• Today is: Friday, April 26, 2024

Pse pas dozës së dytë të vaksinës Covid-19, efektet anësore janë më të rënda?

fakti
March20/ 2021

Ndërsa më shumë amerikanë po mbajnë radhën për vaksinën kundër Covid-19, disa janë të shqetësuar për efektet anësore të dozës së dytë, të cilat priren të jenë më të forta se sa pas së parës. Por ekspertët thonë se simptomat anësore, që variojnë nga dhimbja në krah, deri në dhimbje koke dhe të përziera, janë një shenjë se doza e dytë po bën punën e saj:reagimin e shpejtë të sistemit imunitar ndaj dozës fillestare, duke siguruar kështu një mbrojtje më të fuqishme dhe më të gjatë ndaj virusit.

Nga Amina Khan/ “Los Angeles Times”

Në një vaksinë antik-Covid me 2 doza, është pikërisht e dyta ajo që shkakton më shumë siklet. Këtë e vërtetoi edhe Kristen Çoi. Çoi, një studiuese e infermierisë në Universitetin e Kalifornisë, u prek nga një mori simptomash anësore, përfshirë ethe dhe temperaturë e cila arriti kulmin 40.5 gradë Celcius, kur ajo mori dozën e dytë të vaksinës vitin e kaluar.

Por efektet anësore kaluan shpejt, dhe ato ia vlenin për shkak të mbrojtjes jetike që ofrojnë kundër koronavirusit të ri, thotë ajo.“Unë jam shumë mirënjohëse që e kam arritur ta marr vaksinën, dhe që mund të kem mbrojtjen e duhur. Dhe dua vërtet që këtë mundësi ta kenë që të gjithë- thotë Çoi.

Ndërsa më shumë amerikanë po mbajnë radhën për vaksinën kundër Covid-19, disa janë të shqetësuar për efektet anësore të dozës së dytë, të cilat priren të jenë më të forta se sa pas së parës. Por ekspertët thonë se simptomat anësore, që variojnë nga dhimbja në krah, deri në dhimbje koke dhe të përziera, janë një shenjë se doza e dytë po bën punën e saj:reagimin e shpejtë të sistemit imunitar ndaj dozës fillestare, duke siguruar kështu një mbrojtje më të fuqishme dhe më të gjatë ndaj virusit.

Dy nga tre vaksinat që janë të autorizuara për përdorim në SHBA – njëra e prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech, dhe tjetra nga Moderna – kërkojnë dy doza, përkatësisht të ndara në3 dhe 4 javë. (Vaksina e Johnson & Johnson është me një dozë të vetme).

Doza e dytë nuk ka asnjë përmbajtje të veçantë apo sekrete:Që të dyja dozat janë saktësisht të njëjta. Doza e parë e njeh sistemin imunitar më një pjesë të virusit, në mënyrë që ai të jetë gati të ketë një përgjigje më të fortë kur të kryhet doza e dytë.

“Gjithçka që ndodh është thjesht një përforcim i të njëjtit proces që ndodh herën e parë”-thotë Dr.Diana Grifin,eksperte e sëmundjeve infektive në Shkollën e Shëndetit Publik Xhon Hopkins. Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC), efektet anësore më të zakonshme përfshijnë dhimbjet, skuqjet dhe ënjtjet në krahun ku bëhet vaksina.

Efektet anësore tipike diku tjetër në trup përfshijnë lodhjen, dhimbje koke, dhimbje muskulore, të dridhura, ethe dhe të vjella. Edhe nëse nuk përjetoni asnjë efekt anësore, kjo është diçka “krejtësisht e mirë”, thotë dr.Grejs Li, eksperte e sëmundjeve infektive pediatrike në Universitetin e Fëmijëve në Stenford.

“Trupi juaj po e bën sërish punën e vet. Aspekti pozitiv është që jo të gjithë reagojnë me simptoma të dukshme”-thotë Li. Vaksinat e Pfizer dhe Moderna, funksionojnë duke u dhënë qelizave të trupit një plan për të bërë një kopje të proteinave virale të koronavirusit.

Para se një qelizë imune të reagojë ndaj kopjes së virusit duke e shkatërruar atë, qeliza mbrojtëse zhvillon një kujtesë të proteinës virale, në mënyrë që të mund ta sulmojë sërish atë në të ardhmen.

