• Today is: Monday, May 6, 2024

ÇKA ËSHTË MË MIRË – TË JESH HAJN, APO TA DENONCOSH HAJNIN?!

fakti
March18/ 2021

Pas plasjes së këtij skandali, njeriu pos që shokohet nga lehtësia marramendëse e qasjes indiferente ndaj këtij krimi akademik që po kryhet para syve tanë, e ka të pashmangshme të pyesë veten dhe të tjerët: KU PO JETOJMË? Në cilën xhungël sociale, intelektuale e shpirtërore po i lëmë fëmijët tanë, të cilët nesër do ta kenë shumë vështirë ta ngrenë kryet nga këta gladiatorë me tituj shkencorë që e kalojnë lumin e turpit intelektual e akademik pa u lagur nga pasojat e ligjit.

Nga Emin AZEMI

Sot më e lavdërueshme është të jesh hajn, se sa ta denoncosh hajnin. Madje, ata që denoncojnë hajnat, e pësojnë keq, si puna e Kastriot Haxhirexhës, i cili tash e tutje nuk është më dekan i Fakultetit të Mjekësisë në UT. Ai u shkarkua nga kjo detyrë për arsye se nuk u pajtua me fshehjen që po I bëhet krimit akademik në këtë universitet. Sipas tij të gjitha shkrimet e publikuara në revistën Veritas për plagjiaturë janë të vërteta. Ai thotë se për plagjiaturën, që para një viti kanë qenë të informuar edhe rektori, dekanët, doktorantët dhe disa profesorë. Haxhirexha tha se reagimi i tij ndaj këtij fenomeni i ka kushtuar me largimin nga posti i dekanit të fakultetit.

Ka një vit, që nga marsi i vitit të kaluar që unë personalisht si dekan i fakultetit të shkencave të mjekësisë, rektori i UT, zyra për shkencë e UT, dhe disa pedagog eminent, janë bombarduar me emaile të këtilla bombarduese……. Në mbledhjen e parë që kemi pasur për avancimin në gradë akademike të njërit prej profesorëve që u apostrofua në revistën Veritas gjitha të vërtetat u zbuluan dhe kemi debatuar ashpër në këshillin mësimor, sepse unë kam mbrojt dinjitetin e fakultetit të mjekësisë dhe UT se nuk mund të mbyllim sytë dhe të tejkalojmë këta probleme sepse problemi nuk mbyllet me mbulim”, tha Kastriot Haxhirexha, tash më ish dekan i Fakultetit të Mjekësisë.

Haxhirexha gjithashtu ka hedhur poshtë qëndrimet e një dite më parë të dekanit të ri të Fakultetit të Mjekësisë, Nevzat Elezi, sipas të cilit punimet e profesorëve të apostrofuar nuk qenkan të përfunduar. Ai tha se këto punime veç më janë botuar nëpër revista shkencore.

“E dëgjova dje prononcimin edhe të dekanit që më zëvendëson mua, dhe vërtetë më vjen keq që arsyetohet me atë se punimet janë në proces e sipër, sepse këto janë punime të botuara. Këto janë punime të botuara në revistë dhe këtu nuk ke më çka të korrigjosh. Gjithsecili qytetar nuk ka nevojë të më pyes mua apo dikë tjetër se a janë të vërteta këto pretendime të Veritas? Merre punimin fute në sistemin anti plagjiaturë dhe del çdo gjë. Unë personalisht si dekan disa prej këtyre punimeve normal që i kam futur në sistemin anti plagjiaturë dhe më kanë rezultuar njëqind për qind të sakta pretendimet që bën pala që denoncon”, saktësoi Kastriot Haxhirexha, ish dekan i Fakultetit të Mjekësisë.

Nisma Intelektuale për Rritjen e Cilësisë në Arsimin Universitar – NIRCAU, deri më tani ka deponuar në udhëheqësinë e Universitetit të Tetovës mbi 15 ankesa për hulumtime të vjedhura të profesorëve dhe doktorantëve dhe avancime jo meritore në titull akademik në këtë fakultet.

Sipas revistës “Veritas”, rezulton që shtatë profesorë që aktualisht ligjërojnë disa nga lëndët bartëse në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, e që po ashtu janë në lidhje farefisnore mes tyre, kanë kryer plagjiaturë të punimeve të tyre shkencore. Sipas kësaj reviste, profesorët Nexhbedin Beadinin, bashkëshorten e tij Sheqibe Beadinin, Albulena Beadinin, Emira Bexhetin, Mirlind Bexhetin, Destan Halidin dhe Ekrem Ismanin, të cilët punimet e tyre i kanë kopjuar nga disa revista shkencore të mjekësisë në shtete të ndryshme të botës.

Pas plasjes së këtij skandali, njeriu pos që shokohet nga lehtësia marramendëse e qasjes indiferente ndaj këtij krimi akademik që po kryhet para syve tanë, e ka të pashmangshme të pyesë veten dhe të tjerët: KU PO JETOJMË? Në cilën xhungël sociale, intelektuale e shpirtërore po i lëmë fëmijët tanë, të cilët nesër do ta kenë shumë vështirë ta ngrenë kryet nga këta gladiatorë me tituj shkencorë që e kalojnë lumin e turpit intelektual e akademik pa u lagur nga pasojat e ligjit.

Si duket, pyetja e shtruar në titull: ÇKA ËSHTË MË MIRË – TË JESH HAJN, APO TA DENONCOSH HAJNIN?!, do të jetë aktuale edhe për një kohë, deri sa të funksionojë aleanca në mes të segmenteve të caktuara të politikës dhe keqbërësve në shoqëri. Për fat të keq, vetëm te ne ndodhë që një dekan të shkarkohet për shkak të mospajtimit të tij me metodat abuzive të avancimit shkencor përmes vjedhjeve nëpër revistat shkencore. Ata që e kanë shkarkuar dr. Haxhirexhën i kanë bërë një shërbim kolosal gjithë hajnave që marrjen me shkencë e konsiderojnë si lojë ku del i fituar ai  që di të mashtrojë më shumë.
Tani për tani po fitojnë vetëm matrapazët.
A thua kur do të fitojnë studentët tanë, të cilët do të kenë një model tjetër pedagogësh?
Kur do të fitojë kauza e pastër etike e një shoqërie ndaj pehlivanllëqeve që i servon politika e keqe kadrovike?