Ashtu siç do ta harrojnë shpejt emrin e Lajçakut, njerëzit do të kenë nevojë shpejt të mësojnë emrin e një emisari të ri, i cili do të sillte më shumë optimizëm dhe konstruktivitet në rajon. Një emisar i cili nuk do t’i përkthente serbisht sensibilitetet diplomatike evropiane kundrejt Kosovës.
Nga Emin AZEMI
Kjo politika e jashtme e BE-së është bërë për gjynah. Ta çon mallin e disa diplomacive të lodhura të Ballkanit.
Ndryshe si të spjegohet vizita treditore (!) e Miroslav Lajçakut në Kosovë?
Pse ai duhet të vjen pikërtisht tani kur Kosova është në pritje të Qeverisë së re, ndërkohë që atij vet i skadon afati edhe një muaj.
Me kënd ai do të bisedoj këto tri ditë?
Çfarë efektesh do të kenë ato bisedime dhe sa të koncentruar do të jenë ta dëgjojnë mikëpritësit, të cilët momentalisht kanë halle të tjera. Për ata më e rënëdisishme tani është ta shpëtojnë partinë e tyre (LDK) nga dezintegrimi i mëtejmë, se sa të humbasin kohë me një emisar proserb, i cili ndodhet në fund të mandatit të tij.
Në anën tjetër, Albin Kurti, po pret të rrumbullaksohet procesi zgjedhor, që nënkupton certifikimin përfundimtar të mandateve që dolën nga zgjedhjet e 14 shkurtit, dhe pastaj të formojë kabintetin e ri qeveritar.
I bie që as, Kurti nuk do të ketë shumë kohë të merret me Lajçakun dhe me maniret e tij diplomatike, të cilat atë e bëjnë të njënashëm dhe aspak neutral në qasjen ndaj dialogut Kosovë-Serbi.
BE duhet t’i rikthehet kohëve të mira kur kishte diplomaci më efektive, e më parimore, në të cilën përfshiheshin burra e gra më dinjitoze, e jo tipa si ky Lajçaku i cili një ditë të bukur me diell mund të gdhihet me ndonjë foto ku në prapavijë rastis ta ketë një tufë gomerësh të hutuar nga vapa e rrezeve përcëlluese.
BE duhet të koordinohet me Washingtonin në mënyrë që Kosovën ta nxjerr nga ky rreth vicioz në të cilin e kanë futur politikat joparimore evropiane.
BE duhet të caktojë një emisar të ndershëm, parimor, objektiv, mbi të cilin bie barra e të qenit i baraspeshuar si në qasje, ashtu edhe në vizion, sepse nëse vazhdon i njejti avaz, atëherë nuk do të dihet se cili është roli i Beogradit dhe i Brukselit në kontekstin e dialogut me Kosovën. Deri më tani Beogradi gabimisht është projektuar si një qendër e rëndësishme vendimarrëse në raport me Kosovën dhe kjo e fundit e ka pasur problem të ndërtojë politika të qëndrueshme ndaj Serbisë dhe politikave të saj agresive.
Brukseli ka treguar një qëndrim jo etik e aspak parimor ndaj problemeve me të cilat është ballafaquar Kosova si pasojë e politikave agresive serbe në planin ndërkombëtar. Brukseli e ka toleruar tej mase Serbinë të imponojë qëndrimet e saj dystandardëshe ‘’mirë me Brukselin, por edhe më mirë me Moskën’’, duke ia vështirësuar Kosovës të zhvillojë politikat e saj autonome në raport me kërkesat e qytetarëve të saj, përfshi edhe serbët lokalë. Është absurd ky qëndrim i Brukselit, i cili në vend se të inkurajojë institucionet dhe qeveritarët në Prishtinë në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, si parakusht për të aderuar në BE, paradoksalisht e ka imponuar Serbinë si çështje të pazgjidhur, thuaja se Kosova ndodhet ende në fazën e hershme të para pavarësisë së saj.
Në këtë mënyrë, BE padrejtësisht i ka zhvendosur prioritetet ndaj kosovarëve, duke i detyruar këta të fundit të shohin tek Serbia njëfarë shpëtimi për kauzat e tyre euro-integruese(!), në vend se të ndodhte e kundërta: Serbia të testojë rrugëtimin e saj drejt BE-së përmes hapave që do të ndjek në raport me çështjet ndaj Kosovës (!).
Vizita e nesërme (e hënë) e Mirosllav Lajçakut në Prishtinë, nuk do të prodhojë kurrfarë efekti pozitiv në tejkalimin e problemeve me Serbinë dhe si e tillë kjo gjezdisje e Lajçakut nëpër Kosovë dhe Serbi do të mbetet si kujtim i hidhur i një agonie diplomatkike me qasje hermafrodite ndaj situates në terren.
Ashtu siç do ta harrojnë shpejt emrin e Lajçakut, njerëzit do të kenë nevojë shpejt të mësojnë emrin e një emisari të ri, i cili do të sillte më shumë optimizëm dhe konstruktivitet në rajon. Një emisar i cili nuk do t’i përkthente serbisht sensibilitetet diplomatike evropiane kundrejt Kosovës.