• Today is: Thursday, April 25, 2024

PAS PANDEMISË A KA NEVOJË EUROPA PËR NJË PLAN MARSHALL?

EA
April11/ 2020

Plani “Marshall” i njohur edhe si Programi i Rimëkëmbjes Europiane ishte një program amerikan ndihme për të Europën Perëndimore pas shkatërrimit të Luftës së Dytë botërore. Ai u aktivizua në vitin 1948 dhe ofroi më shumë se 15 miliardë dollarë për të ndihmuar rimëkëmbjen financiare të kontinentit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka pranuar se Evropa ka nevojë për një Plan Marshall. Ajo u ka bërë thirrje vendeve të BE të investojnë miliarda në buxhetin e bllokut për të shmangur pasojat katastrofike ekonomike nga kriza aktuale e koronavirusit.

Në një artikull për gazetën “Welt am Sonntag”, ajo sqaroi se me “Plan Marshall për Evropën” i referohet programit të rimëkëmbjes të vendosur nga SHBA në periudhën 1948-1952 për të ndihmuar ekonomitë e Evropës Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore.

Presidentja e Komisionit Evropian tha se buxheti i BE u pranua nga të gjitha shtetet anëtare si një mjet për të nivelizuar pabarazitë në një frymë solidariteti dhe se ai tani duhet të përshtatet për të përballuar krizën.

“Shumë miliarda që duhen investuar sot për të shmangur një katastrofë më të madhe, do t’i lidhin brezat së bashku”, shkroi ajo, duke e quajtur krizën një shans për të përtërirë ndjenjën e bashkësisë midis kombeve të Evropës.

Sanchez: “Evropa duhet të krijojë një ekonomi të kohës së luftës”

Thirrja për një Plan Marshall në BE ka ardhur disa javë më parë edhe nga Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, sërihs të dielën ai përsëriti një thirrje të ngjashme në një editorial për një gazetë tjetër gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, por gjithashtu i kërkoi Evropës që të fillojë masa të menjëhershme ekonomike sikur të angazhohen në një luftë.

“Evropa duhet të krijojë një ekonomi të kohës së luftës dhe të vendosë masa për mbrojtjen, rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike”, shkroi Sanchez, duke thënë se kjo duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur për të kompensuar borxhet që shumë vende ishin akumuluar gjatë pandemia koronavirus.

“Nëse virusi nuk njeh kufij, as mekanizmat e financimit nuk duhet t’i njohin”, shkroi Sanchez, duke thënë se një veprim vendimtar, ambicioz mund ta shndërrojë krizën në një “shans për rindërtimin e një Bashkimi Evropian shumë më të fortë”.

BE-ja aktualisht është zënë në debat se si të merret me barrën e borxhit midis vendeve të saj anëtare. Ministrat e financave në Eurogroup kanë vendosur të diskutojnë për financat e bllokut gjatë krizës së koronavirusit të martën.

Sa herë ka krizë, përfshirë edhe në këtë aktualen, në komunikimin publik rikthehet termi “Plan Marshall” si kurë për ‘shock-un’ e krijuar nga situata e emergjencës në zona të ndryshme të botës.

Çfarë ishte Plani Marshall pas Luftës së Dytë Botërore?

Por çfarë ishte Plani Marshall që në 4 vite ndihmoi Europën të ringrihet në këmbët e veta pas shkatërrimit të Luftës së Dytë Botërore?

Plani “Marshall” i njohur edhe si Programi i Rimëkëmbjes Europiane ishte një program amerikan ndihme për të Europën Perëndimore pas shkatërrimit të Luftës së Dytë botërore. Ai u aktivizua në vitin 1948 dhe ofroi më shumë se 15 miliardë dollarë për të ndihmuar rimëkëmbjen financiare të kontinentit.

Programi e mori emrin nga Sekretari i Shtetit George Marshall. Ky ishte një plan 4 vjeçar për rindërtimin e qyteteve, industrive dhe infrastrukturës të dëmtuar rëndë gjatë luftës dhe me qëllim heqjen e barrierave të tregtisë mes vendeve europiane, ashtu sikurse dhe për të fuqizuar tregtinë mes këtyre vendeve dhe Shteteve te Bashkuara të Amerikës.

Përveç zhvillimit ekonomik, një nga qëllimet e këtij plani ishte edhe frenimi i përhapjes së komunizmit në kontinentin europian.

Plani Marshall konsiderohet edhe si një element kyç në formimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut NATO, si një aleancë ushtarake mes Amerikës dhe vendeve europiane në 1949.

Presidenti amerikan Harry Truman firmosi “Planin Marshall” me 3 prill të vitit 1948 dhe ndihma iu shpërnda 16 shteteve europiane përfshirë Britaninë, Francën, Belgjikën, Holandën, Gjermaninë perëndimroe dhe Norvegjinë.

“Plani Marshall” mundësoi ndihma për përfituesit mbi bazën e popullsisë, ku pjesën me të madhe përfituan superfuqitë industriale si Gjermania Perëndimore, Franca dhe Britania e Madhe. Kjo u bë edhe sepse vetë sekretari Marshall dhe këshilltarët e tij besonin se rimëkëmbja e këtyre shteteve të mëdha ishte themelore për rimëkëmbjen e kontinentit europian.

Por jo të gjithë vendet europiane përfituan në mënyrë të njëtrajtshme. Shtete si Italia, që ishin pjesë e aksit së bashku me Gjermaninë naziste, dhe ato që ishin neutrale (si Zvicra) morën më pak mbështetje sesa vendet që kishin luftuar përkrah Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë.