Gijotina e formulës misterioze statistikore (20%)ka gjymtuar zhvillimin normal të shqiptarëve, duke i detyruar ata të ulin kurrizin dhe të futen nën plafonin artificial të 20 përqindëshit. Mbase, formula statistikore e 20 përqindëshit nuk korrespondon realisht me gjeografinë etnike të shqiptarëve në Maqedoni dhe me nevojat imediate etno – kulturore, ekonomike e sociale të tyre
Nga Emin AZEMI
Shqetësimi që vjen nga demografia e ngatërruar e “maltusëve” modern, sërish po projektohet gabimisht mbi teori e supozime për numrin e shqiptarëve në Maqedoni. Ata duan që shqiptarë këtu të ketë sa më pak, në mënyrë që fuqia vendimmarrëse e tyre të margjinalizohet dhe të reduktohet në përmasat e një grupi etnik pa ndikim faktorizues. Por, demografia si shkencë është më kokëfortë se teoritë maltusiane.
Por, realisht, të gjitha projeksionet komparative thonë se në Maqedoni ka më shumë shqiptarë se sa që kanë dëshirë t’i paraqesin stastistikat zyrtare. Janë disa parametra që tregojnë se numri i shqiptarëve është mbi 30 për qind. Numri i nxënësve nëpër shkolla, shtimi natyror, abonentët e telefonisë mobile, poseduesit e pasaportave, janë disa nga këta parametra që rrëzojnë për toke të gjitha tezat manipulative mbi numrin jo të realt të shqiptarëve.
Kurthet e 20 përqindshit!
Një kohë të gjatë po përdoret 20 përqindshi i popullatës shqiptare në Maqedoni, që tash më është bërë edhe kategori kushtetuese, një shifër e zbuluar kjo që ka shërbyer si gurë kilometrikë që ndanë dy shpejtësitë e jetës politike në Maqedoni. Fatkeqësisht në kurthin e këtij 20 përqindëshi kanë rënë edhe faktorët politikë shqiptarë. Për rrjedhojë, gijotina e kësaj formule misterioze statistikore ka gjymtuar zhvillimin normal të shqiptarëve, duke i detyruar ata të ulin kurrizin dhe të futen nën plafonin artificial të 20 përqindëshit. Mbase, formula statistikore e 20 përqindshit nuk korrespondon realisht me gjeografinë etnike të shqiptarëve në Maqedoni dhe me nevojat imediate etno- kulturore ekonomike e sociale të tyre. Prandaj, duhet të mbisundojë një koncensus i brendshëm shqiptar për heqjen e kuotës së 20 përqindëshit nga të gjitha formulimet ligjore e kushtetuese, ku derivohet një status abstrakt dhe eklektik për shqiptarët, dhe për pasojë kjo formulë numerike nuk shpreh kurrfarë atributi shtetformues për shqiptarët.
Por, gjithsesi,kjo është edhe një arsye për një mobilizim shtesë të shqiptarëve brenda dhe jashtë në diasporë për t’u regjistruar, sepse kjo është përgjigja më e duhur ndaj të gjithë atyre që projektojnë kuota minoritare për shqiptarët autokton në një shtet që ende ka probleme identitare.
Boshatisja e fshatrat maqedonase, një fatamorganë e politikës së ditës
Çuditërisht, kontestimi i numrit të shqiptarëve vjen gjithmonë nga ata që kanë probleme me identitetin e tyre dhe zelli për të prejudikuar shifra që minimizojnë faktorin shqiptar, në fakt fshehin një të vërtetë që ata nuk duan ta pranojnë publikisht. Ata, duke u marrë me, gjoja, parëndësinë demografike të shqiptarëve si numër që qenka në nivele të ulëta, po mundohen të fshehin boshatisjen e fshatrave e qytezave të tëra në Maqedoninë Lindore dhe ky është një proces që askush nuk mundet ta ndalë dhe më së paku me propagandë bajate.
Boshatisja e fshatrave maqedonase, ku kanë mbetur vetëm disa pleqë që ruajnë vatrat e tyre të mos shuhen, paraqet një fatamorganë të politikës së ditës.
