(Në vend të homazhit)
Profesor Naimi, do të na mungojë shumë, gjatë, përherë. Deri në dhembje. Ai do t`i mungojë qytetit dhe qytetarëve tonë, atyre që i deshi dhe e dashën aq shumë. Do të na mungojë, të gjithë ne ish-nxënësve të tij, ne që na mësoi për jetën, na mësoi për atdheun, për gjuhën, për kulturën, për lirinë, për fisnikërinë.
Nga Gani BYTYÇI/ Cyrih
Me dhembje, mësova se (në Belgjikë, atje ku jetonte prej kohësh), ishte shuar një nga figurat me të ndritshme të arsimit në Kosovë, profesori im në Normalen e Ferizajt, Naim Basha. Qyteti im paska humbur Njerun e tij më të respektuar, më të dashur e më të çmuar. Paska humbur Fisnikun e tij. Ai ishte njeri me kulturë, fisnik i vërtetë, atdhetar i patrembshëm dhe tërësisht i përkushtuar. Ishte njeri me rrezatim hyjënor. Ishte idealist i lirisë së Atdheut! Pedagog e profesor i pa shoq, me dije e kulturë atdhetare, gjuhësore, letrare e njerëzore, të pakrahasushme! Ai kishte një ndjenjë krejt të veçantë, që e dallonte prej gjithë të tjerëve. Ishte përafrus, përbashkus i papërsëritshëm. Kishte dhe atë ndjenjën e mbrojtjës dhe përkujdesit ndaj nxënësve e të rinjëve, të cilën rrallë ndonjë tjetër e kishte. Ne nxënësit, atë e kishim pedagog, prind, mik, vëlla e familjar. Por në veçanti, Profesorin e kishim mbrojtje ata që kishim problem me pushtin e atëhershëm. Ai ishte engjulli ynë. Gjithmonë i kujdeshëm, mbrojtës i të gjithëve, shumë i dashur e i perkushtuar deri në sakrificë.
Prej çlirimit të Kosovës, ishim mësuar ta takonim (në Ferizaj), gjatë pushimeve të verës. Herën e fundit u pamë në verën e vitit 2019. Përqafimin prindor e vëllazëror, që na e bënte, na ngelej gjatë. Gjithnjë i buzëqeshur e dashamirës, elegant i fjalës, i qëndrimit dhe i çdo veprimi. Njeri që rrezatonte dije, kulturë, dashamirësi, mirësjellje e respekt.
Profesor Naimi, do të na mungojë shumë, gjatë, përherë. Deri në dhembje. Ai do t`i mungojë qytetit dhe qytetarëve tonë, atyre që i deshi dhe e dashën aq shumë. Do të na mungojë, të gjithë ne ish-nxënësve të tij, ne që na mësoi për jetën, na mësoi për atdheun, për gjuhën, për kulturën, për lirinë, për fisnikërinë. Na mësoi për vlerat. Për njerëzoren! Ne e gjithë qyteti ynë ishim me shumë fat që e kishim por jemi tepër të pikëlluar që na paske ikur kaq papritur!
Do të të kemi përgjithmonë në kujtimin tonë, Profesor Naim Basha!
U prehtë në paqe dhe i pastë shpirti dritë!
Ngushëllime Familjes, farefisit, miqve dhe ish-nxënësve të Profesor Naimit!