Pjesë nga libri i Skender Latifit “Ashtu ka qenë, Bisedë me Latinka Peroviq, historiane, poltikane dhe intelektuale serbe”.
Latinka Peroviq
Kontaktet me shqiptarët
– Kur i keni takuar shqiptarët për herë të parë, në Kragujevcin e lindjes, apo gjatë studimeve në Beograd, mendoj në periudhën kur ata punonin si punëtorë fizik në Beograd?
– Unë e di se ju jeni refuzuese ndaj nacionalizmit, por më intereson se cilat janë ato rrëfime të cilat ju i keni dëgjuar për herë të parë për shqiptarët?
Për herë të parë, shqiptarët i kam takuar në Beograd, në vitet e studimeve. Shqiptarët atëherë punonin kryesisht si punëtorë fizik, punonin në pastrimin publik, punonin si hamallë.
Në fakt kjo ishte një pasqyrë e përgjithshme e perceptimit të shqiptarëve edhe para se unë t’i takoja ata si pjesëtarë të një kombi që kishte një histori të veçantë.
Më vonë jam takuar me shqiptarët nëpër literatura, i kam takuar nëpërmjet politikës internacionaliste të Partisë Komuniste ndaj shqiptarëve, kurse më seriozisht dhe më shpesh i kam takuar nëpërmjet serbëve të cilët e përfaqësonin Kosovën në organet jugosllave dhe serbe, në kohën kur kam qenë aktive në politikë.
Fillimisht në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore dhe disa vite më vonë, në organet më të larta të Jugosllavisë dhe të Serbisë së atëhershme, Kosovën e kanë përfaqësuar kuadrot serbo-malazeze, që kryesisht kanë qenë pjesëmarrës aktiv të Luftës së Dytë Botërore.
Por, realitetin shqiptarë më së shumti kam njohur gjatë vizitave personale në Kosovë. Imazhet e Kosovës së atëhershme ishin shumë të zymta. Kosova ishte një territor i pazhvilluar dhe i prapambetur.
Në kohën kur unë kisha filluar të shkoja atje, ende ishin prezente pasojat e pushtetit ushtarak në Kosovë. Më kujtohet shtangia ime, kur u takuam me sekretarin e Komitetit Krahinor, Dushan Mugoshin Duçin, i cili e mbante revolen në brez edhe pse ai nuk mbante uniformë ushtarake e as policore. Por, imazhe të tilla do të më përsëriten edhe më vonë. Qysh atëherë e kuptova se prej të gjithë Jugosllavisë, Kosova ishte njëra ndër zonat më të pasigurta. (…)
(…) Por, më duhet të them se isha takuar edhe me ato raportet e tendosura mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Shumë herët fillova të ju përkisja njerëzve të cilët ndaj këtij raporti jo të mirë të këtyre dy kombeve, kishin qasje më të hapur seç ishte e zakonshme, ose, të them, nuk ia lejova vetvetes që të bija në grackën e stereotipave për shqiptarët, të cilët ishin prezent gjerësisht në atë kohë.
Mund të them se kishte edhe politikanë të tjerë serbë të cilët po ashtu nuk e pranonin atë fotografinë e zymtë dhe jo shpresëdhënëse për shqiptarët. Në njerëz të këtillë e llogaris, Milentije Popoviqin. Prandaj, po ua cek faktin se pas çdo vizite të realizuar në Kosovë, ia paraqisja Popoviqit në bisedë përshtypjet e mia.
Ai më pat thënë se gjendja reale ishte ashtu si e paraqisja unë dhe pastaj fillonim të bisedonim për ndryshimet kushtetuese, për çështjen e Kosovës, se ne serbët ishim të vetmit kundër përparimit të Kosovës, kurse të tjerët (përfaqësuesit e njësive federale të Jugosllavisë) anonin kah shqiptarët etj (…)
Siç kalonte koha, zbuloja anën më të pakëndshme të marrëdhënieve ndaj shqiptarëve. Unë e çmoja shumë gjeneratën e luftës me në krye Fadil Hoxhën, Xhavit Nimaninetj. E kuptoja se këta njerëz para se gjithash ishin të ndikuar nga rrethanat historike që të merreshin me politikë, por nuk iu mungonin aftësitë e konsiderueshme shtetërore.
