• Today is: Monday, November 25, 2024

KONFLIKTI OSMANI-VELIU A MUND TA NDAJË NË DYSH LDK-në?

EA
April11/ 2020

Vjosa Osmani e Agim Veliu, dy nënkryetarët nga tetë sa i ka Lidhja Demokratike e Kosovës, janë përfshirë së fundmi në akuza publike të ashpra mes vete, pas rrëzimit të qeverisë përmes mocionit të mosbesimit që u inicua nga LDK-ja. Por dallimet e këtyre dy zyrtarëve, nga përfaqësues të tjerë të këtij subjekti po vlerësohet se duhet të diskutohen brenda strukturave udhëheqëse të partisë e jo përmes mediave.

Osmani që njëherësh është kryetare e Kuvendit të Kosovës, ka qenë ndër më të zëshmet të partisë së saj në përkrahje të koalicionint me Lëvizjen Vetëvendosje, përderisa bashkëpartiaku i saj Veliu kishte shprehur skepticizëm rreth këtij bashkëpunimi që nga fillimi i negociatave pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.

Megjithatë, Veliu ishte bërë pjesë e qeverisë me kryeministër Albin Kurti, si ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, duke çuar në zgjedhje të parakohshme Komunën e Podujevës që e udhëhoqi deri me 3 shkurt, ndonëse këto zgjedhje nuk janë mbajtur ende për shkak të gjendjes me coronavirusin, shkruan kallxo.com.

Por një deklaratë e tij që u tha se nuk ishte në përputhje me qëndrimin e qeverisë e cila nuk ishte shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të COVID-19, bëri që kryeministri tash në detyrë Albin Kurti, të shkarkonte nga pozita e ministrin Veliu.

Ky veprim i parapriu vendimit të LDK-së që të mos qëndrojë më në bashkëqeverisje me LVV-në, duke rrëzuar kështu qeverinë, pjesë e se cilës është vetë.

Kjo ishte kundërshtuar nga Vjosa Osmani e cila  ftoi të gjithë deputetët të votonin kundër mocionit të mosbesimit ndaj ekzekutivit. Lidhur me këtë kishte reaguar Agim Veliu i cili “ia tregoi derën” asaj për të dalë nga partia.

Që nga ajo kohë, të dy nënkryetarët e partisë kanë polemizuar, sa në paraqitje televizive e sa përmes rrjeteve sociale.

Së fundi nënkryetarja Osmani në një emision në KTV,  tha se Veliu ndonëse nuk kishte marr pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, ishte bërë zëri kryesor i LDK-së, duke shtuar pasi që ishte kundër koalicionit, nuk do të duhej të ishte pjesë e qeverisë.

Kurse, një ditë më vonë, Veliu e quajti Osmanin “përkthyese të presidentit Hashim Thaçi”.

“Përkthyesja e Thaçit, e cila asnjëherë nuk ka guxuar të garojë në zgjedhje në komunën e saj dhe as në degën e saj, po ia konteston legjitimitetin qytetar një fituesi të 15 palë zgjedhjeve të njëpasnjëshme. LDK-ja i kishte ofruar Vjosa Osmanit fillimisht të jetë kandidate për kryetare të Komunës së Mitrovicës, prej nga vjen, por kishte refuzuar. Po ashtu në zgjedhjet lokale të vitit 2017 i është ofruar kandidatura të garonte për kryetare të kryeqytetit, që apriori e kishte refuzuar, duke u arsyetuar se nuk ka kohë”, kishte reaguar mes tjerash, ai përmes Facebook-ut.
Lidhur me këto zhvillime, nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se kjo temë duhet të diskutohet brenda partisë dhe jo jashtë saj, shkruan kallxo.com.

“Kështu që nuk kam ndonjë opinion për momentin për këtë çështje. E vlerësoj qëndrimin e z.Imri Ahmeti [nënkryetar i LDK-së], se nuk është mirë që sendet e brendshme me dalë jashtë dhe me u diskutu të dy nënkryetarët përmes mediave ndërmjet vete. Ai është edhe qëndrim i përafërt që e kam edhe unë”, ka thënë Muhaxheri.

Ndërkaq, nënkryetari tjetër i LDK-së, Imri Ahmeti duke mos përmendur emra, ka deklaruar se nuk do të lejohet keqpërdorimi i “shtëpisë”, për interesa personale.

“Refuzojmë…Refuzimin për të hyrë në vallet personale po e kuptoni gabimisht si arenë tuajën për hesape tuajat personale. Borgj ky vend e kjo shoqni nuk i ka askujt që ushqen urrejtje e mbjellë klimë përqarëse. Refuzimi ynë është refuzim ndaj egove tuaja. Referenca në të kaluarën është paketim i pretendimeve personale. Ju njohim dhe ju pranojmë kontributet tuaj por nuk ju lejojmë të keqpërdorni për interesa tuaja shtëpinë tonë asnjërit”, shkroi ain ë Facebook.

Ahmeti ka shtuar se shtëpia e madhe nuk mund të rrënohet nga individë, pasi nuk është pronë e askujt.

