• Today is: Saturday, April 27, 2024

DONIKA GËRVALLA: SERBIA DUHET TË LIROHET NGA RRËNJËT E SAJ GJENOCIDALE!

fakti
April13/ 2021

Paraqitja e sotme e Donika Gërvallës para anëtarëve të  Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara shënon një kthesë substanciale në qasjen e politikës së jashtme të Kosovës në raport me Serbinë, duke kërkuar nga kjo e fundit që t’i hyjë procesit të denacifikimit, si kusht për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën

Emin-Azemi

Nga Emin AZEMI 

Diplomacia e Kosovës tani ka një zë të fuqishëm. Donika Gërvalla është shprehja më autentike e përfaqësimit dinjitoz të shtetit të saj në planin ndërkombëtar. Ajo vjen nga shkolla e edukimit kombëtar që ia kishte lënë trashëgim i ati, shkrimtari dhe patrioti Jusuf Gërvalla, si dhe nga shkolla e edukimit politik e diplomatik që ajo e kishte marrë gjatë një përvoje të gjatë në institucionet gjermane.

Donika Gërvalla tha se Serbia duhet të lirohet nga rrënjët e saj gjenocidale, sepse vetëm Gjermania fashiste, sipas saj, kishte shkaktuar më shumë viktima në truallin e Evropës dhe pas saj vjen Serbia, shkaktare e luftërave e gjenocideve makabre në hapësirën e ish Jugosllavisë.

Si një politikane me rezon të lartë intelektual e human. Donika Gërvalla, sot kolegëve të saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u tregoi se fëmijëve të saj asnjëherë nuk u ka thënë se fajtor për vrasjen e babait të saj është populli serb. Ajo fajësoi regjimin e Beogradit për këtë vrasje, mirëpo kërkoi nga populli serb që të distancohet nga politika aktuale që ushqehet ende nga mitomania millosheviqiane. Populli serb duhet të insostojë që përgjegjësit e krimeve të nxirren para drejtësisë dhe Beogradi të bashkëpunojë me OKB-në në identifikimin e fajtorëve, tha ajo

Serbia ende nuk po ndjen përgjegjësi për krimet e regjimit pararendës mbi popullin e Kosovës por edhe për fshehjen e trupave të pagjetur, nënvizoi Gërvalla. Në Beograd, madje, tha ajo, aktualisht gëzojnë privilegjet e pushtetit edhe një pjesë e eksponentëve të krimit të pandëshkuar serb, të cilët ndodhen edhe nëpër ulëset e parlamentit dhe qeverisë.

“Jemi të gatshëm për bisedime madje edhe me ata që janë përgjegjës për krime lufte dhe gjenocid në Bosnjë dhe Kosovë…Ne jemi të hapur dhe krenar dhe nuk frikësohemi nga asgjë dhe askush. Ne kemi shumë njerëz me përvojë shumë të dhimbshme nga Serbia. Kryeministri ynë, për shembull ishte gjykuar në një gjyq publik sa ishte student nga regjimi serb dhe ishte keqtrajtuar nëpër burgjet e Serbisë për dy vjet. Nënkryetarja e parlamentit të Republikës së Kosovës, i mbijetoi një masakre kur ishte 13-vjeçare, një masakër të kryer nga serbët ku u vranë nëna, gjyshja, dy vëllezërit dhe kushërinjtë e saj. Ajo vajzë u gjet me 16 plagë dhe mezi mbijetoi. Një nga deputetët e rinj të Kuvendit me më së shumti vota është përdhunuar nga forcat serbe kur ishte vetëm 16 vjeçare. Ajo mori guximin për të tejkaluar pengesat dhe foli për përjetimet e saj. Ajo është zëri i mbi 20 mijë grave të përdhunuara. Asnjë nga përdhunuesit serbë nuk është gjykuar për krimet e kryera”, tha zonja Gërvalla, duke përfunduar se “pavarësia e Kosovës është punë e kryer… Sa më shpejtë që t’a pranojë Serbia, do të dalë nga errësira në një të ardhme të ndritur”, vuri në dukje Donika Gërvalla.

Debati i sotëm u ndërpre për pak kohë pasi që përfaqësuesi i Federatës rusë reagoi kundër shfaqjes së simboleve të Kosovës në sfond të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, e cila nuk pranoi ta heqë flamurin e Kosovës edhe pas insistimit të kryesuesit të mbledhjes plenare.

