(Dromca (nga kujtesa) artistike)
Nga Gani BYTYÇI/ Cyrih
Shumë vite më parë (1997), kisha marrë një ftesë për një vernisazh ekspozite, në njërën nga galeritë më të njohura të Cyrihut. E dija se artistja, (që jetonte në Zvicër), ishte me origjinë nga Irani. Veprën e saj artistike, nuk e njihja. Kur e hapa ftesën, mu kujtuan poetët e mëdhenj e të papërsëritshëm iranian, Khajami, Sadiu, Shirazi dhe gjithë kultura perse e kohës së lashtë. Në ditën e caktuar shkova në ekspozitë.
Ekspozita dhe nudot
Sapo hyra në hapësirën e galerisë, u ndesha me diçka aq të papritur, befasuese dhe të pakuptueshme. E gjithë vepra artistike e ekspozuar aty ishte nudo. Si ballkanas (edhe kureshtar) që isha, ekspozitën po e shihja me shumë vëmendje. Vizitorët e tjerë, dashamirë të artit, atë po e përcillnin vetëm si ngjarje artistike dhe po e përjetonin si kënaqësi estetike. Po për mua, ekspozita kishte disa elemente, që mendësinë time prej artisti provincial të Ballkanit, ishin krejt të paqarta. Ato ishin origjina e artistes, gjinia dhe vendi prej nga vinte ajo dhe vepra e saj, e tëra nudo. Pra, ishte natyra delikate e artit, të shfaqur aty, që ato gjëra m`i bënte të paqarta. Kur mu dha rasti që të bisedoja me artisten, nuk u përmbajta dot pa mos ia shprehur habinë time për atë paradoksin, që po më krijonin vepra artistike dhe prejardhja e artistes. Të qenit artiste iraniane. të qenit artiste femër dhe muslimane dhe nudoja, një nga fushat më të ndjeshme të artit. Këto ishin thelbi i dilemës dhe kureshtjes sime ballkanase e provinciale. Artistja, me shumë dashamirësi (edhe me dhembje për kohën e lulëzimit të artit, që tashma kishte perënduar në atdheun e saj), më shpjegoi se, studimet për artin ajo i kishte mbaruar në kohën e Rezah Pahlavit, kohë kur në Iran kishte një perudhë liberalizmi, në të cilën arti kishte autonominë e vet dhe kishte arritur lulëzimin e tij, si dikur në kohën e Khajamit e të Sadiut.
Tani, shumë dekada më pas, kur njerëzimi e arti kanë ecur shumë më përpara, pashmangshëm na vjen pyetje, ku është arti dhe kultura në Iranin e sotëm?!
Një populli, të cilit i prangoset arti, i përmbyset kultura, ai popull është i robëruar. Këtë shije të hidhur, kombi ynë e ka provuar gjatë gjithë historisë së tij.
Politika është vdekjeprurëse për artin. Ajo gjithmonë e vret artin, që nuk i shërben asaj. Këtu është thelbi i konfliktit të përbotshëm e të përhershëm ndërmjet pushtetit dhe artit, kulturës!
Guri dhe arti
Një mike imja franceze, skulptore, (Antoniette Deley), ditë më parë, tek profili i saj, e kishte postuar një copë shkëmbi. Aty, Artistja kishte bërë edhe këtë shënim:
– Ky gurë i bukur është nga Brazili dhe peshon mbi 40 kilogrmë.
A thua çfarë do të ndodhë me të?
Ky është një mister, që po skulptohet pak nga pak në shpirtin tim. Aty ai ka nis të marrë formë.
Ndërkaq, në vazhdim artistja thoshte:
– Duke e gdhendur këtë gurë, pak nga pak, atij po ia nxjerr ngjyrën por duhet pritur që ai ta shpërfaqë bukurinë e tij.
Arti gjithmonë bëhet kështu. Ai lind nga brendia e shpirtit të artistit! Kjo është rruga e krijimit të artit.
Fotot:
Modigliani: Nudo
Antoniette Deley: Pierre du Brésil