• Today is: Sunday, November 24, 2024

Gjenocidi serb mbi shqiptarët i rrëfyer me gjuhën e artit letrar

fakti
February24/ 2021

(Bardhyl Mahmuti: “Eskadronët e vdekjes”, roman, Qendra “Gjenocidi në Kosovë — Plagë e hapur”, Ch, 2021)

 

Shkruan Dr Sadri RAMABAJA

Gjatë gushtit 2020, në kushte pothuajse karantine, pata mundësinë të lexoja studimin e jashtëzakonshëm të mikut tim të çmuar, Bardhyl Mahmutit, “Mashtrimi i madh” mbi genocidin serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Sa isha peng i Hashim Thaçit në burgjet e Republikës, më kishte rënë t’lexoja vetëm ca njoftime sporadike për këtë kryevepër të llojit të vet.

Në të njejtën kohë, në orët e mbrëmjes, siç e kisha bërë tashmë shprehi, lexoja letërsi, kësaj radhe romanin “Tatuisti” të Heather Morris-it.

Si studimi i Bardhylit mbi gjenocidi serb në Kosovë, edhe rrëfimi i jashtëzakonshëm i H.Morrisit për viktimat e Holokaustit dhe ndeshtrashat jo vetëm në Aushvic, janë shpërfaqje e historive drithëruese, sfiduese për qenien e njeriut, por mbesin gjithsesi dritare prej nga mund të shihen ngjarje nga më të tmerrshmet që ka përjetuar njerëzimi.

Derisa po shkoja nga fundi i Tatuistit, se si në ndërdije mu krijua një dëshirë e pa fshehur dot për nevojën që kishte jo vetëm lexuesi ynë, që ndonjëra nga historitë e trishta të “Mashtrimit të madh” të rrëfehej në formën e letrarizuar, dhe t’ na vinte në jetë një personazh që flet shqip, i ngjashëm me atë të Lejli-t.

Në burgun e Gjilanit, gjatë tre muajve të parë të vitit 2020, pata shkruar esenë e gjatë me titull “ Demonstratat e 1981-it: Prologu i revolucionit të vonuar antikolonial dhe Republika”. Që në fillim të esesë e kisha parë të arsyeshme të pohojë se, gjatë studimit të asaj epoke, do të ishte e rrugës që, tok me rrethanat dhe shkaqet reale, që ndikuan në shpërthimin e revolucionit të vonuar antikolonial (1981–1989), një vend i rëndësishëm t’ju kushtohet idealeve që përqafoi rinia jonë studentore e atij brezi dhe vlerave politike, siç është nacionalizmi progresiv, drejtësia sociale etj., që u dëshmuan më pas si bartëse e idealeve për ndërtimin e shtetit modern. Më tej po reflektoja se, historianët, sigurisht, ndoshta me të drejtë, do të vazhdojnë të insistojnë që në shërbim të kërkimit të së vërtetës historike, të bazohen përgjithësisht tek të dhënat arkivore, në dokumente, në të dhëna faktike e të provueshme. Ndërkaq politologët, antropologët, sociologët etj. do t’i inkurajoja t’i kushtojnë vëmendje të veçantë, mbi të gjitha, ideve dhe qasjeve socio-kulturore.

Më tej më kishte bërë përshtypje se si bota perëndimore, para së gjithash gjermanët, pas viteve ‘70-të të shek. XX, kishin filluar të përballeshin me të vërtetën e hidhur të gjenocidit të paramenduar ndaj hebrenjve, që gabimisht do të hyjë në histori si nocion që njihet gjerësisht si Holokaust, megjithëse si i tillë do të zëvendësohet edhe zyrtarisht më 12 prill 1951 nga shteti i Izraelit me termin “Shoah”, që në disa gjuhë përkthehet me fjalën “katastrofë”.

Kjo përballje nuk do të bazohet vetëm në të dhënat historike, muzeale, por edhe ato të shpërfaqura në vepra arti: në letërsi, film dhe, së fundmi, edhe përmes përqasjes ndaj idealeve të grupeve e shtresave të tëra, të mbi gjashtë milionë hebrenjve që i janë nënshtruar gjenocidit (Shoah-s), atij makthi çnjerëzor që ndodhi në kampet naziste. Për rrjedhojë, perceptimi i këtij realiteti është më i prekshëm, ndërkaq, e vërteta e shpjeguar në rrafshin kulturor është një përvojë e re pozitive.

Këto shestime po riktheheshin në vëmendjen time sërish gjatë shkurtit të 2021-ës, kur po lexoja romanin e Bardhyl Mahmutit “Eskadronët e vdekjes”, që për shumëçka do ët mund të cilësohej si nga më të veçantët në letërsinë shqipe.

Atë që kishte bërë H.Morris-i me Tautistin e Aushvicit, në plan edhe më të gjerë e ka bërë Bardhyli me romanin/kronikë historike “Eskadronët e vdekjes”, duke sjellë provat e detajuara të krimit serb në Kosovë në vitet ‘90-ta të shek. 20-të, por edhe ato ndaj intelektualëve serb të paktë që u bënë zë i ndërgjegjes së kombit të vet, atëherë kur ata, në një mënyrë a tjetër, dëshmuan dhe dënuan gjenocidin serb ndaj popullit shqiptar.