“As kujdestarët që bëjnë aktrimin e të fortit e as ata që bëjnë aktrimin e shpëtimtarëve të vetëshpallur nuk mund të na tërheqin në vallen e orkestruar me vegla e dirigjent sipas shijës tuaj. Refuzojmë këto lojra, refuzojmë këtë kulturë të diskursit. Refuzojmë, Refuzojmë…”, thuhet në publikimin e tij.

Në anën tjetër, deputeti nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli i cili po ashtu ka dal kundër qëndrimit të partisë duke votuar kundër rrëzimit të qeverisë, verëson se polemikat e shpërfaqura, ndoshta këto do të duhej që të shterreshin brenda organeve të partisë.

Por Avdyli thekson se qasja e nënkryetarit Agim Veliu ndaj kolegëve të tij duhet të marr fund, pasi ky i fundit e ka marr primatin e “babës së LDK-së”.

LDK-ja gjithmonë ka pasur një traditë të dialogut, të bashkëbisedimit por edhe respektimit institucional. Zotëri Veliu e ka marr primatin e babës së LDK-së, ku mund anëtarëve të saj edhe  t’ua tregojë derën, por kjo praktikë në historinë e saj [LDK-së] 30 vjeçare nuk ka qenë dhe mendoj që qasja e tij e patronit të LDK-së, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë, sepse tek e fundit askush në LDK nuk është aty për Agim Veliun dhe për asnjë emër të veçantë”, tha deputeti për Gazetën JnK.

Sipas Avdylit është e pakuptimit qasja e Veliut ndaj Osmanit, e cila ka qenë kandidate për kryeministre në zgjedhjet e fundit.

“Ne jemi në LDK për hir të vlerave të saj, traditës, programit, por edhe filozofisë të cilën e ka përfaqësuar presidenti Rugova dhe qasja e tij që personit të cilit hiç më larg se 6 muaj  e kemi vendos në ballë të listës për të fituar besimin qytetar, t’i tregohet dera është e pakutptimë, është anakronike”.

“Në të njëjtën kohë është anakronike edhe fushata linçuese që po bëhet me të vetmin qëllim që pastaj të arsyetohen veprimet e tjera ankronike politike të tyre që po duan t’i marrin. Por votuesi dhe struktura e LDK-së nuk i hanë këto”, ka shtuar ai.

Deputeti ka shtuar se do të qëndrojnë në LDK, pasi sipas tij, askush nuk mund t’ua tregojë vendin përveç elektoratit të partisë, shkruan kallxo.com.

Avdyli mes tjerash bën të ditur se pas këtyre ngjarjeve, kryesia apo nënkryetarët nuk kanë mbajtur ndonjë takim me kryetarin Isa Mustafa.

“Unë po pres që kryetari i LDK-së do ta luaj rolin e vet që të kontribuojë në uljen e këtyre polemikave, por nëse ai merr anë dhe i fryn zjarrit se që njëri nënkryetar nga tetë nënkryetarët, sepse tek e fundit Agim Veliu është vetëm njëri nga tetë nënkryetarët, paska primatin që të tregojë derën atëherë kjo është çështje shumë serioze”, ka thënë ai për Gazetën JnK.

“Por unë besoj që Isa Mustafa si kryetar i LDK-së, do ta luaj rolin e vet dhe do t’i ulë këto tenione të panevojshme të cilat po bëhen për qëllime të caktuara kryesisht rreth rreshtimeve të reja politike”, përfundoi Avdyli.

Në anën tjetër, analisti politik, Blerim Burjani thotë për Gazetën JnK, se LDK-ja kaherë ballafaqohet kriza individuale.

“Kompaktësia e veprimit të përbashkët dhe respektimi i interesave të partisë e jo individit është për shqyrtim që duhet ndodhë brenda këtij subjekti, lufta për pushtet është format ndërmjet individëve”, ka thënë ai.

Sa i përket qëndrimeve të nënkryetares Vjosa Osmani, Burjani thekson se partia ka program dhe bindje politike për bashkëveprim të arritjes së qëllimeve programore të përbashketa, por jo individuale.

“Ne këtë kontekst në parti mund të ketë mendim ndryshe, por jo vendim kundër partisë si në rastin e votimit të  mocionit”, thotë ai, duke shtuar se epilogu i LDK-së rreth këtyre kundërshtimeve pritet të dalë pas dy a tre muajve, siç thotë ai afër kohës së mundësisë për zgjedhje të reja parlamentare”, tha ai.

Krizat brenda LDK-së nuk kanë qenë të rralla në vitet e funksionimit të saj si parti dhe ato shpesh kanë qenë për javë e muaj të tërë temë debati në publik.

Në vitin 2006, partia ishte ndarë në dysh pas mosmarrëveshjeve brenda saj rreth drejtuesit të partisë pas vdekjes së liderit të deriatëhershëm, Ibrahim Rugova.

Edhe në vitin 2016 LDK kishte përjetuar një krizë kur Vjosa Osmanit nuk iu lejua të kandidojë për kryetare të partisë. / Gazeta FAKTI