• Today is: Sunday, November 24, 2024

SA IU SHPAGUA SHQIPTARËVE TË MAQEDONISË KOSTOJA E LOJALITETIT?

fakti
April24/ 2021

Një parlament dydhomësh, një kushtetutë që do të derivonte statusin shtetformues të shqiptarëve, do të ishin zgjidhjet optimale për shqiptarët në Maqedoni. Në të kundërtën, shqiptarë në Maqedoni do të mund të ndjekin formulat e zgjidhjes së çështjes serbe në Kosovë. Për rrjedhojë bashkësia ndërkombëtare do të duhej të  ofrojë modalitete analoge, dhe jo të njëanshme, që do të ishin në favor të paqes dhe stabilitetit të rajonit  

Nga Emin AZEMI

Paradoksi i marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase qëndron tek mosdefinimi i pozicioneve që do të bënte diferencimin substancial në mes të lojalitetit blanko dhe kooperativitetit. Shqiptarët në Maqedoni janë të shquar për një lojalitet gandist kundrejt politikave shtetformuese maqedonase, mirëpo çuditërisht nuk e kanë rrumbullakuar për vete procesin e shtetformimit.
Shqiptarët në Maqedoni ishin edukuar politikisht të jenë lojalë ndaj shtetit, sepse moslojaliteti i tyre, siç iu kanë thënë,  po e prishka shtetin. Nga zelli i madh për të mos lejuar prishjen e shtetit, shqiptarët u bënë aq shumë lojalë sa harruan ta faturojnë për interesa të tyre këtë qasje ekstreme lojaliste.
Sa iu shpagua shqiptarëve kostoja e lojalitetit, duke filluar nga fillimi i viteve nëntëdhjeta e deri më sot?  Nëse në vitet nëntëdhjetë shqiptarët vepronin nën ombrellën e një kushtetute që nuk po shprehte realitetin shumetnik të shtetit, po në vitet njëzetë e këndej si është realiteti?

Lojaliteti i shqiptarëve si terapi gjeopolitike

Nëse në vitet nëntëdhjetë Gligorovi iu thoshte shqiptarëve rrini urtë, mos kërkoni shumë, se po e irritoni VMRO-në nacionaliste, tani shqiptarëve iu thuhet gati e njëjta gjë por me një konotacion dhe ambalazh tjetër. Tani iu thuhet shqiptarëve  duhet të rrinë urtë, sepse rrymat proruse dhe pro-serbe e shfrytëzojnë këtë si adut për ta destabilizuar Maqedoninë dhe për pasojë për ta rrezikuar kauzën e saj evropiane. Lojaliteti i shqiptarëve përdoret si terapi gjeopolitike, sepse  vetëm shqiptarët qenkan ata që po i përcaktokan kauzat evropiane të shtetit. Madje me çmim që ata të jenë ekstremisht lojalë, ndërkohë që autorët dhe redaktorët maqedonas në librat e tyre shkollorë pa fije turpi dhe papengueshëm mund  t’i trajtojnë shqiptarët si ardhacakë dhe si uzurpatorë.
Në njërën anë shqiptarëve iu kërkohet të jenë lojalë ndaj shtetit të Maqedonisë, kurse në anën tjetër ata trajtohen si një trup i huaj i këtij shteti. Madje, shqiptarët si “ardhacakë” dhe si “uzurpatorë” qenkan përcaktuesit gjeopolitik të Maqedonisë evropiane (!).
Tani thuhet se janë bërë ndryshime kushtetuese, por shqiptarët sërish nuk janë një komb shtetformues në Maqedoni. Janë avancuar shumë çështje, siç është çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, e përfaqësimit adekuat, por  të gjitha këto çështje nuk janë bërë kategori kushtetuese. Mjafton të shikohet Ligji për shtetësi ku si kusht për marrjen shtetësisë së Maqedonisë kërkohet njohja e gjuhës letrare maqedonase. Askund nuk përmendet gjuha shqipe dhe për pasojë plot shqiptarë janë refuzuar të pajisen  me shtetësi vetëm pse nuk e kanë zotëruar mirë (me shkrim dhe me gojë) gjuhën letrare maqedonase. Sikur gjuha shqipe të ishte kategori kushtetuese, shqiptarët me automatizëm do ta mirrnin shtetësinë e Maqedonisë, por kjo nuk po ndodhë sepse sovraniteti shtetëror ende buron nga shtylla shtetformuese e popullit maqedonas.