Romani “Eskadronët e vdekjes” është një histori që shpërfaq dimensionet më ekstreme të mendjes e institucionit të shtetit serb për shkatërrimin e një kombi, pa kursyer as brutalitetin e paramenduar së fundmi për ta fshehur atë. Çdo lexues, sado i sprovuar të jetë me margaritarë të tillë të letërsisë botërore, nuk ka se si të mos kaplohet nga emocione të jashtëzakonshme, tek lexon këtë rrëfim romanor, siç është ky, që tashmë e ka në dorë jo vetëm lexuesi shqiptar.

Lexuesit shqiptar, por edhe të huajt, që e njeh historinë dhe raportet mes shqiptarëve dhe serbëve përgjatë dy shekujve të fundit, sidomos nga viti 1878 e këtej, do t’ i rekomandoja ta lexoj, edhe nëse ka lexuar të gjitha botimet e mundshme të autorëve tanë e të huaj, madje edhe nëse i ka lexuar gjithë atë vistër të projekteve serbe mbi zhdukjen e shqiptarëve (24 sosh sa janë publikuar deri tashti!).

Objekt rrëfimi i këtij romani historik janë vrasjet sistematike të mbi 10 mijë civilëve të paarmatosur shqiptarë të Kosovës, në mesin e të cilëve 1392 fëmijë e 1739 gra; dhunimi i mbi 20 mijë femrave shqiptare; burgosja dhe keqtrajtimi mizor i mijëra shqiptarëve, dëbimi i mbi një milion qytetarëve shqiptarë në funksion të spastrimit etnik të Kosovës dhe shkatërrimi i qindra e mijëra objekteve kulturore, arsimore, fetare dhe të pronave private të shqiptarëve… Pra opjekt i trajtimit në rrafshin artistik shndërrohet akti i aplikuar me brutalitet i forcave serbe në trajtën e gjenocidit fizik dhe biologjik në Kosovë, që për qëllim final kishte shkatërrimin e zhbërjen e shqiptarëve të Kosovës edhe si qenie biologjike.

Prandaj autori këmbëngulë jo një herë se, sa i përket “qëllimit për të shkatërruar një grup nacional, etnik, racor ose fetar”, që përbën thelbin e përkufizimit të krimit të gjenocidit, nuk ka asnjë dallim mes gjenocidit të aplikuar nga regjimi i Adolf Hitlerit kundër hebrenjve dhe gjenocidit të aplikuar nga regjimi i Sllobodan Milosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës. Dallimi qëndron në përmasat e realizimit të qëllimit!

Ndërkaq përshtypjet që i bluan në mendje në një çast reflektimi kryepersonazhi i romanit “Mifti L-ja, tek shfleton lidhur me heshtjen e intelegjencies serbe për gjenocidin serb në Kosovë, e sheston mbi arsyet që kishte revolta e arkimandritit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, janë edhe një lloj reminishence që shoqëron oportunitetin e elitave të shpifura të kombeve të papjekur në rrafshin civilizues.

“E kuptova revoltën e arkimandritit Sava ndaj heshtjes së intelegjencies serbe, kur bëhej fjalë për krimet në Kosovë, reflekton në një rast gazetari dhe kryepersonazhi i romanit, Mifti L. Por heshtja e tyre ka një shpjegim, vazhdon ai reflektimin e tij. Në mediet e vendeve demoratike shumë shpesh Millosheviqin e kishin quajtur “Kasap të Ballkanit” dhe e kishin krahasuar me Hitlerin. Ky krahasim nuk më duket i saktë! Gjermnaia para Luftës së Dytë Botërore nuk mund të krahasohet me Serbinë e fillimit të viteve ‘90-të. Kur Hitleri filloi të çartej dhe t’i ngjante një kafshe të tërbuar, atë e braktisën një numër intelektualësh, shkencëtarësh dhe artistësh eminentë të popullit gjerman. Edhe pse gjatë periudhës së Millosheviqit vendin tonë e braktisën një numër artistësh, shkencëtarësh dhe intelektualësh, shumica e tyre u vunë në shërbim të tij, përkundër asaj se e dinin që, me urdhërin e tij, me miratimin e tij ose, së paku, me dijeninë e tij, çdo ditë nga dora serbe e pësonin qindra njerëz të pafajshëm. Tani, të kërkohet nga këta njerëz që të flasin për krimet që janë bërë n Kosovë, do të thotë të kërkohet prej tyre që ta pranojnë pjesën e fajësisë së tyre…” (f.378/379).

Ky roman vjen në letërsinë tonë si një krijim tepër i veçantë artistik dhe si i tillë, me tematikën, me përmbajtjen, por edhe me mesazhin e tij, na imponohet krejt natyrshëm me pretendimin për të hyrë në panteonin e letërsisë së përbotshme si kontribut i llojit të vet, ashtu si edhe vet sakrifica e prometheve të lirisë sonë.

Prishtinë, 23 shkurt, 2021