(Tahir Sezen , “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare (Emrat e vendeve dhe statusi i tyre)”, përgatiti dhe përktheu: Dr. Hatixhe Ahmedi, botues: Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës)
Nga Emin AZEMI
Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës këtyre ditëve ka botuar librin “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare (Emrat e vendeve dhe statusi i tyre)”, e autorit Tahir Sezen, njëri nga veteranët më të shquar të arkivistikës së Turqisë, përgatitur dhe përkthyer nga studiuesja e pasionuar e periudhës Osmane, Dr. Hatixhe Ahmedi.
Ky libër është i rëndësishëm si për pasurimin e trashëgimisë toponomastike me një fond bukur të pasur emërvendesh, ashtu edhe për qasjen specifike që ka përdorur studiuesja, Dr. Hatixhe Ahmedi, gjatë përgatitjes së këtij libri për lexuesin shqiptar.
Kontributi i saj i veçantë është se ajo duke u bazuar në veprën origjinale “Osmanli yer Adlari” e autorit Tahir Sezen, që ka marrë disa dekada punë, i botuar dy herë në Turqi, ka përzgjedhur vetëm ato pjesë të cilat kanë të bëjnë me emrat e vendeve shqiptare, ose në hapësirën e dikurshme të katër vilajeteve shqiptare dhe atyre përreth, duke i përfshi në një libër të ri me një emër të ri “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare (Emrat e vendeve dhe statusi i tyre)”.
Kur një libër paraprak bëhet objekt studimi e hulumtimi nga një e më shumë autor dhe kur ai libër i nënshtrohet një dioptrie të re, atëherë lirisht mund të themi se bashkëautore e librit që tani kemi në duar është edhe Dr. Hatixhe Ahmedi, e cila në rastin konkret nuk na paraqitet vetëm si përkthyese, por edhe si një sqaruese dhe plotësuese e aparaturës shkencore të librit me poshtëshënime të reja, që janë gjithsej 638 sish, sidomos për një numër të konsiderueshëm vendbabmiesh që aktualisht nuk administrohen nga shqiptarët.
Burimet kryesore për këto shënime, studiuesja Hatixhe Ahmeti i ka gjetur në Kamus al-Alam , Encikopedia e famshme e Sami Frashërit, pastaj në Enciklopedinë Islame të Turqisë, Enciklopedinë Kroate dhe në një listë të gjatë me literaturë nga autorë të ndryshëm shqiptarë dhe jo shqiptarë, në mesin e të cilëve shquhen edhe Antonio Belusci, Doris Stockman, Dhimitër Dora, Fatos Mero Rrapaj, Gavro A. Škrivanić, Halil Inalxhik, Konrad Clewing, Robert Elsie, Oliver Shmid, Selami Pulaha, Skender Anamali, Srebranov Rumen, Yarbay Bekir Fikri etj.
Fakti që në gjuhën shqipe vjen një punë e përkushtuar hulumtuese që është produkt i përzgjedhjes dhe mbindërtimeve sqaruese, me burime relevante e tepër kredibile, bën që botimin e këtij libri ta cilësojmë si një ngjarje që shënon kthesë në fushën e studimeve mbi origjinën e emërvendeve në kohën e Perandorisë Osmane.
Emërvendet janë trajtuar dhe janë radhitur sipas renditjes alfabetike shqipe dhe jo sipas alfabetit turk, i cili siç e thotë studiuesja Hatixhe Ahmedi, ka disa shkronja që nuk i ka alfabeti shqip, dhe për rrjedhojë emërvendet dalin me një renditje tjetër.
Në fund të librit është përfshi një indeks shtesë me emrat e vendeve, së bashku me burimet dhe literaturën e shfrytëzuar.
Libri “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare (Emrat e vendeve dhe statusi i tyre)”, promovohet të hënën në ITSHKSH në kuadër të aktiviteteve të Departamentit të marrëdhënieve shqiptaro-osmane, si dhe fryt i një bashkëpunimi tash më të zyrtarizuar me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.
Studiuesit e ITSHKSH që do të merren me të kaluarën osmane dhe pikëtakimet me botën shqiptare, do ta kenë për bazë edhe këtë vepër dhe sidomos studiuesen Dr. Hatixhe Ahmedin, e cila deri më tani ka dëshmuar integritet të lartë shkencor e hulumtues në arkivat e Turqisë, ku nuk kanë munguar edhe eksplorimet e dokumenteve autentike mbi të kaluarën e trevave shqiptare dhe të personaliteteve tona kombëtare që kishin vepruar dhe punuar për kauzën shqiptare në kohën e Perandorisë Osmane, siç ishin Ismail Qemali, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Hasan Prishtina, Hoxha Tahsini, Familja Qiriazi etj.