Më kishte rënë në sy se ata në një mënyrë diskrete diplomatike, iu kishin kundërvënë politikës represive në Kosovë, politikës së terrorit në Kosovë, por gjithmonë llogarisnin realitetet politike të Jugosllavisë së atëhershme, më pastaj ata e kishin parasysh edhe situatën e gjithëmbarshme në Ballkan.
Ishte e qartë se ata çdo herë do të shkonin pas rrymave dominante në Partinë Komuniste të Jugosllavisë, para së gjithash ata duhej ta mbanin anën e Titos dhe nuk isha fare e befasuar se ata, të themi, në llogaridhënien me kryesinë partiake serbe në vitin 1972 ishin kundër kësaj kryesie.
Jam e bindur thellë edhe sot e kësaj dite se udhëheqja e atëhershme partiake e Serbisë (e brezit tim), ishte konsekuente në luftën për barazi të shqiptarëve, për një qasje të re të politikës serbe ndaj çështjes kosovare. Dhe me largimin tonë nga politika kreu kosovar ishte i vetëdijshëm se ajo politikë ishte ndërprerë, ishte penguar…
Mirëpo, siç e ceka më lartë, qëndrimin e politikës kosovare në atë kohë në mënyrë shumë pragmatike e ka shprehur Fadil Hoxha në mbledhjen e XXI të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë në Karagjorgjevë në dimrin e vitit 1972, kur ai deklaroi: “Unë jam për shokun Tito”. (…)
Konferenca e Bujanit në Malësi të Gjakovës (1943)
– Po kthehemi pak më herët. Si është trajtuar në përgjithësi Konferenca e Bujanës (31 dhjetor 1943 – 2 janar 1944) në Jugosllavinë e atëhershme?
– T’ju përkujtoj se me Rezolutën e asaj konference kërkohej që Kosova t’i bashkëngjitej Shqipërisë, kurse në mesin e firmëtarëve të këtij dokumenti ishte edhe njëri nga udhëheqësit e lëvizjes komuniste në Kosovë, Pavle Joviçeviq.
Ato variante ekzistonin. Në një burim unë e kam gjetur bisedën e Titos me Aleksandar Rankoviqin ky ku i fundit i thotë qartë Titos se: “Nuk duhet të dalësh para serbëve me idenë që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë, sepse Kosova është shumë prezente në vetëdijen e serbëve”. Kështu që, ai opsion ishte refuzuar në zanafillën e krijimit të federatës Jugosllave.
Pastaj është ideja e Federatës Ballkanike, e cila nënkuptonte edhe përfshirjen e Shqipërisë brenda kësaj federate. Por, Jugosllavia kishte ecur para drejt një lëvizje autentike dhe nuk kishte kthim prapa. Pavarësia e plotë e Jugosllavisë ishte forcuar në vitin 1948 gjatë kohës së Informbyrosë, prandaj të gjitha idetë për ndryshimin e kufijve të Jugosllavisë së atëhershme në atë kohë kanë qenë joreale.
[Informbiroja- Në vitin 1948 erdhi deri tek konflikti Stalin – Tito kur udhëheqësi iatëhershëm i RSFJ refuzoi t’i përgjigjet diktateve të Stalinit. Si pasojë e konfliktit Stalin – Tito, në Jugosllavinë e atëhershme u burgosën me mijëra njerëz, në mesin e tyre edhe personalitete të njohura shqiptare. Veretjte S.L.]
Politikat ekspansioniste serbe në dëm të shqiptarëve
– Si i shikoni marrëdhëniet shqiptaro-serbe gjatë periudhës së fundit të Perandorisë Osmane në Ballkan?
Kuptohet, marrëdhëniet serbo-shqiptare ashpërsohen edhe më tepër pas fitimit të pavarësisë shtetërore, pas shpalljes së Mbretërisë Serbe, dhe tashmë këto raporte do të përcaktohen sipas kësaj linje të ideologjisë kombëtare për çlirimin dhe bashkimin e popullit serb, në thelb, nëpërmjet shtrirjes dhe ekspansionit territorial. Kështu Luftërat Ballkanike, depërtimi i Serbisë nëpër Shqipërinë e Veriut, ishte futja në dorë e territorit të huaj dhe ky okupim i ka dhënë vulë dëmtuese marrëdhënieve shqiptaro-serbe në fillim të shekullit të XX. Po ashtu, edhe situata pas Luftërave Ballkanike dëshmoi se atje (në Kosovë, Maqedoni, në Luginë të Preshevës, ku jetojnë shqiptarët dhe kur këto vise pas vitit 1912 u përfshinë në shtetin serb) kurrë nuk ishin zbatuar ligjet të cilët ishin në fuqi në Mbretërinë Serbe. Qe ky një status kolonial të cilin shteti serb e vendosi mbi shqiptarët e atjeshëm dhe i cili i vështirësoi dhe i ashpërsoi marrëdhëniet serbo-shqiptare gjithnjë në faza të ndryshme dhe në tërësi.