Në anën tjetër, Maqedonia e Veriut si shtet ende nuk e ka një strategji demografike e më së paku nuk ka mekanizma që do ta vinte nën kontroll lëvizjen e popullsisë.
Aktualisht po ndodhë një proces shumë brengosës i ikjes me të madhe të të rinjve drejt shteteve të Perëndimit dhe në vend se kjo të ishte brenga jonë e përbashkët, aty këtu vërejmë analiza e vrojtime që kanë në fokus numrin e shqiptarëve. Paradoksalisht, këto 2, 3 dekadat e fundit, numri i shqiptarëve vazhdimisht ka qenë objekt analizash e observimesh të “maltusëve” të ndryshëm. Fillimisht ishte përhapur teoria se shqiptarët po shtohen shumë si popull dhe ky do të paraqiste rrezik për të tjerët. Mbi këtë teori qenë projektuar edhe platforma të ndryshme sociale e politike që parandalonin shtimin natyror të shqiptarëve, kurse si kundërpeshë shpikeshin masa që stimulonin lindjet e fëmijëve joshqiptarë. Por, këto masa nuk dhanë rezultate, madje ishin shqiptarët që i përvetësuan më shpejt këto masa stimuluese dhe për rrjedhojë tani mund të flasim për një shtim natyror të shqiptarëve, në saje të rritjes së lindshmërisë, kurse fëmija i tretë ishte dhuratë e familjeve shqiptare, që shteti e kishte planifikuar për familjet maqedonase.
Tani, jetojmë në një kohë kur sërish numri i shqiptarëve paraqet problem, gjithmonë me bindjen se gjoja shqiptarët janë më pak se sa që thonë statistikat zyrtare. Duke rënë kollaj në kurthet që i ngrenë vetë ata, këta “maltusë’ po duan të dinë saktësisht se sa shqiptarë, sa maqedonas dhe sa të tjerë jetojnë në Maqedoni dhe në bazë të këtyre parametrave demografikë do të përkufizoheshin edhe të drejtat politike.
Kur dikush vazhdimisht të numëron dhe në fund shpreh dyshime!
Nëse një popull autokton, siç janë shqiptarët, trajtohet vazhdimisht me produktet maltusiane të shifrave statistikorë, atëherë ai popull nuk është i lirë ta shpreh lirinë e të qenit pjesë integrale e këtij vendi. Kur dikush vazhdimisht të numëron dhe në fund shpreh dyshime për rezultatet përfundimtare,kjo krijon një ndjenjë jo të mirë psikologjike, por edhe një lloj disponimi kolektiv që relativizon sensin e faktorizimit. Për fat të mirë kjo nuk ka ndodhur me përmasa të mëdha tek shqiptarët e Maqedonisë, por është evidente se për numrin e tyre flasin të tjerët, sidomos ata që janë të pasigurt në shifrat që mund të përmbysin realitetet demografike në Maqedoni.
Për ti mbyllur të gjitha dyshimet dhe hamendësimet, shqiptarët duhet të jenë sa më aktiv në përgatitjet për një regjistrim sa më masovik.
Demografia duhet përfundimisht të del nga kthetrat e politikës. Maqedonia është e vogla për gjithë këtë konspiracioon të madh rreth struturës demografike. Fundja, statistika e popullsisë nuk është vetëm një grumbull numrash, por edhe politikë planifikimi dhe zhvillimi. Deri më tani janë mbajtur disa regjistrime të popullsisë, por gjithmonë ka pasur dilema nëse parametrat e përllogaritjes demografike ka qenë në përputhje me strukturën etnike.
Regjistrimi korrekt, do ta ndryshojë edhe gjeografinë elektorale
Shumë flitet për zgjedhje, e shumë pak për regjistrim të popullsisë. Projeksionet demografike mbi të cilat bazohen shtabet zgjedhore, nuk janë në përputhje me gjendjen reale në terren. Jo pak tregues thonë se numri i banorëve këtu po reduktohet, si pasojë e shkaqeve të ndryshme, ku në të shumtën e rasteve përmendet shpërngulja dhe nataliteti i ulët, ndërkohë që për shumë analiza financiare e zhvillimore ende merren për bazë të dhënat e regjistrimit të vitit 2002, kur ishin 2,02 milion banorë, prej të cilëve 64% maqedonas, 25% shqiptarë dhe pjesa tjetër etnitete të tjera.
