Te ky libër, si te asnjë tjetër deri sot, del në pah: antagonizmi i theksuar i Fuqive të Mëdha perëndimore edhe për çështje krejt të vogla gjeopolitike. Por ajo që është thelbësore, e që autori e vë në spikamë, është angazhimi i jashtëzakonshëm i Amerikës për ta shpëtuar Kosovën nga më e keqja
Nga Xhafer SHATRI
Gabriel Keller, i lindur më 1947, ishte ambasador i Francës në Beograd në vitin 1996 dhe, më vonë, në vitet 2000 – 2003.
Në librin e tij “Vers la guerre au Kosovo” (Drejt luftës në Kosovë), botuar këtë vit, G. Keller përshkruan muajt më dramatik të historisë moderne të Kosovës: tetor 1998 – maj 1999.
Në fund të vitit 1998, lufta në Kosovë kishte marrë përmasa dramatike. Amerika kishte vendosur t’i ndalë njëherë e mirë ‘pohodet’ e përgjakshme të Millosheviqit, prandaj diplomacia e saj, e udhëhequr nga Madeleine Albright (Medline Olbrajt) i kishte ndezur të gjithë motorrët.
Falë presionit që bëhej mbi Millosheviqin përmes emisarit të presidentit Clinton, Richard Holbrooke, më 13 tetor 1998, kasapi i Ballkanit u detyrua ta nënshkruajë marrëveshjen për principet e një Misioni verifikues të OSBE-së në Kosovë (MVK). Misioni parashihte që t’i ketë 2000 verifikues ndërkombëtarë, disa prej të cilëve del se ishin ushtarakë. Ende në Kosovë përmenden xhipat e portokallinjtë që, për katër muaj rresht ishin të pranishëm gjithandej nëpër rrugët, qytetet dhe fshatrat e djegura nga flakët e luftës…
Shef i Misionit ishte ambasadori Walker, ndërsa zëvendësi i tij i parë, autori i këtij libri, ambasadori Gabriel Keller.
Në fakt libri është një kronologji fort interesante që buron nga shënimet e përditshme të autorit gjatë misionit në Kosovë.
Në faqet e librit gjejmë jo pak shënime që janë bërë pas takimeve me elitat politike (të Serbisë: Shainoviq, Drashkoviq etj…) dhe të Kosovës: Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Fehmi Agani, Rexhep Qosja, Hydajet Hyseni, Veton Surroi, Bajram Kosumi, Jakup Krasniqi, Edita Tahiri etj. Duke i lexuar me laps në dorë këto shënime, m’u kujtuan fjalët e Babës tim, njëri prej njerëzve më të zgjuar e më të urtë që kam takuar në jetën time, e i cili shpesh na thoshte:
“Kurrë nuk kam thënë pse nuk fola, por çdreqi më çoi e fola…!“ (A propos: Më së pakut e kam dëgjuar unë, dhe më së shtrenjti më ka kushtuar…)
Njëri prej të sipërmendurve ia thotë diplomatit francez, pa qime në gojë, se është kundër bombardimeve të Jugosllavisë. Nuk është e rastit prandaj, pse të njëjtin personazh, Hashim Thaçi, një dekadë më vonë, e caktoi të negociojë me Serbinë për fatin e Kosovës…
Në libër ka detaje interesante për vrasjen e Enver Malokut, për masakrën e Reçakut dhe për shumë ngjarje të tjera…
Për fund:
Këtë libër duhet ta lexojnë patjetër diplomatët e Kosovës, të të gjitha niveleve, sepse mund të mësojnë shuuumë. Sidomos për funksionimin e organizatave ndërkombëtare dhe Misioneve të tyre; studentët e shkencave politike dhe studentët e historisë, sepse do ta shohin se si, realisht, bëhet por edhe si shkruhet historia.
Autori, duke qenë pjesë e elitave franceze, duket qart se nuk është pa simpati për serbët (ai ishte kundër bombardimeve të Jugosllavisë…), por megjithatë nga faqet e librit dalin shumë të vërteta për periudhën që ai e përshkruan.
Te ky libër, si te asnjë tjetër deri sot, del në pah: antagonizmi i theksuar i Fuqive të Mëdha perëndimore edhe për çështje krejt të vogla gjeopolitike;
Por ajo që është thelbësore, e që autori e vë në spikamë, është angazhimi i jashtëzakonshëm i Amerikës për ta shpëtuar Kosovën nga më e keqja dhe për t’ia dhënë mundësinë që, me një vonesë të tmershme, më në fund, ta ngrohë Dielli i Lirisë.
Prandaj, kudo që ka shqiptarë mbi dhé e që, sadopak, mendojnë shqip, duhet t’i jenë përjetësisht mirënjohës Amerikës, Shpëtimtares së Kosovës dhe e popullit të saj.
Sidomos Madeleine Albright (Medline Olbrajt), meriton ta ketë në çdo familje të Kosovës një portret me vlerën, me formën dhe me përmbajtjen e Ikonës!
Sepse është shëmbulli më konkret, kur në një Orë të Ligë të Historisë, del dikush dhe e merr në mbrojtje një popull të vogël me ekzistencë të rrezikuar seriozisht…