– Në cilën kohë Serbia fillon me u marrë me shqiptarët, pra edhe qeveria e saj shtetërore etj?
Qarqet shtetërore serbe, shumë herët e kanë vendosur në rend të parë, doktrinën e pretendimeve territoriale kundër tokave shqiptarëve. Dhe thënë drejt, Serbia kurrë nuk lëvizi nga doktrina e politikës ekspansioniste kundrejt shqiptarëve. Ndërkaq, fillimisht shkenca serbe në fund të shekullit të XIX në mentalitetin e qytetarit serb rrënjosi imazhin e “shqiptarëve të egër” dhe më vonë filloi zbatimin konkret të politikës ekspansioniste kundër shqiptarëve. Megjithatë krahas parashenjave negative u shfaqën edhe ato le të themi pozitive. Parashenjë negative ishte kur mbreti Aleksandër kishte nisur kolonizimin e viseve shqiptare. Ai u kishte dhënë kolonizatorëve serbë prona, shtëpi, kafshë. Por, kolonizimi nuk kishte pasur sukses sepse, siç thoshte ai, “Ishte kjo një ndeshje e dy kulturave kundërshtuese”. Ndërkaq parashenjë pozitive ishte kur në Beograd, brenda universitetit, u ngrit Katedra Shqiptare, e cila veproi deri para fillimit të Luftës së Dytë Botërore.
– Megjithatë dua të flasim edhe për projektin serbomadh të “Naçertanies”. Çfarë mendoni për programin nacionalist “Naçertania” të Ilija Garashaninit?
Lidhur me atë projekt hegjemonisto-nacionalist, ekziston njëfarë mistifikimi. Ai projekt fillimisht ishte plan i emigracionit polak. Ilija Garashanin vetëm e reduktoi atë, pra e bëri përshtatjen e tij. Ishte kjo një ide që rikthehej, e cila u tregua, faktikisht, e parealizueshme. Nuk mund të realizohej Serbia e Madhe sepse, para së gjithash, një numër i madh i serbëve do të mbeteshin jashtë kufijve të saj. Në të njëjtën kohë, brenda kufijve të sajë do të jetonin shumë joserb. Mos të harrojmë se bota gjithnjë shkon drejt multikulturalizmit dhe drejt hapjes, gjë që shihet qartë çdo ditë e më tepër, prandaj planet e tilla si Naçertania vdesin akoma pa lindur.
– Cilët ishin ato qarqe intelektuale, të kohës së Ilija Garashaninit, të cilat e përkrahnin politikën e zgjerimit të Serbisë dhe të cilat kishin vendosur, aso parimesh të cilat varrosnin çdo mundësi bashkëpunimi mes serbëve dhe shqiptarëve? Konkretisht, cilët ishin indikatorët të cilët e nxisnin politikën e këtillë?
Para së gjithash ishte Kisha e Serbisë me idenë e shtetit etnik serb. Pastaj elitat politike, të organizuara në parti politike, sidomos Partia Popullore Radikale. Pra, duket qartë se “Naçertania” nuk u realizua, por si ide ajo vazhdoi, mbijetoi madje ajo u përsërit edhe në gjysmën e dytë të shekullit të XX në Serbi, nëpërmjet ndasive brenda Partisë Komuniste. Pra e pranuam apo jo, fatkeqësisht kjo ide depërtoi në institucione dhe e cila gjithnjë përpiqet që patjetër ta imponojë një vetëdije të caktuar që në vete barte tharmin e egër nacionalist. Por, nuk e kam të qartë se pse në Serbi edhe sot nuk kuptohet vetvetiu se çka mund të fitohet me një orientim të këtillë politik? (…)