• Today is: Monday, April 29, 2024

Preshevarët e pamësuar që të uleshin në prehërin serb, iu kthyen vetvetes

fakti
April06/ 2021

Mu në kohën kur Serbia në emër të kërcënimit nga jashtë, ka përqafuar totalitarizmin, politika preshevare e ka hapur mendjen, duke ofruar alternativa të shumta dhe e ka nxitur debatin madje edhe në parlamentin serb, pa lënë asnjë temë tabu. Partitë politike, edhe kur nuk arrijnë të merren vesh, nuk po acarohen, por po shkojnë në zgjedhje për t’u marr vesh sërish, sipas besimit të arbitrit

Nga Nijazi IDRIZI

 

Lugina e Preshevës është parzmorja e shqiptarisë. Ajo me vetëbesim ka ecur rrugës së lirisë dhe të mbijetesës. Këtë e ka dëshmuar mu në kohën e terrorit serb të Rankoviqit, kur për ta sfiduar atë

dhunë, Preshevën e tyre e quanin Tirana e vogël! Me më pak se 100 mijë banor e sfidoi edhe me luftë  shtetin 7 milionësh serb, të cilin e drejtonte një kasap. Kjo trevë shqiptare, edhe pse u shtrëngua ta ndërpres luftën për liri, pa marrëveshje politike, nuk e prishi gjakun. Nuk e prishi as kur me kërkesën e oligarkëve tanë, nuk u përfshi në bisedimet e Vjenës, “në emër të zgjidhjes suksesive të problemeve kombëtare”, kur iu thanë: “Rrini urtë”!

Ata nuk bënë zë as kur ua hoqën me dhunë lapidarin e luftës, as kur ia ndaluan abetaren e gjuhës shqipe. Madje nuk bënë zë as atëherë kur Qeveria e Kosovës ua vendosi taksen e kalimit të kufirit. Megjithatë, preshevarët e pamësuar që të uleshin në prehrin serb, ku i shtynin, iu kthyen vetvetes.

Partitë e tyre artikuluan politika gjithëpërfshirëse. Nuk i mbyllën dyert për askënd: as për Serbinë as për Shqipërinë, as për Kosovën, as për Maqedoninë. I profilizuan politikat e tyre për përfaqësimin e interesave të të gjitha shtresave të shoqërisë preshevare, duke u bërë shembull.

Po punojnë me ngulm që të bëhen zë polifonik që do të dëgjohet larg. Edhe pse janë shtuar partitë, ato nuk po i pengojnë qytetarët në zgjedhjet e tyre. Përkundrazi, mu në kohën kur Serbia në emër të kërcënimit nga jashtë, ka përqafuar totalitarizmin, politika preshevare e ka hapur mendjen, duke ofruar alternativa të shumta dhe e ka nxitur debatin madje edhe në parlamentin serb, pa lënë asnjë temë tabu. Partitë politiket, edhe kur nuk arrijnë të merren vesh, nuk po acarohen, por po shkojnë në zgjedhje për tu marr vesh sërish, sipas besimit të arbitrit.

E vetmja dobësi e organizimeve politike preshevare është mungesa e profilizimit të tyre, për tu bërë përfaqësuese të vërteta të shtresave dhe grupeve shoqërore. Për tu “distancuar” nga partitë e majta kriminale serbe, të gjitha partitë pretendojnë se janë profile të qendrës së djathtë. Diferencimi i tyre edhe në këtë drejtim, do ta shtonte vëllimin e punëve dhe do ti bënte ato perfekte.

Në këto zgjedhje kanë konkurruar 7 parti e iniciativa: 6 shqiptare dhe 1 serbe.

Partia Demokratike Shqiptare dhe Partia për Veprim Demokratik, janë parti të traditës të cilat e filluan pluralizmin në Luginë në vitet ’90-ta. Kanë qenë të përfshira në të gjitha aktet politike të shqiptarëve në ish Jugosllavi, të cilat u bënë dokumente referuese për të gjitha nismat kombëtare edhe në Luginë. Kanë kultivuar raporte të afërta me Kosovën dhe Shqipërinë, por nuk kanë arritur të sigurojnë mbështetje materiale nga ato, për ta mbajtur popullin në tokat e veta. Si parti lideriste, nuk e kanë kultivuar demokracinë e brendshme.

Partia Demokratike Shqiptare, ka ndjekur kurs refuzues, për pavarësim politik të Luginës nga Beogradi. Pushteti i gjatë i ka bërë udhëheqësit e saj të ngathët dhe pa ide të reja të qeverisjes. Për shkak të bunkerizimit të klanit dhe ndarjes së kulaçit për klientelë politike, nuk ka mundur të

reformohet. Si pasojë e pakënaqësive të të rinjve, ka ardhur deri te ndarja e saj. Pas rezultatit të dobët edhe në këto zgjedhje, pritet ta hap debatin e brendshëm për reformim. Në të kundërtën, rrezikon të dal nga tregu i votës.

