• Today is: Sunday, November 24, 2024

“MONSTRA ” – NJË TEATËR CIRKU KU MUNGONIN AKTORËT E VËRTETË!

fakti
February23/ 2021
Një nga familjarët e të akuzuarve, Bedri Ajdari, sot u ka thënë gazetarëve se janë munduar që t’i zhdukin provat dhe se vendi ku ka ndodhur vrasja është mbuluar me asfalt për t’u zhdukur provat.
Nga Emin AZEMI
Sot (e martë) në Gjykatën Penale të Shkupit u organizua edhe një teatër cirku, ku mungonin aktorët e vërtetë. Në vend të tyre, Prokurorja Fatime Fetai, në sallën e gjyqit solli disa ‘aktorë’ të tjerë, të cilët i prezantoi si, gjoja, kryerës të veprës penale – vrasje e pesëfishtë.
Mirëpo Fejzi Aziri, i dënuar me 15 vite burgim, në fjalën e tij ka kërkuar që Kryprokurori Publik, Lubomir Joveski, dhe prokurorja për Krim të Organizuar, Villma Ruskovska, ta vizitojnë atë në burgun e Shutkës, ose ta ftojnë, në mënyrë që tua dorëzoj argumentet dhe faktet mbi atë se kush është organizator, ekzekutues i vrasjes së pesëfishtë në liqenin e Smillkovës.
Nuk u mor vesh se pse këto dëshmi duhet t’i dorëzohen kryprokurotit të shteit, ndërkohë që ato komod ka mundur t’i posedojë prokurorja Fatime Fetai. Kjo e fundit sërish recitoi përmendësh një farsë gjyqësore, që ajo e prezantoi si aktakuzë, por si në çdo farsë, edhe aty mungonte vërtetësia e ngjarjes dhe paanshmëria e vendimarrjes gjyqësre.
Rasti “Monstra” mund të jetë procesi më me pak fakte e dëshmi për të qenë bindës, por kjo nuk e ka penguar prokuroren Fatime Fetaji të trashëgojë një aktakuzë mbi prova të paverifikuara inkimunuese.
Herët a vonë ky rast i montuar do të zbardhet, por montuesit dhe prokurorët ka rrezik asnjëherë të mos përgjigjen për monstruzitetin e tyre (!).
Dikur Fatime Fetain disa shqiptarë, të entuziazmuar nga maqedonishtja e saj me theks serbo-boshnjak, patën ra në trans nga aparenca e saj plot pompozitet të mbushur me ajër të pakondicionuar të burokracisë gjyqësore maqedonase dhe saora e patën shpallë hiq më pak se ‘Shote Galica’.
Tash po heshtin të gjithë ata që nga heroina e tyre nuk ka mbetur asnjë gram kredibilitet, madje edhe shumë më pak se një qime floku e kaçakes së Drenicës.
Kështu ndodhë gjithmonë me heronjtë prej plastelinës që formën e marrin varësisht nga ena me gunga, të shkaktuar nga deformimet e sistemit të (pa)drejtësisë(!).