Shqiptarët në mes të drejtave ligjore dhe kufizimeve kushtetuese

Kushtetutshmëria e një të drejte është më e lartë se ato që definohen  me ligje, sepse këto të fundit dinë të jenë edhe kontradiktore dhe me shumë dubioza, siç është, bie fjala, Ligji për përdorimin e gjuhëve ku askund nuk përmendet gjuha shqipe, për arsye të boshllëqeve kushtetuese, ku shqiptarët megjithatë rangohen si qytetarë të rendit të dytë, pas maqedonasve, të cilët janë shtylla e kombit shtetformues.

Në planin praktik kjo është lehtësisht e vërejtshme dhe e prekshme, madje edhe tepër eksplicite për arsye se liderët maqedonas, bie fjala, mund të takohen kur t’iu teket dhe të vendosin si t’iu teket pa marrë mundin që për këtë të kenë edhe miratimin paraprak të politikanëve shqiptarë. Ky miratim mund të vijë post-festum, por kjo flet për diçka tjetër.

Për çka flet kjo?

Kjo flet se maqedonasit e shohin veten si shtylla të kombit shtetformues, kurse shqiptarët i shohin si mbështetës (“потпирачи”) të këtyre shtyllave.
Në dipotrinë maqedonase, shqiptari duhet të jetë ekstremisht lojal ndaj shtetit ( të maqedonasve) dhe ata (maqedonasit) vendosin se sa të drejta (ose sa kg. të drejta) duhet kenë shqiptarët. Të drejtat e shqiptarëve aktualisht u ngjasojnë marrëdhënieve në mes të shitësit dhe blerësit që blen mall me veresi. Ky i fundit për të mos hy shumë borxh, është i detyruar që groshën të mos e blej me kilogram, por kokrra-kokrra, shalqinin ta blej me flegra, kurse akulloren ta shijojë duke e lëpirë xhamin e ëmbëltores.

Në dioptrinë maqedonase në Maqedoni nuk jeton komb autokton shqiptar,  por “pjesë të kombit shqiptar” që ndodhet dikund jashtë territorit të Maqedonisë. Kjo i bie, që shqiptarët në Maqedoni, pasi që janë pjesë e kombit shqiptar, janë do kalimtarë të rastit që i kanë hapë çadrat dhe përkohësisht janë vendosur në tokën e “shenjtë maqedonase”. Me fjalë të tjera, shqiptarët , sipas Kushtetutës aktuale,  e kanë statusin e banorëve nën çadra me stacionim të përkohshëm, kurse madhësia e çadrave si dhe hapësira që zënë ato, aktualisht përcaktohen  me ligj.

Në dioptrinë maqedonase nuk ka gjuhë zyrtare shqipe në Maqedoni, por ka një popullatë  prej 20 për qind që e flet atë gjuhë.

Nesër me iu tekë romëve me u bë 20 për qind, komod mund ta përdorin zyrtarisht gjuhën e tyre, sepse kjo ua garanton ligji.

Perceptimi për lojalitetin ekstrem të shqiptarëve ndaj shtetit të Maqedonisë,  shpërfaqet edhe në një rrafsh tjetër.

Nëse dje gruevizmi shërbente për të kamufluar feudalizmin oligarkik të një kaste njerëzish që politikën e mbindërtonin si doktrinë mafioze për t’u pasuruar, zaevizmi – aktualisht, po përdor një doktrinë krejt tjetër, e cila mund të jetë shumë më e dëmshme, sepse përmes asimilimit politik të shqiptarëve, ai po mundohet të katapultojë koncepte të paqarta “një shoqëri për të gjithë”, por me kusht që fuqia faktorizuese e shqiptarëve të reduktohet në përfaqësime grupore dhe individuale.

