Ansambli Nacional i këngëve e valleve popullore shqiptare po zhvillon këto ditë prezantimin në Ditët e Trashëgimisë së Sharjahut, një festival që mbledh ansamblet nga e gjithë bota duke prezantuar kulturën e tyre.
Ansambli vetëm me tre prezantime ka arritur të fitojë zemrat e qytetarëve të vendit dhe simpati e vlerësim nga organizatorët dhe kryetari i Këshilli Ndërkombëtar të Organizatave të Festivaleve Folklorike dhe Arteve Popullore Philippe Beaussant i cili ka shprehur edhe publikisht konsideratat më të larta për vallen karakteristike shqiptare që karakterizohet me lëvizjet e mprehta burrërore dhe lëvizjet e sofistikuara të grave që vazhdimisht kanë qenë mbështetja e burrave në luftë e paqe. “Karadaku”, “Vallja e Kërçovës”, “Malësorja”, „Valle Jugu“ kanë krijuar emocione të jashtëzakonshme. Këto valle po luhen me plot profesionalizëm nga vallëtarët të cilët jetojnë dhe mishërohen me valle. Veç kësaj koloriti i kostumeve popullore e bën akoma më të veçantë ansamblin tonë dhe pikërisht kjo është arsyeja që në ballinat e revistave dhe gazetave të Sharjahut ka qëndruar Ansambli ne vlerësimet maksimale për prezantimet që po bëhen gjatë këtyre ditëve.