• Today is: Monday, April 29, 2024

NJË GRUSHT DHE SHPIRTI NGA MËRGATA!

fakti
April01/ 2021

(Në ditën e varrimit, për profesor Naim Bashën)

 

I dashur Profesor Naim!
Ti sot po i kthehesh Kosovës, po i kthehesh Shqipërisë, po i kthehesh Atdheut tënd. Ti, sot po i kthehesh Dheut tonë të shenjtë, të cilin e deshe aq shumë e me aq përshpirtëri, të cilin e pate ideal jetësor. Po i kthehesh Qytetit tonë, që gjithë jetën të pati pishtar të dijes, ideal kombëtar e dritëdhënës të pashuar kurrë. Profesor Naim, Ferizaj të deshi dhe të mbajti përherë në zemrën e tij. Ai të deshi me çdo zemër e me çdo shtëpi. Qyteti ynë, të deshi dje, të do sot e përherë. Edhe sot, ketu je i pranishëm si gjithmonë. I urtë, i ditur, e hyjnor. Profesor i dashur, të kemi të pranishëm kudo e përherë me veprën monumentale që krijove, sakrificën e pafundme që bëre dhe idealin e shenjtë, që ndërtove. Profesor i dashur, jemi me mijëra ata të cilëve, Ti na e vure nga një dritë në dorë, na ndërtove një ideal në shpirt, na e besove një angazhim në jetë. Ti, na e dhe dritën e diturisë, na e mbushe zemrën me idealin e lirisë. Ti, na e bëre detyrim jetësor çlirimin dhe bashkimin e Kombit. Profesori ynë i dashur, jemi me mijëra ata që dhuna e robëria ndaj Atdheut, na ka shpërndarë anë e kënd globit. Ndaj e kemi të pamundur që sot të jemi të pranishëm dhe të të përcjellim në rrugëtimin tënd të fundit. E kemi të pamundur që sot mbi varrin tënd të hedhim nga një grusht dhe në këmbim të dritës, që Ti na e dhe secilit prej nesh. Dhe këtë pamundësi nuk na e krijon largësia, sepse nocionin e largësisë, Ti na kishe mësuar që ta kapërcenim, atëherë kur na bëre t`i besonim lirisë, edhe kur ajo ishte tepër larg dhe nuk dukej askund. Është rrethana e përbotshme, e cila na e bën të pamundur që ne dot ta përmbushim këtë detyrim ndaj teje. Ndaj çdonjëri nga ne, të përcjellim nga një grusht dhe shpirti!
Të qoftë i lehtë dheu i Atdheut dhe i përjetshëm kujtimi e nderi i kombit!
Gani Bytyçi
(ish-nxënës)
Cyrih, 01 prill 2021