Pas një debati të mbyllur, mbledhja vazhdoi pa asnjë ndryshim, duke nxitur reagimin e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Nikola Selakoviç, i cili protestoi ndaj paraqitjes së ministres së Jashtme të Kosovës.
Gërvalla në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, tha se raporti i UNMIK-ut, në një nga pesë temat, flet edhe për vrasjet që kanë ndodhur në Kosovë nga një regjim vrastar serb.

Ajo tha se nënat tona kërkojnë të dinë se ku i kanë fëmijët e tyre të pafajshëm, duke shtuar se si është e mundur që Serbia nuk ka ndjenja për këtë çështje.

“Si është e mundur që Serbia nuk ka kurrfarë lloj ndjenje për këto nëna, për fëmijët e tyre. Nuk po flasim për ngjarjet e shekullit të 19, nuk po flasim për luftën e parë botërore apo luftën e dytë botërore, po flasim dhe është një memorie e gjallë, viktimat që kanë mbijetuar janë kryesisht ende gjallë. Edhe shumica e atyre që kanë kryer këto vepra të paarsyeshme që kanë shkaktuar më shumë se 13 mijë viktima janë ende gjallë, ata gëzojnë jetën e tyre në Serbi e tjetërkund dhe shpesh herë edhe përmenden e përgëzohen për ato ngjarje. Tani imagjinoni shifrat për vendet e juaja. Këto viktima do të ishin 1.2 milionë rus të vrarë brenda një viti, 2. 6 milionë amerikan që do të ishin vrarë brenda një viti, do të thoshte 11. 6 milionë kinez të vrarë në Kinë për më pak se një vit, dhe bota ka parë se vetëm pak nga këta kriminel janë ndjekur, në shumicën e rasteve për sy e faqe dhe janë shfajësuar”, tha ajo.

Gërvalla shtoi se Serbia i ka bërë të gjitha këto dhe as nuk e ka pranuar që krimet më të mëdha në Evropë, pas Gjermanisë naziste janë në kryer në emër të Serbisë së Madhe në pak dekadat e fundit.

Paraqitja e sotme e Donika Gërvallës para anëtarëve të  Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara shënon një kthesë substanciale në qasjen e politikës së jashtme të Kosovës në raport me Serbinë, duke kërkuar nga kjo e fundit që t’i hyjë procesit të denacifikimit, si kusht për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ndonëse sipas saj  “pavarësia e Kosovës është punë e kryer dhe do të ishte mirë për Serbinë sa më parë që e pranon këtë”, është shprehur Gërvalla, duke u përgjigjur në fjalimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq.

Donika Gërvalla përmendi nënat e Gjakovës, zërin e viktimës kolektive të popullit të Kosovës që vuajti pasojat e politikës fashiste të Beogradit. Ngjashëm si Sherife Luta që u portretizua në një mural në Bllacë ditën shtunë (10 prill), teksa po i jepte gji foshnjës së saj disajavëshe, një simbol sakrifice e flijimit të nënës kosovare në krye të një kolone të gjatë të dëbuarish kosovarë nga vatra e tyre, në muajt mars/prill, 1999, edhe nënat gjakovare kërkojnë nga politika që ta ridimensionojnë kauzën për Kosovën, nga një rrafsh triumfalizmi pompoz, në një rrafsh viktimizimi kolektiv.
Kosova ka vuajtur shumë nga pushtuesit e huaj, por jo pak ka vuajtur edhe nga qasjet e gabuara të politikanëve jolargpamës të cilët e projektuan vetveten në një pasqyrë të huazuar nga lavdia e UÇK-së, të cilën e thyen pastaj në paqe dhe e bënë spirra-spirra nëpër udhët e dyshimta të pasurimit abuziv dhe keqmenaxhimit skandaloz të resursve shtetërore.

Donika Gërvalla imazhin e Kosovës po e vendos në një pasqyrë të re, duke u ballafaquar me realitetin mjaft sfidues të kohës, por me një standard të ri, që Kosovën do ta bëjë më dinjitoze në kuotat e nivelizimit të përfaqësive diplomatike nëpër botë,  me emra e profile që nuk shkojnë nëpër ambasada vetëm sa për të mrizu, por për të krye punë të vyeshme në dobi të shtetit të tyre.

Gjithsesi, nivelizimin dinjitoz që ajo sot e ngriti në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, paraqet platformën e re të qasjes së shtetit të Kosovës ndaj problemeve të hapura me Serbinë.
Çdo shmangie nga kjo platformë, e kthen Kosovën në ujërat e trazuar të Ujmanit, atje ku përfunduan kauzat e rrejshme të një politike pa kodin atentik të sjelljes dhe qëndrimit.

Fjalimi i Donika Gërvallës:
https://fb.watch/4RKvDOXLcs/