• Today is: Sunday, November 24, 2024

“Kosova nga ‘Naçertanie’ deri te Pavarësia” një libër që detekton radiografinë serbomadhe

fakti
April09/ 2021

Libri faktografik “Kosova nga Naçertania deri te Pavarësia (1844–2008)” nga Jahja Lluka, është përkthyer edhe në gjuhën angleze, dhe deri më tani është shpërndarë nëpër shumë përfaqësi diplomatike, për të dalë në shesh e vërteta për shqiptarët dhe Kosovën

 

Në kujtim të vuajtjeve të shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e tyre nga regjimet serbe, të premten në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, u promovua libri faktografik “Kosova nga ‘Naçertanie’ deri te pavarësia (1844–2008)” i autorit Jahja Lluka.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, theksoi se Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, të cilën e drejton Jahja Lluka, është një shembull shumë i mirë i bashkëpunimit institucional, për të bërë aktivitete me peshë kombëtare, siç janë hulumtimet, botimet apo edhe projektet konkrete, siç është Qendra Përkujtimore “Bllaca ‘99”.

Duke folur për librin, Asani tha se “përderisa fqinjët tanë historikisht kanë projektuar elaborate antishqiptare dhe antinjerëzore me përmasa gjenocidale, shqiptarët gjithmonë kanë qenë në pozita mbrojtëse në trojet e veta, dhe fatmirësisht kanë arritur të mbijetojnë deri në ditët e sotme, meqë kanë qenë në anën e drejtë”.

Rreth rëndësisë së librit me referate u paraqitën studiuesit Zeqirija Ibrahimi dhe Sevdail Demiri, sipas të cilëve, “Serbia pushtuese, qëllimin kryesor për të krijuar Serbinë e Madhe, përmes daljes në Detin Adriatik, synonte ta realizonte pikërisht përmes zhbërjes së shqiptarëve nga trojet e veta. Këtyre veprimeve antinjerëzore i kishin paraprirë programe dhe elaborate të shumta shtetërore që vinin nga majat e politikës dhe akademive serbe, e që në mënyrë mjaft korekte janë pasqyruar në këtë botim”.

Autori i librit “Kosova nga Naçertania deri te Pavarësia (1844–2008)”, Jahja Lluka, foli për programet dhe elaboratet e shumta serbe dhe antishqiptare, të cilat për bazë e kishin Naçertanien e Garashaninit. Ai falënderoi Institutin dhe drejtorin Asani, për bashkëpunimin e sinqertë, veçanërisht në projektin për ngritjen e Qendrës Përkujtimore të Bllacës ’99, e cila do të inaugurohet ditën e nesërme.

Libri faktografik “Kosova nga Naçertania deri te Pavarësia (1844–2008)” nga Jahja Lluka, është përkthyer edhe në gjuhën angleze, dhe deri më tani është shpërndarë nëpër shumë përfaqësi diplomatike, për të dalë në shesh e vërteta për shqiptarët dhe Kosovën.

“Vështrimi i ri teorik që sjell autori Jahja Lluka, është një risi në fushën e historisë dhe në atë të marrëdhënieve ndërkombëtare”, shkruan recensentja Irna Peshkepia – Dobi, në botimin anglisht të këtij libri.

Sipas saj, autori vjen me fakte të reja në këtë botim, “duke na pasqyruar në detaje situata dhe ngjarje të historisë së Kosovës; duke ilustruar gjithë strategjinë serbe ndër vite për asgjësimin e shqiptarëve në Ballkan dhe na vendosë përpara një panorame shumë dinjitoze të qëndrimit dhe mbijetesës shqiptare kundrejt hordhive serbe”.

Baza e konfliktit shqiptaro-serb qëndron në mitizimin e historisë së Serbisë, sipas së cilës çdo territor ku ka kisha e manastire serbe, është dhe duhet të jetë territor i Serbisë.

“Shkak i këtij konflikti është, gjithashtu, miti nacionalist serb i viktimizimit, i cili prodhon deduksionin se serbët fitojnë në luftë dhe humbasin kohë në paqe. Ky mit hipotetik nacionalist e ka zanafillën e ushqyerjes tek popullata serbe, hierarkia e Kishës Ortodokse të Serbisë të cilët e thelluan ketë konflikt për shekuj me radhë”, shton ajo. “Zhvillimet në Kosovë dhe konflikti i saj me Serbinë, kanë qenë dhe mbeten prioritet i shumë studiuesve, por risia e këtij libri qëndron pikërisht në faktet dhe argumentet historiko-politike, ku marrëdhëniet dhe konfliktet ndër etnike vëzhgohen në këtë studim në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare”.