“Ethet, dhimbja e kokës dhe simptomat e tjera që përjetoni, ndodhin për shkak të proteinave inflamatore që bëjnë punën e tyre në trup, për të zhdukur qafe ato që ato besojnë se janë elementë të huaj”-shprehet Xhazmin Marselin, eksperte e sëmundjeve infektive në Universitetin e Nebraskës.

Çoi e përjetoi vetë këtë gjë. Ajo doli vullnetare për një provë klinike duke testuar vaksinën Pfizer-BioNTech, dhe mori dozën e parë në gusht 2020. Praktikisht nuk pati asnjë efekte anësor, vetëm një lëndim në krah. Por pas dozës së dytë, krahu nisi t’i dhembte më shumë në vendin e injeksionit.

Temperatura ishte rreth 37.5 gradë Celcius për pjesën tjetër të ditës. Deri mëngjesin tjetër, simptomat e saj ishin zhdukur (me përjashtim të ënjtjeve në vendin e injektimit).Çoi i përshkroi përvojat e saj në një artikull të botuar në dhjetor 2020 në “JAMA Internal Medicine”.

Që nga ajo kohë, ajo tha se kishte marrë e-maile nga qindra njerëz, shumë prej të cilëve thanë se patën të njëjtat simptoma, duke shtuar se ishte ngushëlluese të dije që këto reagime ishin të zakonshme dhe diçka normale. Pas botimit të artikullit, Çoi mësoi se në fakt kishte marrë vaksinën dhe jo një placebo.

Sigurisht, është e rrallë të kesh simptoma aq të rënda sa ato që përjetoi Çoi. Sipas të dhënave të botuara në “New England Journal of Medicine”, dhe të postuara në faqen e internetit të CDC, vetëm 4 nga një nëngrup prej 8.183 pjesëmarrësve në studimin më të madh klinik, përjetuan temperaturë mbi 40 gradë (dhe 2 prej tyre ishin në grupin e placebos).

Në fakt, përveç dhimbjes në krah, efektet anësore më të zakonshme pas dozës së dytë ishin lodhja dhe dhimbja e kokës. Ndërsa ka pasur disa raste të reaksioneve të rënda alergjike me të dyja vaksinat Pfizer-BioNTech dhe Moderna, ato janë jashtëzakonisht të rralla.

Për siguri, CDC këshillon që njerëzit të monitorohen për 15-30minuta pasi ta kenë marrë vaksinën, në mënyrë që të mund të marrin një trajtim të menjëhershëm nëse është e nevojshme. Ekspertët thonë se cilido që përjeton simptoma të tilla si ënjtje në fyt, kruajtje, urtikarie ose probleme me frymëmarrjen pas largimit nga vendi i vaksinimit duhet të kërkojë menjëherë kujdes mjekësor urgjent.

CDC thotë gjithashtu se ata që kanë një “reaksion të menjëhershëm alergjik” ndaj dozës së parë të vaksinës Moderna ose vaksinës Pfizer-BioNTech, nuk duhet të marrin një dozë të dytë. Por për të gjithë të tjerët, ekspertët bien dakord:merrni dozën e dytë.

Krahasuar me vuajtjet gjatë 1 viti me pandeminë e Covid-19 – për të mos përmendur mundësinë e përballjes me komplikacionet afatgjata që mund të sjellë sëmundja – efektet anësore të vaksinës janë të papërfillshme, thotë Li, ekspertja e sëmundjeve infektive pediatrike.

“Vaksinat janë një mënyrë shumë më e sigurt për të zhvilluar imunitetin”- thekson ajo. Dhe nëse nuk jeni infektuar kurrë me këtë koronavirus, ju duhet doza e dytë e vaksinës për të siguruar që përgjigjja e sistemit tuaj imunitar të jetë e fortë dhe të zgjasë me kalimin e kohës, thonë ekspertët.

Vetë Çoi vuri në dukje se njerëzit e moshës 55 vjeç dhe më të rinj, duket se vuanin më shumë nga efektet anësore sesa të moshuarit. Dhe kjo e ka një arsye. “Nëse jeni më i ri, trupi juaj ka një sistem imunitar më të fortë,dhe zotëron më shumë kapacitete për të ndërtuar atë përgjigje imune”. 

 

Burimi:

https://www.latimes.com/science/story/2021-03-19/covid-19-vaccine-second-dose-side-effects-why-are-they-worse