Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH në Shkup rikujtoi se kolosi ynë Hasan Prishtina rridhte nga Drenica, por ai tash më është bërë pjesë e pandarë e gjithë qenies shqiptare, sepse ai kudo që veproi mbolli farën e shqiptarizmës dhe unitetit kombëtar. Sipas Dr. Asanit, ky angazhim i Hasan Prishtinës ishte konkret dhe pjesëe doktrinës së tij kombëtare dhe kjo mund të shihet më së miri në këmbënguljen e tij që Shkupin ta bëjë kryeqendër të Shqipërisë etnike
Të mërkurën Drenica priti një karvan të gjatë njerëzish që kishin ardhur t’i nderojnë dëshmorët dhe të gjithë të rënët për liri, që nga lufta e Shaban Polluzhës, e deri te përpjekja titanike e famljes Jashari, në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari. Pjesë e pandarë e këtyre përpjekjeve ishte edhe sakrifica dhe heroizmi i luftëtarëve të rënë në betejat e luftës së fundit kundër okupatorit serb.
Për të nderuar të gjithë këta luftëtarë, sot në kompleksin memorial të varrezave të dëshmorëve në fshatin Marinë të Skenderajt u organizua një homazh dhe u vendosën lule të freskëta mbi varret e dëshmorëve.
Të pranishëm në këtë homazh ishin kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, Skender Asani, drejtor i ITSHKSH në Shkup, Jahja Lluka, kryetari i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur, studiuesi Mehmet Prishtina dhe shumë veprimtarë e personalitete nga Drenica dhe hapësira shqiptare.
Kryetari Bekim Jashari tha se nderi që po i bëhet të rënëve për liri, është jo vetëm obligim moral e institucional ndaj tyre, por edhe një ndërgjegjësim për rrugën nga duhet të shkojë Kosova, e cila, siç tha ai, duhet të jetë unifikuese në qëndrime e synime, sepse kjo ka qenë edhe kauza e dëshmorëve tanë.
Pjesë e aktiviteteve të sotme ishte edhe nderimi i të rënëve për liri që u bë në varrezat e fshatit Polac, ku gjithashtu u organizua një homazh, me vendosje të luleve të freskëta mbi varret e martirëve tanë.
Me këtë rast Bashkësia lokale e fshatit Polac – Morinë-Kryeshevc-Dashec, iu ndau mirënjohje të rënëve për liri në luftën e fundit të UÇK-së 1998/99 si dhe kontribuesve të çështjes kombëtare të Brigadës “Shaban Polluzha”.
Aktivitetet e sotme ishin hapje e agjendës për shënimin e 100-vjetorit të Hasan Prishtinës – Kryeministër i Shqipërisë.
Ky ishte një rast i mirë të përkujtojmë të gjithë dëshmoret e luftërave tona për liri, komandantët legjendarë Adem Jashari, Shaban Polluzha, dhe sidomos figurën emblematike të Hasan Prishtinës, i cili vazhdon të jetë burim frymëzimi për gjeneratat në përpjekjet për shtetndërtim dhe status dinjitoz të shqiptarëve kudo që janë.
Me këtë rast Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH në Shkup rikujtoi se kolosi ynë Hasan Prishtina rridhte nga Drenica, por ai tash më është bërë pjesë e pandarë e gjithë qenies shqiptare, sepse ai kudo që veproi mbolli farën e shqiptarizmës dhe unitetit kombëtar.
Sipas Dr. Asanit, ky angazhim i Hasan Prishtinës ishte konkret dhe pjesëe doktrinës së tij kombëtare dhe kjo mund të shihet më së miri në këmbënguljen e tij që Shkupin ta bëjë kryeqendër të Shqipërisë etnike. Lidhja e Hasan Prishtinës me Shkupin, tha Dr. Asani, kishte qenë një lidhje që shpërfaqte kauzën madhore të dëshmisë historike mbi kontunuitetin e pandërprerë iliro-arbëro-shqiptar në këto treva ku gjaku për liri i dëshmorëve dhe i gjithë martirëve kishte qenë edhe harta etnike e bashkimit kombëtar për të cilin ishte angazhuar Hasan Prishtina.
Pas Polacit, aktivitetet për shënimin e 100 vjetorit të të Hasan Prishtinës – Kryeministër i Shqipërisë, do të vazhdojnë në Bllace, me 10 prill, ku do të përurohet “Muri i Kujtesës” dhe Parku “Hasan Prishtina”!/ Gazeta FAKTI