Në këtë listë të re emrash, ngjashëm me listën pararendëse, dominon interesi publik i qytetarëve për të identifikuar nevojën që në një pjesë të caktuar të rrugëve të Shkupit të përfshihet fryma shqiptare, një qasje kjo radikale në ndryshimin e mendësisë së vjetër, ku realiteti shumetnik nuk korrespondonte me ikonografinë shtetërore të emërtimit të rrugëve e shesheve. Pra, tash e tutje, gjeografia e adresave tona do të ketë edhe autenticitetin etnik të shqiptarëve, sepse pa këtë komponentë do të dukej e zbrazë dhe pa kuptim hapësirë ku për çdo ditë lëvizim dhe punojmë
Nga Dr. Skender ASANI
E plotë dhe e përfunduar është vetëm vdekja, kurse gjithçka tjetër mbetet e paplotë dhe e papërfunduar. Sidomos kur jeta rrjedh e vazhdon, sepse ardhmja gjithmonë projektohet si një horizont pritjeje të pafundme, me plot befasi e risi. Ngjashëm si lista me emrat e rrugëve, shesheve, bulevardeve në Shkup, e cila edhe pse (prej viti 2012 deri më 2021) ka plot 150 emra shqiptarësh të shquar e organizatash të rëndësishme, ajo megjithatë nuk mund të konsiderohet si “një makinë e përsosur”, sepse dialektika e ndryshimeve nuk ka përfunduar dhe pritet që edhe në vitet në vijim të ketë propozime të tjera për emërtime të reja rrugësh e sheshesh.
Me fjalë të tjera, të gjithë ata që nuk i gjejnë në këto lista ndonjë të preferuar të tyre, kjo nuk do të thotë se ata nuk e kanë merituar të jenë aty. Përkundrazi, debati vazhdon dhe sigurisht çdo personalitet shqiptar do ta ketë vendin e duhur në hierarkinë e vlerave, përfshi edhe procesin e emërtimit të rrugëve, i cili për hir të së vërtetës vetëm në Shkup ka filluar, ndërkohë që në qytetet tjera ende kemi rrugë me emra partizanësh anonimë që janë harruar edhe në fshatrat prej nga vinë ata. Në qytetet tjera të Maqedonisë, vendbanimet shqiptare vazhdojnë të mbahen peng të një inercie nga e kaluara, ku emrat e rrugëve, jo vetëm që nuk shprehin frymën autentike demografike etnike, por ato janë edhe anakronike për kohën tonë dhe për rrethanat në të cilat jetojmë. Pra, ja edhe një rast i volitshëm për të gjithë ata që duan sa më shumë emra shqiptarësh, le ta vazhdojnë fushatën për riemërtimin e rrugëve e shesheve në qytetet e tyre, me ç’rast sigurisht që do të hasin në përkrahje të gjerë, si nga popullata ashtu edhe nga intelektualët dhe nga mediat.
Lista e fundit me emra që u miratua të martën në Këshillin e Qytetit të Shkupit, ku figurojnë edhe 102 personalitete e organizata të ndryshme shqiptare, nuk është thjeshtë një regjistër numerik që duhet të vendoset në planimetrinë urbane të Shkupit. Ajo është më tepër se kaq, sepse ngërthen në vetvete intencën e kahmotshme të intelektualëve e patriotëve shqiptarë që realiteti shumetnik i Maqedonisë të shpërfaqet në dimensione të ndryshme, përfshi edhe emrat e rrugëve dhe shesheve, ku shqiptarësia do të spikatej jo vetëm si identitet, por edhe si filozofi urbane e politike, pa të cilën nuk mund të flasim për një kohezion normal social e etnik këtu në këtë shtet.
Tani kur në hapësirën e gjerë të Shkupit do të kemi edhe shenja identifikuese shqiptare, kjo nuk mund të kuptohet si një veprim thjesht mekanik. Fryma e gjallimit të një qyteti nuk mund të perceptohet drejt nëse ajo nuk përmbledh në vete tërësinë semantike të një vijimësie të lashtë historike e etno-psikologjike të banorëve që ndodhen aty. Dhe, nëse ia hedhim një sy listës me emra rrugësh e sheshesh, do të vërejmë se secili prej tyre ngërthen një kuptim, një motiv dhe një gjakim. Çdo emër ka historinë dhe zhvillimin e vet në kohë dhe hapësirë dhe ajo çka është më e rëndësishme Shkupi na del të jetë një akumulues i madh i këtyre emrave, të cilët, kush më shumë e kush më pak, mbushën me energjitë e tyre “turbinën” e ndryshimeve për të sjellë më vonë dritën e shumë kërkuar.
Shkupi, jo rastësisht është trajtuar në të gjitha hartat e udhëpërshkruesve dhe studiuesve të ndryshëm, si një nyje që kryqëzon, jo vetëm historinë me gjeografinë, tregtinë me zejtarinë, autoktoninë me falsitetin historiografik, por edhe si shtrat nëpër të cilin ka rrjedhur pandërprerë lavdia iliro-dardane, duke u kurorëzuar me vendosjen e administratës kryesore të Dardanisë pikërisht në këtë qytet. Pra, Shkupi, si një qytet gati unik për nga historia dhe plotkuptimësia, vjen në kujtesën e brezave, bashkë me emrat që tash e tutje do të mbajnë disa nga rrugët e tij, si vazhdimësi e logjikshme e kauzave tona morale e patriotike për të rikthyer dinjitetin dhe krenarinë e kryeqendrës së dikurshme të Dardanisë.
Ka plot personalitete shqiptare që tash e tutje do të shndërrohen në adresa të reja në letërnjoftimet tona, të cilët, ndonëse nuk kishin jetuar në Shkup (si psh. vëllezërit Frashëri, Ismail Kadare, Ernest Koliqi, Adem Demaçi, Ukshin Hoti etj), ata megjithatë, me reflektimin e tyre gjithëkombëtar arritën ta shtrijnë nervaturën e tyre të ndikimit edhe në këtë qytet të lashtë, ngjashëm si guralecët që shpërndajnë rrathë koncentrik posa të bien në ujë.
Historikisht jemi dëshmitar se gjatë gjithë periudhave kohore nuk na kanë munguar guralecët e tillë, por kujdesi institucional ka qenë i pamjaftueshëm për të valorizuar vizionin e tyre në algoritmin brezave. Tani po bëhet një hap i vogël, por tepër i qenësishëm në vendosjen e një rregulli administrativ në emërtimet e rrugëve, ku kriteret profesionale e etike do të mbisundojnë mbi ato subjektive e egoiste.
Edhe në këtë listë të re emrash, ngjashëm me listën pararendëse, dominon interesi publik i qytetarëve për të identifikuar nevojën që në një pjesë të caktuar të rrugëve të Shkupit të përfshihet fryma shqiptare, një qasje kjo radikale në ndryshimin e mendësisë së vjetër, ku realiteti shumetnik nuk korrespondonte me ikonografinë shtetërore të emërtimit të rrugëve e shesheve. Pra, tash e tutje gjeografia e adresave tona do të ketë edhe autenticitetin etnik të shqiptarëve, sepse pa këtë komponentë do të dukej e zbrazë dhe pa kuptim hapësira ku për çdo ditë lëvizim dhe punojmë. Shpresojmë që kjo hapësirë në të ardhmen do të vazhdojë të prodhojë vitalitet kombëtar, me emra të rinj, që do të jenë rrjedha e pandalshme e kësaj fryme të filluar tash më.
Shkup, 24 shkurt, 2021