• Today is: Sunday, November 24, 2024

SHTETËSIA DHE GJUHA SHQIPE!

fakti
April21/ 2021

Nënshtetësisë, sipas ligjit aktual, i jepen atribute monoetnike, ku maqedonizmi shpërfaqet si shtyllë shtetësie, kurse shqiptarët paraqiten si fasadë e cila mund të ndryshohet sa herë që t’i teket pronarit të shtëpisë. (!)  

Nga Emin AZEMI

Është një nen shumë interesant (nr.7) në Ligjin për shtetësi i cili kërkon nga secili që do të pajiset me shtetësinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, paraprakisht duhet “ta zotërojë gjuhën maqedonase deri në atë shkallë që të merret vesh me rrethin”.

Ky formulim i tillë ligjor, kështu siç është aktualisht, tregon se procesi i shtetformësisë së shqiptarëve në Maqedoni nuk është mbyllur. Për pasojë, të gjitha ligjet që derivojnë nga kushtetuta aktuale, pra edhe Ligji për shtetësi, krijojnë gropa të pakapërcyeshme deri në atë shkallë sa shqiptarët për ta siguruar shtetësinë e Maqedonisë janë të detyruar “ta zotërojnë gjuhën maqedonase deri në atë shkallë që të merren vesh me rrethin”.
Me cilin rreth?

Pra, Ligji në fjalë është aq paragjykues, prejudikues dhe diskriminues për shqiptarët, sa që ata i detyron të “dinë gjuhën maqedonase deri në atë shkallë që të merret vesh me rrethin”,  nëse duan të jenë shtetas të Maqedonisë. Me fjalë të tjera, sipas këtij ligji, me “rreth” nënkuptohet një shtet ku maqedonasit janë pronarë, gjuha e të cilëve duhet patjetër të zotërohet në mënyrë që shqiptarët t’i plotësojnë kushtet për t’u bërë shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Ose, me “rreth” nënkuptohet gjithçka që nuk është shqiptare, por që ligji të obligon ta përvetësosh, ta mësosh, nëse ia ke mësy me qenë nënshtetas i Maqedonisë së Veriut.

Për rrjedhojë, nënshtetësisë i jepen atributet monoetnike, ku maqedonizmi shpërfaqet si shtyllë shtetësie, kurse shqiptarët paraqiten si fasadë e cila mund të ndryshohet sa herë që t’i teket pronarit të shtëpisë (!)

Po gjuha shqipe ku mbeti?
A na është thënë se edhe gjuha shqipe është zyrtare në Maqedoni?

Nëse është zyrtare, atëherë pse nuk po marrka edhe ajo për bazë si kusht për t’u pajisur me shtetësi?

Pse shqiptari duhet patjetër  “ta zotërojë gjuhën maqedonase deri në atë shkallë që të merret vesh me rrethin” (siç e thotë neni 7 i Ligjit të shtetësisë së RMV), nëse ligji ia garanton edhe gjuhën shqipe si mjet komunikimi zyrtar?

Të gjitha këto tema e dilema bëhen aktuale sidomos tani kur po flitet shumë për shtetësinë e mohuar për një numër të caktuar shqiptarësh dhe për ligjin që duhet të pësojë ndryshime eventuale.

Për cilat ndryshime bëhet fjalë?
Ende nuk dihet.

Ka mbetur të presim.

Por, nëse ndryshimet e reja ligjore nuk e përfshijnë edhe gjuhën zyrtare shqipe, si kusht që duhet zotëruar për t’u pajisur me shtetësinë e RMV, atëherë një ligj i tillë do të ishte sërish me defekte, ndonëse, çfarëdo ligji që të miratohet, madje edhe shumë perfekt të jetë ai, kjo nuk mjafton sepse ne edhe në të kaluarën kemi pasur ligje të mira, por të cilët janë  deformuar nga një punëtor maqedonas i sportelit i cili si arsyetim për refuzimin e shtetësisë ta ka futë këtë “образложение” tepër absurde: refuzohet marrja e shtetësisë sepse kërkuesi i shtetësisë mundet në të ardhmen ta rrezikojë sigurinë dhe rendin kushtetues të shtetit” (!).

Ky arsyetim i dhënë në këtë formë, në të kaluarën, nuk ka pasur kurrfarë mbështetje ligjore, sepse askund në ligj nuk parashikohet që akcili apo akcila mundet ta rrezikojë në të ardhmen sigurinë dhe rendin kushtetues të shtetit. Fatkeqësisht me arsyetime të tilla raciste  janë refuzuar dhjetëra e qindra aplikues shqiptarë  të shtetësisë e RMV-së, të cilët vazhdojnë të enden nëpër sportele.

Nëse doni vërtetë të zgjidhni  problemin e shtetësisë në RMV, atëherë ndryshoni edhe praktikën e punës së sportelistëve, sepse nëpër sportele është i strukur nacionalizmi maqedonas, prej të cilit shqiptarët po vuajnë me dekada.
Pra, nuk ka askund në botë ligj me dimensione futuriste (përveç se në Maqedoni)  që mund të parashikojë veprime që do të  mund të ishin  të rrezikshme për sigurinë e një shteti.

Të gjitha këto po ndodhin për shkak të  statusit të papërmbyllur shtetformues të shqiptarëve, të cilët ende trajtohen si qiraxhinj në shtëpinë e tyre. Të gjitha të arriturat e deritanishme mund të quhen reforma ligjore, siç është edhe çështja e statusit të gjuhës shqipe, e cila ende nuk është kategori kushtetuese, por kategori shifrash (20%). Me përkthye në praktikë i bie që për të mbetur gjallë nën plafonin absurd të 20 përqindëshit, ne duhet ta kërrusim kurrizin deri sa të mos na thyhet. Pra kufiri i (mos)thyerjes së kurrizit identitar  të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ende kalon nëpër një fushë absurde të përqindjeve demografike, ku 20 përqindëshi sërish  nuk i referohet shqiptarëve, por një mase amorfe.

Shqiptarët në Maqedoni kërkojnë të jenë popull shtetfomues, sepse nga ky status derivojnë të gjitha nënstatuset tjera, përfshi edhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, shtetësinë, punësimet, investimet sipas parimit të zhvillimit proporcional të rajoneve etj.