Por, kohë më parë drejtori i Entit të Statistikës, Apostol Simovski, tha se në Maqedoni nuk janë më shumë se 1.5 milion banorë, që i bie që numri i banorëve është reduktuar për 24,6 për qind nga viti 1991, kur Maqedonia kishte 1.99 milion banorë. Çuditërisht kjo deklaratë nuk shkaktoi kurrfarë kureshtje gazetareske, por as politike, ndonëse kjo e fundit nuk është e përgatitur t’iu hyj me themel punëve për të ndarë, siç thonë, shapin nga sheqeri
Sa demografia është aleat real i zhvillimit të një kombi?
Sikundër dihet, regjistrimi i popullsisë në Maqedoni për herë të fundit është realizuar në vitin 2002, ndërkohë që një proces i njëjtë dështoi që në nisje gjatë vitit 2011, për shkak të mosmarrëveshjeve që dolën në mesin e anëtarëve të Komisionit për Regjistrim rreth metodologjisë së përdorur gjatë regjistrimit në terren, e që kishte të bënte kryesisht me përfshirjen ose mospërfshirjen në regjistrim të atyre që janë me punë të përkohshme jashtë vendit. Në fakt, metodologjia për zbatimin e regjistrimit, sipas EUROSTAT-it, është e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara dhe në asnjë mënyrë nuk guxon të jetë objekt pazaresh politike dhe shtrembërim të kritereve profesionale. Për më tepër EUROSTAT, ka kërcënuar se nëse regjistrimi nuk i përmban metodologjinë dhe kriteret e paracaktuara, ai si i tillë nuk do të njihet.
Kur jemi te metodologjia dhe kriteret, Qeveria ende nuk ka dalë me një Strategji për shtimin e popullsisë. Ende nuk dihen shkaqet e vërteta se pse kjo ka ndodhur, por nuk arsye që një shtet që është në proces të negociatave për anëtarësim me BE-në, të mos ketë një Strategji për shtimin e popullsisë.
Nëse i referohemi të dhënave statistikore, rritja natyrore e popullsisë sipas regjistrimit të vitit 2002, tek shqiptarët ka qenë diku 18 promil, kurse te maqedonasit ka qenë 9-10 promil. Këto projeksione statistikore i ka mbështetur në një studim edhe Dr. Ivan Savev, profesor në Universitetin e Sorbonës, sipas të cilit në vitin 2020 popullsia shqiptare gati se do të barazohet me popullsinë maqedonase, kurse në vitin 2025, ajo do të tejkaloj popullsinë maqedonase.
Gjithsesi, shqiptarët nuk kanë arsye t’iu gëzohen projeksioneve që i nxjerrin ata kampion në parametrat demografik, për arsye se një popullsi është vitale dhe kreative vetëm nëse resurset e veta ekonomike e intelektuale i zhvillon në vendlindje. Në studimet e ardhshme do të duhej të përfshihen këta komponent, për të parë realisht se sa demografia është aleat real i zhvillimit të një kombi. Fundja, çka të themi për ato kombe që janë edhe më të vegjël se shqiptarët, por të çudisin me inovacione të çdoditshme në teknologji, arsim, ekonomi etj.
Regjistrimin shqiptarët duhet ta kuptojnë si aksion që u garanton status shtetfomues, duke hequr qafet formulën misterioze 20%, që nuk thotë asgjë nëse ajo nuk është shprehje e atributit shtetformues të shqiptarve. Përfundimisht, shqiptarët nuk janë robër lufte që të identifikohen me shifra abstrakt, por janë komb autokton në Maqedoninë e Veriut, të cilët përpos që janë më shumë se 25 %, ata i plotësojnë të gjitha parametrat që të mos quhen minoritet. Me daljen nga logjika minoritare e kërkimit të të drejtave, shqiptarët përfundimisht duhet ta projektojnë një të ardhme më të sigurt ku atributit i shtetformësisë duhet të jetë baza e zhvillimit të tyre dinjitoz e të barabartë me maqedonasit.