• Today is: Sunday, November 24, 2024

SËRISH VJEN MARSI PËR TË NA DHURUAR BEHARIN E PRANVERAVE SHQIPTARE

fakti
March25/ 2021

Sërish vjen marsi, kurse ne do të vazhdojmë të mendojmë se secili muaj i ka pritjet dhe kërkesat e veta, pa  rënë në letargjinë e akomodimit dhe përgjumjes, sepse, siç thoshte Ismail Qemali, popujt që flenë, vdesin.

 

Nga Dr. Skender ASANI

Sërish vjen marsi dhe shqiptaret sërish e rikujtojnë jehonën e gjithë asaj lavdie që kishte nisur me beharin  dhe kishte marrë udhë në muajt e vitet në vijim, për të sjellë në ditët tona frytet e përpjekjeve e sakrificave tona sublime. Edhe në këtë sallë kemi protagonistë të këtyre sakrificave dhe fal tyre ne sot flasim sërish për marsin e shqiptarëve, por në një kontekst pak më solemn, për arsye se historia e zhvillimit të ngjarjeve dramatike në të kaluarën, sot ka edhe një epilog çfarë e kishin ëndërruar ata.

Marsi i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, marsi i Jasharajve dhe marsi i rinisë studentore të 81-shit, projektuan në vetëdijen e shqiptarëve një algoritëm të ri idesh e veprimesh konkrete, duke nxjerrë në sipërfaqe akujt e pushtimeve dhe mizorive grabitqare, të cilët u shkrinë nga zjarri revolucionar i brezave tanë që luftën për liri dhe emancipim kombëtar e zhvilluan mbi idenë e konsolidimit të vetëdijes shtefromuese të shqiptarëve.

Produkti më sublim i kësaj vetëdije, sot është shteti i pavarur dhe i lirë i Kosovës si dhe barabarësia institucionale shqiptarëve në Maqedoni, e cila u arrit pas një kryengritje të armatosur dhe pas një doktrine të mençur politike që e ideuan prijësit e kësaj kryengritjeje. Prandaj, ne sot, jemi në rrugë të mbarë që të ridimensionojmë rrugëtimin tonë kombëtar, duke nxjerrë në pah edhe ide e vizione të reja, sepse kjo është logjika e zhvillimit dialektik të fenomenit kohë, e cila vjen duke u formësuar natyrshëm në ecje e sipër.

Sërish vjen marsi dhe ne sërish mendojmë si ta bëjmë kuptimplotë amanetin e dëshmorëve dhe porositë e kolosëve tanë të kombit. Jetojmë në një kohë kur gjeopolitika dhe historia ende bëjnë gara se cila do të dominojë mbi njëra tjetrën, ndërkohë që shqiptarët në rajon ndodhen para një finishi të madh, për arsye se nga kreatorët tanë të politikës kërkohet të përmbyllin procesin e konsolidimit gjeopolitik të shqiptarëve dhe hapjen e perspektivave të reja. Fillimisht, nga Kosova kërkohet që të mbyllen të gjitha kontestet e hapura me Serbinë, kurse shqiptarët në Maqedoni të materializojnë idetë shtetformuese, përmes një infrastrukture ligjore e kushtetuese e cila do të ishte konform tendencës natyrore të kërkesave dhe nevojave që kanë shqiptarët këtu.

Kur flasim për ridimensionimin e rrugëtimti tonë kombëtar, e kemi patjetër të veçojmë dy-tri segmente që e bëjnë këtë proces të merr trajtat e duhura të formësimit të kauzave tona që janë si derivat i drejtpërdrejt i aspiratave pararendëse për status të dinjitetshëm të shqiptarëve gjithkund ku ata jetojnë e veprojnë.

Së pari, do të doja të veçoja procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili pritet të fillojë muajin e ardhshëm, të cilin nuk do ta shihja thjeshtë si një operacion statistikor, por edhe si një nevojë imediate për të harmonizuar parametrat demografikë me ata politikë, social, ekonomikë e kulturorë këtu në Maqedoni.

Kur politika është shprehje besnike e bilanceve  statitiskore-demografike, vetëm atëherë mund të flasim për një barabarësi substanciale që mund të prodhojë edhe status të dinjitetëshëm politik e kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni. Prandaj, edhe ky mars që po vjen me beharin e një pranvere shqiptare, le të jetë një apel për të gjithë shqiptarët, si brenda ashtu edhe në diasporë, që t’iu përgjigjen thirrjeve të përfaqësusve tanë institucional për një regjistrim masovik e cilësor, sepse vetëm kështu e dëshmojmë peshën e rëndesës substanciale në rrafshin e barabararësisë ligjore e kushtetuese.

Pastaj, do të doja të veçoja edhe një proces tjetër që kishte filluar në vitin 2002 dhe po përfundon këtyre ditëve, pikërisht në muajin mars,  me vendosjen e një rendi dhe rregulli të ri në emërtimin e rrugëve e shesheve të Shkupit, ku tash e tutje një pjesë e madhe e adresave të reja do të kenë edhe emra shqiptarësh. Ky proces u arrit në saje të bashkëpunimit të ngushtë me  përfaqësuesit tanë në pushtetin lokal të qytetit të Shkupit dhe të komunave Çair dhe Saraj, si dhe me mbështetjen e pakursyer të njerëzve tanë të fushave të ndryshme, të cilët ndihmuan me idetë dhe propozimet e tyre konkrete.

Sërish vjen marsi, kurse ne do të vazhdojmë të mendojmë se secili muaj i ka pritjet dhe kërkesat e veta, pa  rënë në letargjinë e akomodimit dhe përgjumjes, sepse, siç thoshte Ismail Qemali, popujt që flenë, vdesin.

Ne vazhdimisht do të rrimë zgjuar në kërkim të hapësirave të reja për veprim institucional dhe të koordinuar me miqtë tanë euro-atlantikë, pa të cilët nuk do t’i arrinim disa nga objektivat tona si komb dhe si shoqëri. Dhe  e themi këtë sot,pikërisht më 24 mars, kur para 22 viteve filloi fushata ajtore e NATOs kundër makinererisë vrastare të Millosheviqit, që u kurorëzua me shumë sukses  me çlirimin final të Kosovës.

Lavdi gjithë atyre që sakrifikuan për të sotmen e dinjitetshme të shqiptarëve dhe mirënjohje e pakursyer për të gjithë ata që punojnë për të forcuar bashkëpunimin dhe mirëkuptimin brenda kombëtar, pa të cilin do të jetë i pamundur tejkalimi i sfidave që na presin.