Shqiptarët nuk i kanë fajet pse Zaevi qëndron keq në sondazhe kundrejt VMRO-së (edhe sipas sondazhit të fundit)  dhe është e pandershme që ata (shqiptarët)  të përdoren vetëm si “doping” në garën politike LSDM-VMRO.
Për rrjedhojë, ashtu siç ndodhë me efektet e dopingut, që pa humbur kohë i diskualifikon pjesëmarrësit në gara sportive, ngjashëm ndodhë edhe me këtë arenën tonë qesharake politike, ku shqiptarët menjëherë pas zgjedhjeve, nga “fusha sportive”i gjuajnë  në “tribunën e shikuesve”. Ka plot shqiptarë sot që duke qenë në “tribunën e shikuesve” mundohen të na bindin se Zaevi është burrë më i mirë se Gruevski dhe mjaftohen me faktin se Gruevski nuk është fizikisht në pushtet, por harrojnë se  hija e tij-gruevizmi vazhdon të mbetet gjallë nëpër institucione të caktuara.
Gruevizmi ende është pjesë e praktikave të pushtetit aktual, sidomos në sistemin e drejtësisë, ku ka plot procese të montuara nga koha e Gruevskit (Monstra, Kumanova, Alfët etj.)por që vazhdojnë të prodhojnë efekte dëshpëruese edhe në kohën e Zaevit. Të gjithë ata shqiptarë që kanë votuar për Zaevin, këtë e kanë bërë edhe me bindjen se këto procese të montuara do të rishqyrtohen dhe drejtësia do të vendoset në binarët normalë, duke i liruar nga burgimet e përjetshme njerëzit e pafajshëm, siç janë djemtë e rastit “Monstra”, të rastit “Kumanova”, rastit “Alfa”- (Rexhail Qerimin nga Opaja e Kumanovës dhe Almir Drpljani nga Shkupi), dhe një rast tjetër që ka të bëjë me një shqiptar nga Xhepçishti i Tetovës.

 

Aspiratat ekstra territoriale të serbëve të Kosovës dhe shtetformësia e shqiptarëve të Maqedonisë

 

Procesi shtetformues i shqiptarëve në Maqedoni duhet  patjetër të përmbyllet, sepse është tendencë e kohës që kjo çështje të mos ngelë barrë e gjeneratave të ardhshme, të cilat do ti kenë problemet e njëjta si ne tani, nëse statusi i tyre vazhdon të trajtohet me ligje kontradiktore e konfuze.
Një parlament dydhomësh, një kushtetutë që do të derivonte statusin shtetformues të shqiptarëve, do të ishin zgjidhjet optimale për shqiptarët në Maqedoni. Në të kundërtën shqiptarë në Maqedoni do të mund të ndjekin modelet dhe formulat  e zgjidhjes së çështjes serbe në Kosovë, sidomos tani në prag të përmbylljes së dialogut Kosovë –Serbi. Bashkësia ndërkombëtare – BE dhe SHBA, para se të detyrojnë Prishtinën zyrtare të bëjë kompromise në favor të kërkesave që përkufizojnë statusin ekstra territorial të serbëve të Kosovës  (“zajednica”, “shkëputja e veriut”, “manastiret me statuse të ambasadave”), do të duhej të bëhen gati të dëgjojnë edhe kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni për avancimin e statusit të tyre shtetformues.
Matematikisht dhe logjikisht do të duhej të hidhen në kantar këto kërkesa dhe të shihet se cilat janë më të kapshme dhe më pak të dëmshme për stabilitetin e rajonit: kërkesat për status ekstraterritorial të serbëve të Kosovës (“zajednica”, “shkëputja e veriut”, , “enklavizimi”, “manastiret me statuse të ambasadave”), apo  kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni për avancimin e statusit të tyre shtetformues?

 

Shkup, 24 prill, 2021