Partia për veprim Demokratik, e udhëhequr nga një femër energjike, arriti ta ruaj elektoratin e vet në Preshevë. Strategjia e koncentrimit vetëm në Preshevë, (pa mbështetjen nga Bujanoci dhe Medvegja), doli të jetë joefikase për fitore. Në raport me Serbinë kjo parti nuk e ndoqi as rrugën e lutjeve e as të konfrontimit, por atë të ankimimit, të cilat i artikulonte me fjalor humanitar. Rezultati në këto zgjedhje e radhiti si parti konkurrente për tu përfshirë në pushtetin lokal.

Alternativa për Ndryshim, është një organizim i ri politik i themeluar nga një grup i të rinjve të cilit i printe një i panjohur i ardhur nga Perëndimi. Me një program ekonomik interesant dhe me një fjalor social, pa ngjyrime  kombëtare, arriti një sukses spektakolar që në fushatën e parë. Ajo është meritore për dinamizimin e jetës politike dhe për heqjen e dallimeve të theksuara fshat-qytet. Me guxim e hapi debatin për disa tabu tema që kishin të bënin me përgjegjësitë e shtetit serb ndaj shqiptarëve të Luginës, të cilët Serbia për gati dy decenie i kishte dënuar me harresë, për pastrimin etnik të saj.

Lëvizja për Reforma, është organizim i të rinjve të shkëputur nga PDSH të cilët e kanë zënë pozicionin e reformatorëve. Target i tyre janë intelektualët dhe profesionistët e lënë anash. Ky organizim, edhe pse me moshë të re, është bartës i një pjese të rëndësishme të trashëgimisë  demokratike dhe guerile të Luginës. Kjo falë udhëheqësit të saj i cili po i afirmon këto vlera të cilat janë goditur pa pushim. Në raport me Serbinë, nuk janë as luftës as ankimues e as refuzues, por janë pozicionuar si organizim që i kërkon të drejtat e minoriteteve bazuar në të drejtën ndërkombëtare, në parimet integruese evropiane dhe në kushtetutën e vet shtetit serb. Në themel të politikës së saj janë vendimet e 3 Kuvendeve (Preshevë, Medvegjë, Bujanoc), si institucion ku unifikohen dhe avancohen politikat e përbashkëta. Duket që kjo lëvizje ka projekt për shtrirje edhe në dy komunat tjera. Në këto zgjedhje ajo e dyfishoi votën dhe është fituese reale e morale e tyre, madje duke ia dhënë udhëheqësit të saj epitetin, Albini i ardhshëm i Preshevës.

Rezultatet e zgjedhjeve fituese nxorën Alternativën për Ndryshim. Por, numrat e pamjaftueshëm ia imponojnë nevojën për koalicione qeverisës. Mundësit për zgjedhjen e partnerit,

për shkak të sjelljes inferiore të saj ndaj partnerëve sa ishte në pushtet, akuzave të rënda të opozitës dhe deri diku edhe për shkak të diferencave politike, nuk janë të lehta. Koalicioni me PDSH-në edhe pse me numra është i qëndrueshëm, mund të jetë rrënues për imazhin e kësaj të fundit. Po ashtu, edhe koalicioni me Partinë për Veprim Demokratik e mundëson qeverisjen me numra, por kjo është vështirë të arrihet për shkak të akuzave publike, shumë të rënda.

Në anën tjetër, është i mundur edhe koalicioni qeverisës i partive humbëse të zgjedhjeve, por këtë mund ta ngatërroj grindja për ndarjen e pushtetit, e ndoshta edhe debati për të ardhmen e PDSH-së he Lëvizjes për Reforma, i cili do të hapet domosdo.

Sido që të bëhet, duket që pushteti i ri i Preshevës, do ta ketë të zorshme të zgjas 4 vjet.

Duhet të theksohet fakti se një pushtet stabil në Luginën e Preshevës është i domosdoshëm si asnjëherë tjetër. Kjo për faktin se në Serbinë “demokratike” praktikisht nuk ka opozitë serbe. Të vetmit opozitar janë shqiptarët dhe boshnjakët. Prandaj, nëse ato duan të ju dëgjohet zëri, një mandat i tillë është i domosdoshëm.

PRESHEVA, DORËHEQJET DHE ZGJEDHJET E PARAKOHSHME | PreshevaPRESS