lidhur me artin dhe rolin e tij në jetën shoqërore, atëherë çfarë mund të thuhet për veprën artistike të Miradije Ramiqit? Cfarë mund të themi, kur gjendemi para këtyre pamjeve magjepse, që më shumë ngjajnë në imazhe të bukura ëndrrimtare? Kur gjendemi përballë një përflakjeje, një përndezjeje të tillë. Kur gjendemi para një koloriti gjithë shkëlqim. Kur, më në fund gjendemi përballë këtyre pamjeve, të cilat na bëjnë të meditojmë gjatë edhe pasi të jemi larguar nga to.
Gjakimi artistik për lirinë dhe dashurinë
Nëse kemi arritur që të futemi në këtë univers artistik dhe të krijojmë një raport komunikimi me të, atëherë mund të themi që Miradije Ramiqi jeton, krijon, gjakon e këndon për dy kryemotive, për lirinë-dhembje a dhimbjen-liri dhe për dashurinë-dhimbje a dhembjen-dashuri. Pra ajo gjakon e krijon për këto dy nocione ndjenjore aq të shenjta, Lirinë dhe Dashurinë, të cilat i trajton në kuptimin e tyre më universal. Ndaj lirisht mund të themi se Miradije Ramiqi, në tërë thellësinë e shpirtit, e ndjen dhe e përjeton dhimbjen në gjithë përmasën e saj, qoftë ajo dhimbje individuale apo kolektive. Mund të thuhet gjithashtu se Miradije Ramiqi me vepren e saj e shenjtëron dhimbjen për lirinë dhe dashurinë, dhimbje të cilën nga realiteti jetësor artistja arrin ta kthejë në normë artistike, duke i përplotësuar, fisnikëruar e idealizuar lirinë dhe dashurinë, jo vetëm si nocione ndjenjore, por edhe si përmbajtje artistike e estetike.
Në këtë luftë të përhershme, artistja Ramiqi, njëherë shkon në lashtësinë ilire, për t`u kthyer me gjarpërin e shtëpisë nën sqetull, që atë ta vëjë në mbrojtje të truallit e të vatrës së vet. Që atë ta vëjë gjithandej në mbrojtje ndaj së ligës (cikli Arketipe ilire). Herën tjetër artistja i kthehet dramës së fundit të etnisë sonë, për t’i dhënë asaj gjithë përmasat e tragjikës e dhimbjes, që ajo barti me vete (cikli Rrugëtimi fatal). Kur flitet për Miradije Ramiqin piktore, është e pashmangshme që njëkohësisht të flitet edhe për vargun, poezinë e saj, ngase piktura dhe poezia për artisten janë një dhe të pandashme.
Dhe tani duke bërë një ekskursion vizuel nëpër tabllotë e Miradije Ramiqit, të paraqitura në këtë ekspozitë, dhe nëse paraprakisht e njohim paksa fushën kreative të artistes, mund të konstatojmë se ajo arrin të gërshetojë, në mënyrë të shkëlqyeshme, dy pasionet e saj artistike: pikturën dhe poezinë. Derisa në të parën (pikturën) ajo bën poetizimin e artit të pikturës, në të dytën (poezinë), artistja derdh gjithë koloritin dhe shkëlqimin magjeps të ngyrave të penelit të saj. Dhe kështu në këtë gërshetim të binomit poezi-pikturë, ku ngjyrat dhe vargu poetik i japin frymëmarrjen artistike njëra-tjetrës, ku figurativja dhe abstrakja e përplotësojnë njëra tjetrën, në mënyrë të shkëlqyeshme, e gjejmë individualitetin krijus artistik të Miradije Ramiqit. Me këtë çasje artistike, Miradije Ramiqi arrin që në tablotë e saj të ruajë veçoritë figurative edhe pse shumë herë mbi pikturat e saj, ajo e hedh vellin, tisin misterioz të abstraktes, në një mënyrë aq të lehtë, sikur ajo të bëhej me një përkdhelje puple.
Dhe në fund të themi se rrafshi motivor i pasur, i dendur dhe i larmishëm, harmonia e ngjyrave e shkëlqyeshme, forca krijuese artistike stabile, e ekuilibruar dhe e pashterrshme, përkushtimi këmbëngulës dhe me pasion ndaj artit, janë vetëm disa nga elementet, që e ndërtojnë figurën artistike të piktores-poete Miradije Ramiqi. Kështu, ajo me veprën e saj të çmuar artistike, është në shërbim të edukimit dhe emancipimit shpirtëror të shoqërisë sonë.
Studio (1)
…
Në dorë e merr brushën timë të lënë
Më kthen në një peisazh të verdhë
Në parakalim vizatoj të gjitha stinët
…
Brusha ime më ngjyros murit të bardhë
M. R.